Motra Tone fsheh ankthet e artistëve. –
Motra Tone fsheh ankthet e artistëve. –
Artisti dhe studiuesi Romeo Kodra dha një leksion “Misteri i artit shqiptar mes rreshtave” në kuadër të ekspozitës performative në Tirana Art Lab. Ai mori shembullin e tablosë “Motrat tone”. “Integrimi, duke u nisur nga emërtimi i Qendrës së integrimit, etimologjikisht, ka të bëjë me paprekshmërinë.
Vepra e parë e artit laik shqiptar, siç e ka quajtur Gëzim Qëndro, Motra Tone e Kolë Idromenos, duket sikur parafrazon këtë etimologji dhe paralajmëron ankthet e artistëve të mëpasshëm shqiptarë, modernë e bashkëkohorë, dhe kontekstit të tyre.
Këto ankthe, që luhaten midis papërshtatshmërisë, sensit të inferioritetit, zhgënjimit të pritshmërive, tradhtisë apo thyerjes së ligjeve të Tjetrit / të Huajit, karakterizojnë apo shënjojnë jo vetëm subjektinartist, por edhe veprat e artit.
Në pak fjalë, kjo ndërhyrje përshkon dhe hulumton, në vijën e anktheve dhe lëkundjeve të tyre, nëpërmjet shembujve të artit, shkrimeve kritike dhe të dhënave historiografike, fuga për një histori dhe kritikë të artit shqiptar”, thotë ai. Romeo Kodra ka një Master në “Teori, Teknikat dhe Menaxhimi në Arte ” të Fakultetit të Shkencave Humane, Universiteti i Studimeve të Bergamos, Itali.
Në vitin 2016 ai ishte hulumtues i ftuar në “Institutin Kombëtar të Historsë së Artit” – Paris, Francë. Interesi i tij teorik përqendrohet në gjenerimin e kuptimeve, në hapësirat e sfiduara nga artet dhe politikat, në shoqëritë transitore dhe bashkëkohore. Interesi i tij zhvillohet përmes hulumtimeve mbi ngjarjet kuratore, teatrin, shkrimet mbi artet, arkitekturën dhe planifikimin urban. Ai u bashkua me ekipin e Art Lab-Qendër për Art Bashkëkohor në vitin 2014 si menaxher i projekteve.
gazeta-Shqip.com