Monedhat e para 2400 viteve dëshmojnë civilizimin në Ilirinë e Jugut – Libri i Ri.
“Thesare me monedha antike të gjetura në Shqipëri (shek. V-I p.Kr.)”-Prof. Dr. Shpresa Gjongeci Vangjeli
E një gjë të tillë e ka bërë arkeologia dhe numizmatistja shqiptare Shpresa Gjongecaj-Vangjeli. Libri i saj sjell dëshmi për civilizimin në këto anë e këtë e bën nëpërmjet shpalosjes së të dhënave për monedhat antike të gjetura në Shqipëri që datojnë prej shekullit V deri në shekullin I para erës sonë.
Si rezultat i punës shumëvjeçare, ndërtuar mbi bazën e një materiali të pasur numizmatik, në monografi janë përmbledhur të dhëna të rëndësishme për thesaret e gjetura në gjithë territorin shqiptar. Në 26 kapituj përshkruhen po aq thesare, të cilat janë paraqitur me të dhëna kronologjike, analiza tipografike-stilistike e monedha përbërëse të thesarit, vulat prerëse dhe datat e fshehjes së thesarit. Gjongecaj-Vangjeli në librin e saj “Thesare me monedha antike të gjetura në Shqipëri (shek. V-I p.Kr.)” ka paraqitur këto të dhëna, që konsiderohen shumë të rëndësishme në këtë fushë. Këtë libër ajo e nxori në botim vitin e kaluar, ndërsa të enjten e promovoi edhe në Prishtinë. Në njërën prej sallave të Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës, Gjongecaj-Vangjeli shpalosi informacione rreth punës së saj, ndërsa të pranishmit folën për rëndësinë e këtij botimi.
Arkeologu Fatmir Peja, recensent i kësaj monografie, ka thënë se ky vëllim do të jetë shumë i rëndësishëm për të gjithë arkeologët, por jo vetëm kaq.
Shpresa Gjongeci Vangjeli
Monografia paraqitet në një vëllim prej 507 faqesh nga të cilat 363 janë tekst dhe 125 tabela. Teksti është i shoqëruar me harta, figura dhe grafika.
Historiani e arkeologu Shafi Gashi, “Thesare me monedha antike të gjetura në Shqipëri (shek. V-I p.kr.)” e ka cilësuar si një vepër fondamentale për të gjithë ata që merren me fushën e numizmatikës.
“Kjo është një vepër shumë e rëndësishme, sidomos për faktin se jep të dhëna prej shekullit V deri në shekullin I para erës sonë, por pse jo edhe për të gjithë ne që merremi me arkeologji. Edhe neve të historisë shpesh na rastis që të hasim në periudha ndryshme”, ka thënë Gashi.
Gjongecaj-Vangjeli ka dhënë informacione të detajuara duke u bazuar në hulumtime dhe dokumente të rëndësishme.
Thesari i Torovicës, i përbërë nga 124 sëpata, si dëshmi e sistemit paramonetar, i paraprinë monografisë.
“Objekti i studimit tim në këtë monografi është monedha, e shprehur në gjuhën e përditshme, pra paraja. Ky botim kontribuon në fushën e numizmatikës e cila është një degë e veçantë e arkeologjisë”, ka thënë Gjongecaj-Vangjeli.
“Këto monedha, pavarësisht nga ndryshimet stilistike që pësuan në kohë patën një ndikim të madh në qarkullimin monetar në Iliri”, ka thënë Gjongecaj-Vangjeli, teksa ka treguar se në thesaret e gjetura në Shqipëri në shekujt V-I para erës sonë vendin kryesor e zënë monedhat e prera në vend dhe pikërisht rahmet prej argjendi të dy qyteteve të mëdha, Dyrrahit dhe Apolonisë, të cilat luanin rolin kryesor në qarkullimin monetar dhe në marrëdhëniet midis tyre dhe qyteteve ilire, si dhe më gjerë në Korkyrën, Korinthin, Maqedoninë dhe botën greke në përgjithësi.
Foto nga promovimi i librit.
Përmbledhjen e këtyre informacioneve e ka vlerësuar edhe arkeologia Edi Shukriu. Ajo ka thënë se Gjongecaj-Vangjeli sjell një material të rëndësishëm për të gjithë… (gjerësisht sot në “Kohën Ditore”)