8 Prill 2025

TRT Balkan Albania, që shërben si filial i televizionit shtetëror turk në Shqipëri, ka goditur kryeministrin shqiptar, Edi Rama, i cili të hënën u nderua me Medaljen Presidenciale të Nderit nga presidenti izraelit, Isaac Herzog.

“Edi Rama merr çmim nderi në Izrael! “Po e marr në emër të të gjithë shqiptarëve”, tha kryeministri i Shqipërisë”, shkruan TRT.

“Kjo deklaratë e kryeministrit ngjalli reagime të shumta në rrjetet sociale, me disa që e përshkruan si skandal më vete, e të tjerë që nisën fushatën virtuale “Jo në emrin tim”!”, shton mediumi shtetëror i Turqisë.

Në një video të publikuar në Facebook, thuhet se “vizita e kreut të qeverisë shqiptare erdhi në kohë kur Izraeli pamëshirshëm vret dhe masakron civilë palestinezë në Gaza”.

Ndërsa tregon se Rama paralajmëroi ndërtimin e dy qendrave kulturore hebreje në Shqipëri, gazetarja e cila flet në video, thotë, ndër tjerash: “Në emër të shqiptarëve, apo jo në emrin tim?”.