Monitor: – Bizneset që rrezikojnë falimentimin nga rënia e konsumit

28/03/2021

Tendenca e shpenzimeve të konsumatorëve ndryshoi me krizën e COVID-19. Më të prekurit nga rënia e konsumit janë dyqanet e vogla, baret dhe restorantet. Strukturat më të mëdha akomoduese të Shqipërisë kanë shkurtuar 80% të stafit. Sektori i transportit vuan ende rënien e fluksit të pasagjerëve që po ndikon në mbylljen e aktivitetit për disa operatorë. Ekonomia do të nisë ristrukturimin, ku interesi më i fortë do të jetë që ndërmarrjet e mëdha të blejnë bizneset e vogla dhe të mesme-

Dorina Azo

Zamira Burreli, prej shtatë vitesh, tregton rroba të përdorura në një dyqan të vogël pranë zonës së ish-Kinostudios. Në momentin që biznesi kishte filluar të konsolidohej, pasi veshjet e përdorura po bliheshin edhe nga individë me të ardhura mesatare, 35-vjeçarja tregon si pandemia i reduktoi xhiron me 30 deri në 40% krahasuar me periudhën para COVID-19.

“Edhe ky vit nisi me rënie të shitjeve, pas uljes drastike të të ardhurave në muajt e karantinës. Shkaku është pasiguria ekonomike që po shkakton pandemia te shumë familje. Kërkesa është ulur edhe nga klientët besnikë të dyqanit, pasi kishin frikë nga mbyllja e vendit në muajin shkurt, kur edhe numri i të infektuarve ishte mbi 1 mijë në ditë. Të tjerë kanë humbur punën dhe financiarisht e kanë të pamundur të bëjnë shpenzime për veshje. Ata janë më tepër të fokusuar te ushqimet”.

Sektorët më të prekur nga kriza e COVID-19, sipas kryetarit të Dhomës të Tregtisë dhe Industrisë të Durrësit, Alban Isteri, janë tregtia me pakicë, turizmi dhe shërbimet mbështetëse të tij, duke përfshirë baret, restorantet dhe agjencitë turistike, akomodimi dhe në tërësi transporti i pasagjerëve.

Nga të dhënat e INSTAT, 30% e totalit të ndërmarrjeve aktive janë të tregtisë me pakicë. Në vitin 2019, numri i bizneseve që operonin në këtë sektor ishte 32,967.

Ahmet Xhinishi, ekspert fiskal, pohoi për “Monitor” se për shkak të pasigurisë ekonomike, konsumatorët po frenojnë blerjet për shumë produkte. Tendenca është reflektuar me rënie të të ardhurave te biznesi i vogël. Krahasuar me 3-mujorin e parë të 2020-s, xhiroja ka rënë me 50%. Bizneset e shitjeve me pakicë të veshjeve, të produkteve industriale (siç janë tregtarët e Tregut Çam), dyqanet e bulmetit dhe kasapët e mishit janë më të prekurit.

“Xhiroja e bizneseve të vogla ka pësuar rënie të lartë, sidomos në 3-mujorin e parë të vitit 2021, pasi deri në fund të 2020-s, bizneset dhe konsumatorët u munduan të tresnin ‘dhjamin’. Deri në muajt e parë të vitit, kishte pritshmëri se situata do të përmirësohej, por u pa që ndryshimi nuk mund të ishte kaq i shpejtë dhe se kriza mund të zgjasë gjatë gjithë vitit. Në vitin 2020, sektori i ushqimeve arriti të ruajë nivelin e shitjeve dhe në muajt e karantinës pati rritje, por aktualisht është në stanjacion. Këto biznese po e ndiejnë që konsumatori nuk ka më çfarë të shpenzojë.

Restorantet kanë diversifikuar produktet, kanë filluar me shërbimet ‘catering’ apo ‘dilevery’. Nuk mund të bëhet krahasim për ecurinë e biznesit para COVID-19, pasi në periudhë pandemie kanë nisur shërbime të reja. Shërbimet që ofronin më parë kanë falimentuar.

Shumë biznese të vogla po përpiqen të mbijetojnë, por ka edhe shumë prej tyre që janë mbyllur, siç janë dyqanet e shitjes së veshjeve në rrugën ‘Myslim Shyri’. Arsyet janë kostot e larta të qirasë, pagesat e siguracioneve dhe mungesa e subvencioneve të shtetit. Biznesi i vogël përfitoi vetëm 3 paga. Në anën tjetër vihet re se dyqanet outlet (me veshje të përdorura firmato) kanë rritur investimet. Dikush ka zgjeruar biznesin, por edhe janë hapur dyqane të reja, duke tërhequr më shumë klientelë”, pohoi z. Xhinishi.