Moska po konfirmon me lehtësi vdekjen e Prigozhin. – Por a është kjo një lojë me “matrushka” ruse?!
23 Gusht 2023
Teksa lajmi për vdekjen e Prigozhin konfirmohet me nota të sigurta nga Moska, hije dyshimi të forta për një triller me “matrushka” ruse kanë nisur të qarkullojnë. Po sikur Kremlini të shpallë vdekjen e kreut të Wagner për të turbulluar mendjet e Perëndimorëve dhe për të hapur front të ri lufte në qetësi? Po sikur të jetë një nga ato skenarët mjeshtërorë tip KGB-je? Dhe zotësia ruse në këtë “shpat” njihet mirë ndërkombëtarisht.
Por nëse lajmi është i vërtetë, atëherë sipas kryeministrit të Estonisë, Putin po realizon planin e eliminimit të kundërshtarëve të tij, si hakmarrje edhe për humbjen e luftës në Ukrainë. Gjithsesi ekziston edhe pista se Prigozhin është vrarë dhe Putin do kërkoj shkak për të fajësuar armiqtë e tij, për të ashpërsuar luftën me artileri edhe më të rënda.
Një avion privat në pronësi të shefit të mercenarëve rusë Yevgeny Prigozhin u njoftua se është rrëzuar me 10 persona në bord dhe ka shpërthyer në flakë. Sipas mediave brenda në avion ndodhej edhe Yevgeny Prigozhin, i cili ka vdekur. “Në aeroplanin që u rrëzua në rajonin Tver të Rusisë, Yevgeny Prigozhin ishte në listën e pasagjerëve”, kjo është raportuar nga Rosaviatsia, agjencia federale ruse e transportit ajror, sipas mediave ruse.
Edhe televizioni shtetëror Rossiya24 njoftoi vdekjen e kreu të Wagner, Prigozhin. Ndërkohë grupi Wagner, thotë se avioni i Prigozhin u rrëzua nga anti-ajrorët rusë. Sipas mediave thuhet se avioni është rrëzuar në rajonin Tver të Rusisë në veriperëndim të Moskës dhe është një Embraer Civil. Të gjithë personat në bord humbën jetën sipas shërbimit për shtyp të Ministrisë ruse të Emergjencave. Avioni ishte nisur nga Moska për në Shën Petersburg. Ai mbante 7 pasagjerë dhe tre anëtarë të ekuipazhit. Në aeroplanin që u rrëzua në Moskë ku mediat raportojnë se ka vdekur kreu i mercenarëve, po udhëtonte edhe krahu i djathtë i Wagner si dhe udhëheqësi ushtarak Dimitri Utkin.
Prigozhin, u dërgua në Bjellorusi pas marshimit të tij në Moskë. Ai e anuloi kryengritjen dhe mercenarët e tij u tërhoqën pasi udhëheqësi bjellorus Aleksandër Lukashenko ndihmoi ndërmjetësimin e një “marrëveshjeje”. Dikur një i besuar i ngushtë i Vladimir Putinit, Prigozhin kishte kritikuar shpesh ministrin e mbrojtjes Sergei Shoigu dhe gjeneralin e lartë Valery Gerasimov në fjalimet publike për formën si po e trajtonin pushtimin e Ukrainës.
Gazeta Dita