
Moti i keq/ Pas shiut të dendur dhe breshërit, gurët dhe dherat bllokojnë aksin Elbasan-Librazhd-Prrenjas
6 Prill 2025
Mesditën e kësaj të diele, qytetet dhe fshatrat e Qarkut të Elbasanit u përfshinë nga moti i keq i shoqëruar me reshje të dendura shiu.
Pjesë të shumta të rajonit të Elbasan duke përfshirë tëgjitha qytetet dhe fshatrat përjetuan një përkeqësim të kushteve atmosferike që solli vështirësi në lëvizjen e qytetarëve në aktivitetet e tyre përditshme sidomos nga ora 14:00-15:00 kur intensiteti i reshje ishte mjaft i dendur.
Në zonat e thella malore të bashkive Librazhd, Prrenjas, Gramsh por edhe Elbasan kanë filluar reshjet e dëborës por me trashësi të papërfillshme për momentin.
Temperaturat kanë pësuar një ulje të ndjeshme këtë fundjavë duke shtuar vështirësitë për ata që jetojnë në këto zona dhe duke krijuar një situatë të vështirë për lëvizjen normale në zonat rurale dhe duke u bërë pengesë në realizimin e aktiviteteve në natyrë.
Ndërkaq ka pasur rënie inertesh në disa segmente të rrugës kombëtare Elbasan-Librazhd-Prrenjas, veçanërisht në vendet e quajtura “Kthesat e Murrashit”, “Kthesat e Dragostunjës” dhe “Kthesat e Pishkashit”, ku nga lartësitë e kodrave kanë rënë gurë si edhe ka pasur rrëshqitje masivesh me dhera.