Moti i keq, era e fortë shkakton probleme në qarkun e Lezhës, vështirësi në qarkullimin e automjeteve dhe fshatra pa energji elektrike
Moti i keq, era e fortë shkakton probleme në qarkun e Lezhës, vështirësi në qarkullimin e automjeteve dhe fshatra pa energji elektrike
15 tetor 2021
Prej 24 orësh, rajoni i Lezhës është përfshire nga moti i keq ku mbizotëron era e fortë, e cila ka shkaktuar edhe probleme në disa zona të qarkut.
16 fshatra të qytetit të Lezhë kanë mbetur pa energji elektrike si pasojë e motit të keq. Mësohet se era e fortë ka sjellë dhe dëmtim të linjave elektrike në fshatra dhe që prej mbrëmjes së kaluar, këto zona nuk kanë energji elektrike.
Grupet e OSHEE-së kanë shkuar në terren, por ende nuk është zgjidhur asgjë. Moti i keq ka sjellë probleme në qytetin e Lezhës gjithashtu. Mësohet se një pemë është rrëzuar pranë bllokut të banimit 11.2 hektarë në lagjen “Besëlidhja”. Pema ka rënë në rrugë dhe fatmirësisht nuk ka shkaktuar dëme, por qytetarët që kalojnë në atë zonë janë ndjerë të rrezikuar.
Korespondenti i Panorama sjell këto pamje që tregojnë tabela dhe sende të tjera të rrëzuara për shkak të erës së fortë.
Ndërkohë mësohet se në Rrugën e Kombit era ka rrëzuar tendat që shërbenin për shitësit ambulantë të zonës.
Kjo situatë ka vështiresuar dhe lëvizjen dhe qarkullimin e qytetarëve dhe automjeteve.