Moti i keq sjell përmbytje në disa qytete, del nga shtrati lumi Bistricë! Një pallat 6 katësh rrezikon të shembet në Gjirokastër
Moti i keq sjell përmbytje në disa qytete, del nga shtrati lumi Bistricë! Një pallat 6 katësh rrezikon të shembet në Gjirokastër
Reshjet e dendura të shiut kanë sjellë disa problematika në zona të ndryshme të vendit. Lumi Ishëm ka dalë nga shtrati duke përmbytur disa dhjetra hektarë tokë bujqësore.
7 Janar 2021
Reshjet e dendura të shiut kanë sjellë disa problematika në zona të ndryshme të vendit. Në Vlorë, rrugët e portit të qytetit bregdetar janë mbushur me ujë duke sjellë problematika të mëdha në qarkullimin e mjeteve. Sipas, ndërmarrjes së shërbimeve publike stacioni pompimit ka vijuar punën me intensitet të plotë. Ndërkohë situata është zgjidhur në terren duke përdorur kanalet e ujrave të zeza.
Situata prezantohet e qetë në lumin Vjosë, ku prurjet janë normale. Puna nuk është pezulluar në portin e Vlorës, në lundrim janë edhe peshkarexhat dhe anijet e vogla. Në një zonë tjetër të vendit, Lumi Ishëm ka dalë nga shtrati duke përmbytur disa dhjetra hektarë tokë bujqësore. Aktualisht nuk ka banesa që rrezikohen por ka disa banesa të rrethuara nga uji në pjesën fundore të fshatit Murqinë.
Niveli i lumit është ngritur ndjeshëm si pasojë e reshjeve pa ndalim të ditëve të fundit. Punonjësit e njësisë administrative në Bubq dhe vetë administrator Agron Karai janë në vend për të monitoruar situatën dhe për t’i paraprirë ndonjë shtimi të mundshëm të prurjeve të lumit Ishëm.
Në qarkun e Elbasanit dhe të Korçës gjatë mbrëmjes së djeshme ka pasur reshje shiu me intensitet të ulët dhe mesatar. Në zonën e Dardhës, Vithkuqit dhe të Voskopojës pa pasur reshje të pakta dëbore të cilat nuk kanë krijuar probleme ndërsa gjendja e rrugëve nacionale dhe atyre rurale është e mirë, teksa qarkullimi i automjeteve është normal. Si pasojë e motit të keq një pallat 6 katësh rrezikon të shembet në Gjirkastër.
Ndërkohë në aksin Elbasan – Qafë Thanë në Pishkash dhe tek Kthesa e Murrashit ka pasur rënie inertesh gjatë natës. Shirat kanë shkaktuar daljen nga shtrati të ujërave të lumit Bistricë, duke shkaktuar vështirësi në lëvizjen e makinëve në aksin nacional Sarandë – Gjirokastër.
Janë marrë masa nga firmat kontraktuese dhe është normalizuar situata. Gjithashtu edhe në aksin rrugor Gramsh-Moglicë në vendin e quajtur Bratile ka pasur rënie të inerteve të cilat me ndërhyrjen e firmës kontraktuese janë pastruar. Ndërkohë, Durrësi dhe Saranda nuk paraqesin probleme.
Gazeta Shqiptarja.Com