Moniment -Kisha e Fjetja e Shën Mërisë, në Bishqethëm. –
Moniment -Kisha e Fjetja e Shën Mërisë, në Bishqethëm. –
Sipas një gojëdhëne ‘kisha mendohet të jetë ndërtuar në vitin 1198. Në vitin 1600 ajo u shkatërrua deri në themel nga turqit. Më pas, aty nga viti 1750 u rindërtuar përsëri mbi themelet e kishës së vjetër’.
Kjo kishë është e variantit të kishave të Myzeqesë, d.m.th. e përbërë nga Naosi dhe hajatet që e rrethojnë në tri anë. Naosi është i tipit bazikal trenefësh, me përmasa të brendshme 16,75 x 8.50 m. Dy radhë kolonash (të veshura me rripa dërrase deri në 1 metër lartësi dhe të pikturuar me stilizime floreale) e të suvatuara që përfundojnë kapitele të lidhura me arkada gjatësore, ndajnë nefet nga njëri-tjetri, nga të cilët nefi qendror është më i gjerë dhe më i lartë nga dy anësorët. Kjo ngritje ka dhënë mundësi që nefi qendror të ndriçohet nga dritare të hapura mbi çatinë e hajateve. Secili nef është i pajisur me tavan të veçantë dërrase të gdhendur të ngjyrosur për efekte dekorative. Çiftin lindor të kolonave mbështetet ikonostasi prej druri të gdhendur, ndan ambientin e altarit, i cili përmban absidën qendrore e të nxjerrë jashtë bemës dhe niket e protezisit dhe të diakonikonit. Hyrjet për në hajatet janë hapur në anën veriore perëndimore dhe jugore. Ndërsa hyrjet që të çojnë në naos janë nga ana jugore dhe perëndimore. Porta perëndimore është hapur poshtë kullës së kambanores. Naosi rrethohet nga anë perëndimore veriore dhe jugore nga hajatet, nga të cilët ai perëndimori është më i gjerë. Për mbajtjen e çatisë janë vendosur kolona druri. Në qoshen veriperëndimore është ndarë një kthinë e vogël, ku mbahet kazani i pagëzimit. Muret e hajatit janë të hapura nga disa sërë hapësira, të mbuluara me harqe të shtrira. Në pamje të jashtme kisha ka një kompozim volumor të zakonshëm për kishat e Myzeqesë të këtij varianti. Volumit qendror e të lartë të naosit i mbështeten në tri anë volumet më të ulëta të hajateve të mbuluara me çati njëujëse. Kisha është e suvatuar nga jashtë, dhe në përgjithësi mungon përpunimi dekorativ i nuraturës. Dallim bën absida e punuar me blloqe guri të latuar dhe e zbukuruar me një varg nikesh të larta e të cekëta të harkuara nga sipër që krijojnë përshtypjen e një harkade të rrafshët. Muratura e Absidës mbyllet me një kornizë tullash të vendosura në formë dhëmbësh sharre ndërmjet rreshtave të drejtë.
Piktura murale në teknikën e afreskut mbulon të gjithë sipërfaqen e naosit, faqen lindore të narteksit dhe ruhet e fragmentuar sipas derës jugore, kur hyn në naos. Piktura murale e kësaj kishe është vepër e piktorit shqiptar të shek.XIX-të Johan Çetirit dhe e Gjergjit, së bashku me nipin e tij Ndinin po nga kjo familje. Piktura është realizuar me 1798. Tematika e saj është ajo e zakonshmja, e pasuruar kohët e fundit me elementë të reja nga manastiret e Malit Athos. Vëllezërit grabovarë Çetiri kanë përdorur në afresk të njëjtën tematikë që kanë përdorur piktorët vëllezër korçarë, Kostandin e Athanas Zografi, duke iu përshtatur me përpikëri mënyrës së radhitjes së skenave. Në faqet veriore dhe jugore në katër rreshta janë vendosur me radhë jerarkët, martirët, saketët, apostujt dhe skenat nga jeta e Krishtit dhe i Shën Mërisë. Brezi i parë është më i gjerë, aty janë paraqitur jerarkët e martirët e kishës në këmbë. Më sipër vjen rreshti i medaljoneve me figurat e shenjtorëve të zbukuruar me ornamente floreale. Në dy rreshtat e sipërme, në madhësi të ndryshme janë realizuar skenat nga jeta e Krishtit dhe Shën Mërisë. Brezi i sipërm i pikturës murale është punuar nga Gjergj Çetiri me nipin e tij Ndinin me 1849, më 1853. Në faqen lindore ruhet po kjo ndarja e brezave të pikturuar. Në absidë paraqitet Shën Mëria Platiteria, dhe në brezin poshtë saj 6 apostuj të ndarë në dy grupe. Në niken majtas kemi skemën e ngjalljes së Krishtit, në niken djathtas paraqitet Shën Vasili. Tërë medaljonet me figurat e Shenjtoreve dhe të zbukuruar me motive floreale janë pikturuar më sipër. Figurat e 12 shenjtoreve në këmbë janë pikturuar njëri pranë tjetrit pa kornizime. Skenat e sipërme gjithsej 5 janë më të mëdha dhe janë të kornizuar me shirit të kuq. Në faqen perëndimore, sipër derës me hark që komunikon me marteksin ndodhet dhe skena e madhe e “Fjetjes së Shën Mërisë”. Në faqen lindore të narteksit është realizuar skena e madhe me temë “Gjyqi I fundit”. Naosi ndahet në tre nefe me shtylla guri, harqet midis tyre janë të pikturuara me motive floreale. Në anën e majtë të derës perëndimore ndodhen shkallët që të çojnë në një mafil të gjërë prej druri. Tavani i kishës është prej druri dhe mjaft i bukur.Ai është i realizuar me rozeta të gdhendura dhe të pikturuara, si dhe me dekoracione ornamentale. Naosi ndahet nga pjesa e altrarit nga një ikonostas druri i gdhendur, ku janë vendosur ikonat e piktorit Naun Çetirit dhe mbajnë datën 1829.
Vepra artistike në kishën Fjetja e Shën Mërisë – Bishtqethëm, si në pikturën murale dhe në ikona, është realizuar nga familja e piktorëve grabovare-Çetiri. Midis tyre shquhet vepra pikturale e Johan Çetirit, i cili diferencohet menjëherë për vlerat artistike të krijuara prej tij, aftësinë për të dhënë figura me një shprehje shpirtërore dramatike, të vizatimit të saktë dhe kompozimeve të realizuara me mjete të fuqishme shprehëse