“Morning Post” (1912): Zakonet e shqiptarëve mbi armët, mikpritjen dhe respektin ndaj gruas. –
“Morning Post” (1912): Zakonet e shqiptarëve mbi armët, mikpritjen dhe respektin ndaj gruas. –
Gazeta franceze, “Le Radical”, ka botuar, të enjten e 8 gushtit 1912, në faqen n°3, shkrimin e medias britanike, “Morning Post”, mbi traditat dhe zakonet shqiptare, në të cilin hasim trajtimin e temave të ndryshme si përdorimi i armëve, mikpritja, respekti për gruan apo rritja (edukimi) i fëmijëve.
Në vijim, do të gjeni tekstin e plotë, të sjellë në shqip nga Aurenc Bebja
Zakonet shqiptare
“Londër, 7 gusht. – Morning Post jep, në vijim, detaje interesante mbi traditat dhe zakonet e popullit shqiptar:
Nuk ka asgjë moderne te shqiptarët përveç armëve të tyre, të cilat janë të shkëlqyera sepse në këtë fushë ata janë njohës të vërtetë. Ceremonia vjetore e bekimit të pushkëve, në fisin e mirditorëve, është shumë mbresëlënëse. Një fis shqiptar drejtohet në mënyrë arbitrare nga një udhëheqës, i cili ka të drejtën të vendosë për jetën dhe vdekjen e anëtarëve të këtij fisi.
Frika është një ves i panjohur te shqiptarët sepse, që nga lindja, ata kanë jetuar në një atmosferë luftimi dhe përleshjet e tyre me fqinjët janë më të shpeshta se ndeshjet e futbollit në Angli.
Ushqimi i tyre është shumë i thjeshtë.
Ata janë shumë mikpritës.
Burrat, në përgjithësi, janë të mëdhenj, dhe sytë e tyre janë jashtëzakonisht të gjallë; gratë, me një karakter më të butë, kanë një shprehje të thellë ; durimi dhe butësia e nënës shqiptare për fëmijët e saj nuk mund të tejkalohet.
Ajo nuk keqtrajtohet, sepse personi i saj është i shenjtë për gjininë dominuese.
Shqiptari e shfryn zemërimin e tij mbi armikun dhe nëse harron e godet një grua, ai do të dëbohet nga fisi.
Për një fjalë përbuzëse apo një poshtërim disi të dhunshëm, ai duhet të japë llogari përpara pleqve, dhe nëse familja e gruas e merr vesh, kjo mund t’i kushtojë jetën.
Nëna shqiptare zbaton të njëjtin kujdes, me të cilin është rritur, për fëmijët e saj. Goditja e një fëmije konsiderohet një mëkat monstruoz, dhe mohimi i diçkaje, derisa ai të arrijë moshën e arsyes, nuk shihet me sy të mirë.
Ky trajtim njerëzor nuk duket se e llaston (përkëdhel) të riun shqiptar. Ai rrallëherë bërtet, dhe kërkesat e tij janë të thjeshta.
Beteja e tij e parë është dita e madhe që ai pret dhe për të cilën përgatitet sa më shpejt që të jetë i aftë të mbajë një pushkë.”