Monumente Natyre – Bysheku në luginën e lumit Shkumbinit. –
Busheku me rrapet shekullore është një nga pikat historike e turistike më të bukura në jug të qytetit të Elbasanit. Ai është një nga vendet më të preferuara tradicionalisht nga elbasanasit. Busheku ndodhet në jug të qytetit, në luginën e Shkumbinit në të majtë të rrjedhës së tij. Është një pikë turistike me burime të shumta ujore, ku veçohet një burim karstik, me prurje 70 litra në sekondë që del rrëzë një shkëmbi gjigant. Kjo pikë ndodhet në fshatin Shushicë të komunës me të njëjtin emër, rreth 9 km larg qytetit të Elbasanit.
Vendasit e quajnë veten me fat që natyra u ka dhuruar një pasuri kaq të çmuar natyrore. Njëri nga banorët Dashamir Terziu thotë se:është privilegj që të kesh shtëpinë në Byshek, ku gurgullon gurra dhe uji i ftohte i burimit është një nga më të veçantat etj. Të hash një drekë në Byshek është kënaqësi. Madje janë ndërtuar dhe disa lokale, të cilat kanë një meny të pasur gatimi të gjellëve tradicionale. Të udhëtosh nga Elbasani për në drejtim të Bushekut është një kënaqësi ku të shoqëron gjelbërimi dhe larmia e luleve shume ngjyrëshe e pranverës. Por që të udhëtosh deri në Byshek është torture nga rruga e keqe ku nuk është vënë dore asnjë herë që nga koha e socializmit. Busheku është një zonë e mbushur me rrape shekullore dhe me burime të ftohta ujore, bukuria e të cilave bëhet më impresionuese kur provon të pish aty ku ai buron. Në prag të përmbysjes së sistemit komunist, në Bushek filloi të ndërtohej një kompleks gjigant për turizëm. Mirëpo nuk qe e thënë të përfundonte ky investim me vlera, pasi ndërrimi i sistemit u shoqërua me shkatërrim të asaj që ishte ngritur me shumë mundim për një kohë të gjatë si dhe një konflikt pronaresh për truallin.
Për ata që kanë kohë pa shkuar në Bushek, është e pabesueshme kur u shfaqet para syve një imazh i shëmtuar i asaj që kanë parë vite të shkuara. Vendasve u vjen keq, por thonë se nuk janë ata fajtorë për këtë gjendje. Një grup të rinjsh, banorë të fshatit Shushicë ku ndodhet Bysheku, thonë se fajtor është shteti për këtë situatë. Nëse shteti do të vepronte me forcën e ligjit, atëherë kjo pikë do të ishte e mbipopulluar nga turistët vendas e të huaj.
Aty, megjithatë, funksionojnë dy lokale që janë ndërtuar këto vite përsëri këta nuk i përmbushin detyrimet e turistëve, por që gjithsesi nxjerrin fitime të kënaqshme. Ka një interes të madh për të gjithë zhvillimi i Bushekut, ndaj dhe le të shpresojmë se nuk do të jetë e largët dita kur do të kthehet në një perlë të vërtetë. “Ne kemi hartuar të gjitha projektet dhe i kemi dërguar pranë institucioneve përkatëse, por nuk kemi marr asnjë investim”, thotë kryetari i komunës. Megjithatë ai është optimist se ka filluar interesimi dhe projekte edhe nga Ministria e Turizmit.