Monument: Kalaja e Boderit. –
Statusi i objektit: Kalaja e Boderit është monument kulture i kategorisë së pare. Viti/koha e ndërtimit: Shek. VI pas. Kr.
Vendndodhja: Fshati Bashaj, Bashkia Selenicë.


Përshkrimi: Kalaja e Boderit ndodhet në anën e majtë të lumit të Smokthinës në një kodër rreth 360 m mbi nivelin e detit, në një nga zonat më të thella të krahinës së Labërisë. Maja e kodrës është e sheshtë dhe muri rrethues mbyll gjithë perimetrin rreth 250 m, që krijon një shumkëndësh të çrregullt. Fortifikimi ka dy kulla katërkëndore një në anën veri-perëndimore, e cila nuk ruhet në gjendje të mirë dhe një tjetër në anën jugore. Trashësia e murit rrethues arrin deri në 1.90 m, ndërsa lartësia maksimale e tij është ruajtur deri në 4 m në dy fragmente, në anën jugore dhe lindore.Teknika e ndërtimit të mureve është ajo me gur mesatar dhe të vegjël të papunuar të lidhur me llaç gëlqereje dhe tjegulla midis tyre,tipike për ndërtimet e antikitetit të vonë.

Bibliografia: D.Komata.

“Një vështrim arkeologjik nëpër Luginën e Shushicës.” Iliria Nr.7-8, 1977-1978, f.364-365.
Funksioni: Fortifikim i periudhës së antikitetit të vonë , monument kulture.
Burimi DRKK Vlore