Moti bën kthesën e madhe për nesër

10 KORRIK 2021

Pas një jave me temperatura ekstreme të larta në vend rikthehet shiu. Ditën e nesërme mbi vendin tonë pritet të depërtojnë masa ajrore të paqëndrueshme dhe të lagështa me origjinë veriperëndimore.

Në këtë mënyrë moti fillimisht në orët e para të mëngjesit nis i kthjellët me vranësira të pakta kalimtare. Por, gradualisht duke nisur nga orët e mesditës deri ato të pasdites do të ketë shtim vranësirash mesatare deri të dendura në pjesën më të madhe të territorit.

Vranësirat do të shoqërohen me reshje shiu të herëpashershme me intensitet të ulët dhe mesatar në formën e shtrëngatave. Në relievet kodrinore-malore për shkak të kontrastit të fortë termik këto reshje do të jenë edhe në formën e stuhive dhe rrebesheve shoqëruar me shkarkesa elektrike dhe breshër. Gjithashtu nuk përjashtohet mundësia që në vendndodhje të caktuara për një periudhë të shkurtër kohore sasia e reshjeve të shiut të jetë e lartë.

Gjithashtu nga reshjet e shiut do të përfshihen edhe disa zona të vijës bregdetare (Velipojë, Shëngjin, Dhërmi – Llogara), ndërsa pjesa tjetër e vijës bregdetare pritet të ketë vranësira kalimtare ose dhe mundësia e reshjeve të shiut të dobëta në formën e pikave. Temperaturat pritet të pësojnë rënie në vlerat e mesditës.

Më konkretisht në:

Zonat malore 17°C deri në 30°C

Zonat e ulëta 17°C deri në 34°C

Zonat bregdetare 18°C deri në 32°C.

Gazeta Sot