Moisi Zaloshnja, me shpirt e zemër në librat e tij.
Moisi Zaloshnja, me shpirt e zemër në librat e tij. –
Me rastin e 100-vjetorit të lindjes
Vepra e Moisi Zaloshnjes ndahet në kohë dhe në gjini të ndryshme, që nga vjershat për fëmijë dhe të rritur deri te romani. Ndër më të njohurat janë:
-Të periudhës para çlirimit të vendit: Poema ”Vdekja e Skënderbeut”
-Të kohës së Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare: Poema “Misioni”, “Në zemër të popullit”, “Ç”u ndezën malet”, “Zjarr pa tym”, pjesa teatrale “Të faleminderit, o trim i vogël”, tregimi “Çasti vendimtar”, etj.
-Vepra të kohës së socializmit: “Kohët ndryshuan”, “Nën hijen e Tomorrit”, “Lëndohet një plagë e vjetër”, “Gjysmagjeli“,“Krahu i Skënderbeut”, “Zëra të fuqishëm, “Tregime të Zgjedhura”, “Kur malet kërkonin diellin”, “Na ishte një Yllkë e vogël”, “Sa të jetë Lalë Gjoni”, “Gjysmagjeli”, “Kolorësi prej Argjili”, “Ariu dhe bariu”, “Këndezi që sdëgjonte shokët”, Poema “Bariut Hero”, “Tregime për tokën”, “Deti nën Tomorr “, “Na ishte një Yllkë e vogël ”, “Xixëllonja”
-Krijimtari të gjuhës së popullit: “Përralla të zgjedhura”, “Kërcen hallua nga halli”, “Mendja bën hata, mendja, bënë kala”, “Bakllavatë e Sheme Shaqirit”, “Dyzet vëllezër e syqeni”.
-Shkrime të shumtë në revista e kohës: “Pionieri ”, gazeta “Bashkimi” , “Puna”, “Zëri i Popullit”, “Rinia”, ”Drita”, “Nëntori” etj.
** *
Për moshat 50 vjeç e lartë, Moisi Zaloshnja është një emër, jo vetëm i njohur, por edhe tepër familjar. Është një nga shkrimtarët e pasluftës që shkroi si për të mëdhenjtë ashtu edhe për të vegjlit, si për analfabetët ashtu edhe për akademiket e ngrysur dhe seriozë.
Ai ishte një nga mësuesit dhe shkrimtarët e parë të Skraparit, që asnjë herë nuk qëndroi larg njerëzve të thjeshtë, përkundrazi, ishte i afruar me cilindo. Dhe kjo ngrohtësi njerëzore u mishërua në tërë krijimtarinë e tij letrare. Moisiu partizan, mësues, gazetar e shkrimtar, mbeti kurdoherë e deri sa mbylli sytë, Moisi. Dmth, si Moisiu i Biblës – Njeri.
U lind në Zaloshnje të Skraparit më 28 shkurt 1919, në një familje fisnike bejlerësh, me tradita të lashta atdhetare. Familja e tij e kishte mbiemrin Dosti, dhe e kishte origjinën nga spahinjtë e Gramshit të Tomorricës. Ishte një ndër familjet më në zë dhe më me emër e Tomorricës, nga e cila kishin dalë luftëtarë të shquar si Servet Zaloshnja, Mahmut Zaloshnja, Hysen Zaloshnja e shumë të tjerë. Në këtë familje ka bujtur për ditë më radhë Eqerem Bej Vlora në fillim të shekullit të 20-të. Në kohën e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare shtëpia e Dostllarëve është kthyer në bazë kryesore të saj. Janë strehuar anatarë të Shtabit të Përgjithshëm të LANÇ si dhe ka ndenjur për disa ditë rresht Nexhmije Hoxha, e cila në mjediset e kësaj shtëpie ka zhvilluar Konferencën e Rinisë Komuniste Shqiptare para bashkimit me Rininë Antifashiste Shqiptare në një organizëm të vetëm.
I gjithë ky mjedis ndikoi në formimin e luftëtarit dhe shkrimtarit të ardhshëm Moisi Zaloshnja. Pas shkollës fillore në fshatin lindjes, ai vazhdoi shkollën qytetëse të Beratit dhe më pas Normalen e Elbasanit. Pas kësaj u caktua mësues në fshatin Kapinovë të Skraparit. Në gusht të vitit 1942 mori pjesë në Lëvizjen Antifashiste Nacionalçlirimtare, ku luftoi deri në çlirimin e vendit. Pas lufte kreu detyra të ndryshme.
Moisiu është nga ata shkrimtarë që e gjeti frymëzimin në viset e dashura të vendlindjes. Përrallat e bukura për fëmijë, tregimet, novelat, pjesët dramatike apo humoristike ai i gatoi me “miellin” e vendlindjes. Aq i lidhur ishte me vendlindjen, saqë miku i tij i vjetër, Luman Caka, që e ka njohur mirë, thotë se Moisiu, si lulja e diellit që kthehet nga dielli, e gjente temen e punëve të tij në Skraparë, Skrapari, Tomorrica dhe Zaloshnja ishin dielli i frymëzimeve të tij.
Moisiu ynë i dashur, i ngrohtë e zemërbardhë, bëri një punë fisnike e të çmuar, duke mbledhur visarin e vendlindjes. Botimet e Institutit të Folklorit dhe të Akademisë së Shkencave dëshmojnë e dokumentojnë dashurinë e Moisi Zaloshnjes për artin e popullit në Tomorricë e Skrapar, qëmtuar e mbledhur si bleta mjaltin, lule më lule.
Më pas u vendos në Tiranë ku punoi në disa institucione të ndryshme, si gazetar dhe prej vitit 1961 në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri” si shef redaksie për rreth 30 vjet, deri sa doli në pension. Krijimtaria e tij është e gjerë dhe e hershme, që gjatë Luftës. Pas çlirimit shkroi mëse 30 libra për të vegjël e për të rritur.
Edhe me një vështrim panoramik mbi veprën e tij me mbi tridhjetë vëllimesh, bie në sy bukur e mirë se ç’dashuri e nderim ka patur ai për artin e madh e të përkryer të popullit.
Moisiu mësues, shef arsimi, redaktor e kryeredaktor, qëndroi njëzetenëntë vjet në shtëpinë botuese “Naim Frashëri” si redaktor. Dhe kjo ka domethënien e vetë.
Ishte mjeshtër i tregimit të shkurtër, ndonëse shkroi edhe novela e romane, njëri i pa botuar,, por bëri emër në fushën e botimeve për fëmijë, ku derdhi të tëra energjitë për vite me radhë.
Në organet e shtypit të kohës, ai botoi artikuj kushtuar figurave të njohura të Skraparit, që lanë emër jo vetëm brenda kufijve të rrethit tonë.
Moisiu ynë, ky burrë e luftëtar i orëve të para, që la në malet e Shqipërisë një pjesë të rinisë së tij, u qëndroi besnik idealeve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Me jetën, punën dhe veprën që la pas, ai mbeti në radhën e parë të burrave që i bëjnë nder Skraparit dhe Atdheut. Për burra si Moisi Zaloshnja kemi nevojë në çdo kohë. Tani që nuk e kemi midis nesh, çmallemi duke shfletuar librat që na ka dhuruar; aty është shpirti dhe zemra e tij aq e madhe, aq e ngrohtë.
Dhe është mëse e natyrshme që Zaloshnja e Tomorricës, e cila nxori nga gjiri i saj kapedanë me emër, si triniteti Mahmut, Servet e Hysen Zaloshnja, të na nderonte edhe me një burrë e artist të fjalës artistike si Moisiu ynë i paharruar.
Kohët fundit, kur u moshua, të gjithë i thërrisnin “Xhaxhai”.
Vdiq në Tiranë, më 25 janar 1996.
Veprat e Moisi Zloshnjes
Vepra e Moisi Zaloshnjes ndahet në kohë dhe në gjini të ndryshme, që nga vjershat për fëmijë dhe të rritur deri te romani. Ndër më të njohurat janë:
-Të periudhës para çlirimit të vendit: Poema ”Vdekja e Skënderbeut”
-Të kohës së Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare: Poema “Misioni”, “Në zemër të popullit”, “Ç”u ndezën malet”, “Zjarr pa tym”, pjesa teatrale “Të faleminderit, o trim i vogël”, tregimi “Çasti vendimtar”, etj.
-Vepra të kohës së socializmit: “Kohët ndryshuan”, “Nën hijen e Tomorrit”, “Lëndohet një plagë e vjetër”, “Gjysmagjeli“,“Krahu i Skënderbeut”, “Zëra të fuqishëm, “Tregime të Zgjedhura”, “Kur malet kërkonin diellin”, “Na ishte një Yllkë e vogël”, “Sa të jetë Lalë Gjoni”, “Gjysmagjeli”, “Kolorësi prej Argjili”, “Ariu dhe bariu”, “Këndezi që sdëgjonte shokët”, Poema “Bariut Hero”, “Tregime për tokën”, “Deti nën Tomorr “, “Na ishte një Yllkë e vogël ”, “Xixëllonja”
-Krijimtari të gjuhës së popullit: “Përralla të zgjedhura”, “Kërcen hallua nga halli”, “Mendja bën hata, mendja, bënë kala”, “Bakllavatë e Sheme Shaqirit”, “Dyzet vëllezër e syqeni”.
-Shkrime të shumtë në revista e kohës: “Pionieri ”, gazeta “Bashkimi” , “Puna”, “Zëri i Popullit”, “Rinia”, ”Drita”, “Nëntori” etj.
Nga: Zylyftar Hoxha