Mosbindja civile drejt Surrelit? Xhaferri: – S’do ketë më normalitet, nuk përjashtohet asnjë skenar, e di vetë turma
7 Tetor 2024
Kreu i FRPD-së Besart Xhaferri, i ftuar në një intervistë televizive, zbardhi detaje mbi protestën e thirrur sot nga PD, që ka bërë thirrje për mosbindje civile, deri në arritjen e qeverisë teknike.
I pyetur mbi mundësinë e një marshimi drejt Surrelit, Xhaferri tha: “Do vendoset në moment nga vet turma, s’ka skenarë të paracaktuar, por s’ka edhe skenarë të përjashtuar”.
Xhaferri tha ndër të tjera që nga sot s’do ketë më normalitet shoqëror dhe do shkohet drejt grevave dhe bojkotove.
“Njerëzit do mblidhen në orën 18:00 dhe të gjithë do protestojnë sipas mënyrës që ndjejnë për të protestuar, do jetë një marshim në rrugë, dhe presim një numër shumë të madh njerëzish, pasi na marrin në telefon dhe na thonë që mezi presim orën. Patjetër që është një protestë e Tiranës, por ne s’mund t’i përjashtojmë qytetarët që duan të vijnë nga rrethet. Sasinë kryesore të protestuesve e bëjnë qytetarët e Tiranës. Orari i pasdites i jep mundësinë çdo të riu që të vijë në protestë.
Të rinjtë janë pjesa thelbësore e çdo proteste, dhe besoj edhe në këtë ditë do na bashkohen me mijëra. Sot protestohet për të shkuar në një rrugë pa kthim drejt mosbindjes civile deri në arritjen e qeverisë teknike. Të bëhet në formatin e Maqedonisë së Veriut, tre muaj qeveri teknike, ku Rama të mos jetë absolutisht kryeministër. Një opozitë sot duhet të bëjë rezistencë, revoltë, që të rrezohet kjo narko-qeveri. Rezistencë me orë të tëra, rezistencë pa fund. Kjo është vetëm çelja e mosbindjes civile, nuk mbyllet sot. Le të marrë ditë muaj ne do t’ia arrijmë kësaj gjëje, s’do bëjmë asnjë pakt deri në mosbindje civile. Çdo protestë kombëtare shkon përtej PD-së. Është populli shqiptar përballë Ramës.
Nuk do ketë më normalitet shoqëror, do shkohet drejt grevave, bojkoteve, drejt bllokimve, të paralizimit të jetës ekonomike-sociale, që është një jetë e intubuar. Të gjitha forcat opozitare në opozitë janë të ftuara t’i bashkohen protestës në mosbindje civile. Kjo është një kërkesë e qytetarëve që s’duan më fjalime, duan marshim. Njerëzit duan t’i dalin ballë Edi Ramës.
Sot do jetë protestë e nivelit të Europës Perëndimore, Gjermanisë, Italisë, Spanjës.”
Gazeta Sot