Monumente -Saraji i Pashës: Prizren. –
Monumente -Saraji i Pashës: Prizren –
– “Kazerma” që ruan gjurmët e Sarajit të Pashës
Në gjendje të mjerueshme jetojnë një numër familjesh skamnore, në objektin që rrezikon të shembet, në jug të qytetit të vjetër të Prizrenit. Objekti i shekullit XIX, që dikur ka shërbyer si Kazermë ushtrie e Internat nxënësish e studentësh, tash u shërben këtyre familjeve të pastrehë.
Një vendim politik i kohës së fundit, që Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të zhvendoset në atë që me ligj do të bëhet “kryeqytet historik”, mund ta shpëtojë monumentin, por të lërë në rrugë këto familje, shkruan sot “Koha Ditore”.
Gjysmë milioni euro ka ndarë shteti për zhvendosjen e një pjese të administratës e stafit politik të kulturës e të sportit në Prizren, vendim ky që s’ka kaluar pa u kritikuar.
Sidoqoftë, studiuesit e trashëgimisë kulturore tregojnë se objekti kur u ndërtua ishte pjesë e Sarajit të Mahmud Pashës. Atëherë kishte rëndësi strategjike, meqë ndodhej në një pikë prej ku mund të vëzhgohej i gjithë qyteti. Nga osmanët e morën në shfrytëzim serbët e jugosllavët.
Të pastrehët në monument
Është zor të binden të flasin për kushtet në të cilat jetojnë familjet që kanë gjetur strehë në “Internat”.
Janë diku rreth 20 familje. Megjithatë, njëra prej kryefamiljarëve, që s’preferon t’i përmendet emri, tregon se ka pesë vjet që janë vendosur në këtë objekt, në të cilin thotë se jetojnë vetëm prej zorit…