Opinioni publik, metafora okulte e “kazanit mediatik”. Vetëm një njeri  arrin që ta mohoje tërë median.

Nga Moikom Zeqo.

Titulli i mësipërm është një subjekt  i beftë, i natyrshem dhe njëkohësisht pyetje e tmerrshme e ekzistences  se opinionit publik ne Shqiperi si nje premise demokratike dhe epistimologjike.

Opinioni publik ka të bëjë me pushtetin e katërt, pushtetin e fjalës së shkruar dhe të mediave elektronike.

Por pushteti i katërt i kapërcen kufijtë mediatikë.

Opinioni publik ka të bëjë me substancën morale të kombit dhe të qytetarëve.

Opinioni publik lidhet me procesin e pandalshëm të ndërgjegjësimit individual dhe kolektiv.

Opinioni publik është gjithmonë një apel i madh dhe i vërtetë.

Opinioni publik është përditshmëria si problematikë. Opinioni publik është problematika si ardhmëri.

Opinioni publik ka të bëjë me ekzorcizmin e të gjithëve dhe të secilit.

Opinioni publik është i pashmangshëm dhe i domosdoshëm. Opinioni publik është syri ynë i brendshëm i sendeve dhe i shpirtit për të parë me kriticizëm dhe logjikë çdo pengesë, çdo deformim, për të hedhur tej dhe për të kundërshtuar të keqen. Opinioni publik është më i barazvlefshëm me lirinë se sa vetë ligjet.

Pozitivizmi juridik që zotëron sot tërë jetën politike të planetit mbështetet mbi postulatin se ligjet e mira e bëjnë një shoqëri më të mirë.

Unë mendoj se pozitivizmi juridik gjithsesi nuk duhet mbivlerësuar.

Ndoshta e kundërta është akoma më e vërtetë, që shoqëri e mirë i bën ligjet e mira, deri në atë shkallë, deri në atë kuptim që ekzistenca formale e këtyre ligjeve mund të anulohet, mund të mos jetë një praktikë, sepse karakteri formal i ligjit është i ndërvarur dhe nuk mund ta mbizotërojë realitetin e gjallë.

Forca e opinionit publik është shumë e madhe në raport me shkallën e qytetërimit të çdo vendi dhe të çdo populli.

***

Në sistemet totalitare opinioni publik është i tjetërsuar si opinion partiak.

Gjithashtu pozitivizmi juridik është një pozitivizëm totalitar. Opinioni publik parakupton pluralitetin e ideve dhe lirinë e mendimit.

Opinioni publik është debat dhe kundërshtim opinionesh. Opinioni publik pa kontradiktën në vetvete nuk mund të jetë i vërtetë.

Aty ku nuk është kontradikta nuk është as opinioni publik.

Në shoqëritë posttotalitare hapen horizonte dhe krijohen mundësi të mëdha për lindjen dhe zhvillimin e opinionit publik.

Nga viti 1991 e këtej shtypi i lirë dhe media elektronike kanë krijuar një përvojë në thelb të dyzuar të opinionit publik. Duket se fjala është e lirë dhe nuk ka pengesa për opinionin publik.

Por opinioni publik shqiptar është kaq i deformuar dhe i mangët saqë unë me trishtim dhe jo pa dëshpërim mund të them se gati dyshoj në ekzistencën dhe efektivitetin e opinionit publik.

Së pari: opinioni publik strukturohet nga transparenca informative, nga liria informative dhe jo nga kaosi informativ dhe anarkia.

Më vjen keq, por gati tërë gazetat dhe mediat elektronike në Shqipëri kanë një kaos dhe anarki informacioni si dhe shpërpjesëtime të brendshme në substancën publicitare dhe profesioniste të lajmeve.

Përgjithësisht llojet e lajmeve kanë të bëjnë me sferën e jetës dhe skandaleve personale të vipave të politikës (për fat të keq asnjë gazetë, asnjë TV nuk flet për platforma ideore apo nisma të mirëfillta politike të politikanëve).

Sfera e dytë e dukshme e tabloideve ka të bëjë me kronikën e zezë, vrasjet, prostitucionit, drogën etj. etj.

Sfera e tretë ka të bëjë në informacione të zbehta kulturore të seksit, të reklamave etj. etj.

Pra substanca mediatike nuk pasqyron problemet e vërteta reale të shoqërisë shqiptare dhe krijon shpërpjesëtime të të vërtetave të pjesshme, duke mbuluar me tym disa të vërteta shumë më të thella.

***

Këto vitet e fundit është krijuar një dukuri e tmerrshme, që ka të bëjë me klientelizmin e mediave dhe të shtypit.

Fare lehtë mund të dallosh që shtypi dhe TV-të janë të ndarë sipas klaneve, janë të pronësuar sipas rrymave, që lidhen kryesisht me politikën dhe mund të them me bindje se kishte të drejtë Faik Konica kur dy vjet para se sa të vdiste shkroi një parodi për gjoja shtypin e lirë duke thënë se “përralla e shtypit të lirë është një shpikje e idealistëve të mëdhenj, por aspak e praktikës së shtypit”.

Ky cenim i tmerrshëm dhe i llahtarshëm i lirisë së shtypit është gati njëlloj totalitarizmi i ri mendor.

Duke patur parasysh këto që thashë më sipër del qartë se opinioni publik shqiptar është i kërcënuar nga pengesa të mëdha. Pa u çliruar nga këto pengesa nuk mund të flitet për një opinion publik të vërtetë.

Opinioni publik duhet kështu të gjejë vetveten, të realizohet si i tillë.

Kjo gjë ende nuk ka ndodhur në Shqipëri.

Mbasi të bëhet një opinion publik i vërtetë dhe i besueshëm mund të shtrohet çështja që ky opinion të ndikojë si katharsis mbi politikën dhe shoqërinë shqiptare.

Ky opinion publik është më i rëndësishëm se sa sistemi shumëpartiak i një vendi demokratik.

***

Opinioni publik është më i rëndësishëm se sa konceptet bazë pozitë opozitë, është më i thellë dhe i rëndësishëm se sa të ashtuquajturat debate në Parlament etj. etj.

Opinioni publik nuk ka të bëjë thjesht me politikanët, por ka të bëjë me rritjen e procesit qytetërues të vetë popullit.

Pavarësisht nga fakti se në shtypin dhe mediat elektronike të Shqipërisë janë ngritur probleme të mëdha që paraqesin premisat e opinionit publik unë pa u treguar skeptik mund të them se opinioni publik në Shqipëri është akoma një ëndërr dhe një premisë, nuk duhet të dëshpërohemi dhe të mos shpresojmë, nuk duhet të biem në fatalizëm, por jemi shumë larg kuptimit të vërtetë të opinionit publik.

Këtë opinion publik nuk e përfillin politikanët por për fat të keq ky opinion publik nuk ndikon aq shumë edhe te vetë populli.

Më tremb fakti se vetë shija e lexuesve  dhe audiences është orientuar drejt sensacioneve boshe dhe një informacioni shterpë.

Po bëhet një edukim i një mediokriteti të pashembullt gjoja në emër të shtypit të lirë.

Po triumfon idea e një imoraliteti dhe absurditeti të konceptimeve logjike.

E di që është një proces tepër i vështirë dhe i komplikuar. Por nuk jam naiv që të vetëkënaqem dhe të luaj rolin e një opinioni publik të paqenë, të ngatërroj surrogaton me qenien e vërtetë të opinionit publik.

***

Ideja sublime e opinionit publik është një ide në proces, që shpreh shkallën e emancipimit të shoqërisë.

Në rastin konkret në Shqipëri ne kemi një paradoks të frikshëm:Kemi një rrjet të madh të mediave elektronike dhe të mediave në print, kemi rrjetet sociale në internet por paradoksi qëndron në statusin e tyre universale në shoqëri.

Në Epokën Post-Faktuale gjallojnë opinionet e kundërta si dhe lulëzojnë idetë kundërshtuese që burojnë më shumë nga propaganda ndërsjellëse.

Këto vitet e fundit nga njerëzit kryesor të politikës struktura mediatike shqiptare, konsiderohet në mënyrë pezhorative si një kazan.

Nuk ka metaforë  okulte më të pakuptimtë, apo një cilësim më vulgar dhe përjashtues, se sa ta quash tërë median me emrin e një ene guzhine, të quajtur” Kazan.”

Si rrjedhim hiperboloik i metaforës del që Kazanin Mediatik paska guzhiniere, apo mjeshtra, magjistarë, apo mashtrues të Kulinarisë Sociale.

Kaq përjashtues është termi Kazan, sa mund të arrihet lehtësisht tek mendimi se Kazani Mediatik është i panevojshëm, nuk na duhet, sepse është vetëm i dëmshëm, helmues, i kote, i kushtueshëm dhe thjesht klientelist.

***

Unë mendoj krejt të kundërtën.

Nuk mund të ketë asnjë shoqëri njerëzore pa strukturën mediatike përkatëse ,pa harruar se përkatësia emancipuese e strukturës mediatike është në një raport ndërsjellës me emancipimin, apo prapambetjen e shoqërisë.

Nëse struktura mediatike ka në funksionalitetin e vetë transparencën si dhe kriticizmin e përhershëm ndaj çdo lloj qeverie, domosdoshmëria është gati absolut.

***

Po përmend këtu se çfarë ka thënë Jefferson, një nga njerëzit më të ditur dhe vizionar të Amerikës: Në dilemën midis një shteti dhe qeverie pa shtyp dhe gazeta dhe një shoqërie pa shtet dhe       qeverie por me shtyp dhe gazeta, Jeffereson mendon se situata e fundit është shumë herë më e mirë, më normale, më zhvillimore dhe me progresive sesa ajo e gjendjes shtetërore ku mungojnë shtypi dhe gazeta, ku mohohen të drejtat e të shprehurit por dhe opinionet alternative.

Epoka e sotme nuk mund të bëj dot në mënyrë absolute, e përsëris, pa median e lirë dhe pa lirite themelore të shprehjes publike në formë elektronike apo në print.

A ka qenë media shqiptare gjithë këto vite “një Kazan”?

Absolutisht nuk ka qenë “një Kazan”, por përkundrazi pa mohuar elementit e errët të kaosit por edhe të subjektivizmit të skajshëm ka qenë në lartësinë e detyrës së vet funksionale:Media ka denoncuar dukurinë e rendë të kanabizimit, ka denoncuar kryebashkiakët që kishin pasur të kaluar kriminale në emigracion, ka denoncuar diplomat false dhe titujt shkencor të blerë nga deputetët dhe politikanët dhe është pikërisht efekti i fortë i medias shqiptare të shkarkimeve të bëra nga Kryeministri të dy nga ministriat e brendshëm, që janë mbiquajtur si më të suksesshmit si dhe ndryshimi radikal i qeverisë kohët e fundit me shtatë ministrat duke bërë të mundur që aktualisht kemi një lloj Qeverie të Re.

***

A është media shqiptare emancipuar siç duhet dhe me standarte të larta?

Jo, nuk është ende në statusin e saj maksimal.

Por të mos harrojmë se edhe mediat në Europë, për shembull në Greqi, në Itali, në Serbi, në Francë, por dhe në Angli dhe në Amerikë mediat paraqiten kontradiktore por roli i tyre është i pashmangshëm.

Vetëm një njeri që nuk e kupton logjikën apo dialektikën arrin që ta mohoje tërë median, gjë që në fund të fundit është e pamundur.

Një problem kryesor në Shqipëri është pikërisht, sesa adekuate janë të vërtetat apo lajmet e medias me opinionin publik.

Për fat të keq kemi mospërputhje.

Për fat të keq nuk kemi identitete të përputhura, domethënë opinioni publik, ai i vërteti mund të jetë i pashprehur në media.

Për fat të keq gjithashtu opinioni publik në Shqipëri, as nuk stimulohet dhe as nuk ecën në mënyre progresive me partitë opozitare.

Partitë opozitare tani për tani janë jashtë loje.

Protesta popullore e organizuar prej tyre në 16 shkurt të këtij viti është e konceptuar nga regjisorët e PD dhe LSI si një spektakël.

E them me trishtim këtë gjë, sepse për mua Opozita duhet të jetë e vërtet dhe shumë e rëndësishme si një subjekt kushtetues, zëvendësues dhe alternativë.

Për opinionin publik këtë herë kombinon më shumë me protestat e vijuara të studentëve që sollën një përvojë të re, duke refuzuar si një përfaqësuesit e Qeverisë, ashtu edhe ata të Opozitës.

Shqipëria është ende e prapambetur dhe e vonuar në rolin funksional të opinionit publik.

***

Por opinioni publik duhet të jetë patjetër një “Fata-Morgana” i të Ardhmes së vendit.

Një zhvillim i brendshëm kulturor dhe sidomos arsimor do ta fuqizojë megjithatë në një proces plot kontradikta edhe opinionin publik.

Por deri atehere duhet të ndryshoj estamblishmenti politik në Shqipëri, por gjithashtu do të ndryshoje dhe dicka substanciale në strukturën mediatike: rrymat klienteliste, që i lidhin pronarët e mediave me rendin e oligarkëve të vendit.

Botuar në Dita