Mozaikët antikë mbeten thurja e munguar e turizmit në Durrës
Mozaikët antikë mbeten thurja e munguar e turizmit në Durrës
11 Prill 2022
…“Mozaiku me Meandër”, i njohur si mozaiku me kryqe, në një pjesë të vitit është i mbuluar me ujë, kryesisht ai që vjen nga kanalizimet e amortizuara.
Nën themele pallatesh dhe bodrume të përmbytura me ujëra të zeza, arkeologët paralajmërojnë se mozaikët e Durrësit rrezikojnë të shkatërrohen pa parë dritën e diellit.
Durrësi ka një numër të madh mozaikësh, krijimi i të cilëve i përket periudhave të ndryshme të jetës së qytetit antik.
Ato janë zbuluar kryesisht në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar, ndërsa gjatë hapjes së themeleve të pallateve në 20 vitet e fundit janë gjetur edhe fragmente mozaikësh të tjerë.
Gjendja e tyre në disa raste është përkeqësuar për shkak të kushteve në themelet e banesave ku ato ruhen, duke i detyruar institucionet të vendosin për transferimin e tyre.
Agron Islami, i Institutit të Monumenteve të Kulturës tha për BIRN, se gjëndja e mozaikut me Meandër, në lagjen 11 të qytetit është rënduar për shkak të ujrave nëntokësorë, si dhe të kanalizimeve të pallateve pranë.
Sipas restauratorit me përvojë, kodet ndërkombëtare të arkeologjisë e lejojnë transferimin e këtij objekti vetëm për shkak të rrezikut të degradimit ekstrem, siç është edhe rasti mozaikut me Meandër, i cili u zbulua në vitin 2008 gjatë hapjes së themeleve të një pallati pranë rrugës “Aleksandër Goga”.
Këshilli Kombëtar I Restaurimit të Monumenteve ka vendosur lëvizjen e tij, ndërsa pritet edhe çelja e fondit përkatës.
Para se të mbërrijë mozaiku me Meandër, në Muzeun Arkeologjik të Durrësit është ekspozuar një nga tre pjesët e mozaikut që u zbulua gjatë ekspeditës në vendin ku ndodhej lulishtja “1 maji”.
Punonjësit e muzeut shprehen se dy pjesët e tjera të restauruara dhe të konservuara do të ekspozohen së shpejti.
Shumica e mozaikëve të Durrësit nuk mund të vizitohen nga vendasit apo të huajt e interesuar për historinë e qytetit.
Njëlloj si mozaiku me Meandër edhe ai me Rozetë, aktualisht ndodhen pas portave metalike me dryn, dhe hyrja në to është gati e pamundur.
“Mozaiku me Meandër”, i njohur si mozaiku me kryqe, në një pjesë të vitit është i mbuluar me ujë, kryesisht ai që vjen nga kanalizimet e amortizuara.
“Teserinat, copëzat e gurëve dekorativë me të cilat është ndërtuar mozaiku, mund të shkëputen përfundimisht nga shtresa mbajtëse,” paralajmërojë arkeologja Brikena Shkodra.
Ajo shton se dyert e mbyllura pengojnë edhe në rastin e mozaikut me Rozetë, si dhe në vendzbulimin e monumentit të Geas, në qendër të qytetit.
Sipas Brikena Shkodrës, duke nisur që nga shek. 4-3 para erës sonë, kur u krijua mozaiku i njohur si “Bukuroshja e Durrësit” deri në bazilikën e Arapajt, mozaikët janë dëshmi e historisë së qytetit në periudha të veçanta të tij.
Mozaikë të tjerë ndodhen të mbuluar pas zbulimit në kryqëzimet e lagjes 11, si dhe në afërsi të Pallatit të Sportit”, zbulime të arkeologut të shquar Vangjel Toçi.
Mozaik i shpëtuar nga ish-lulishtja ‘1 Maji’ pas ndërtimit të një pallati | Foto: G. Kabashi
“Qyteti mund të marrë emrin “Durrësi i mozaikëve”, tha regjisorja Driada Dervishi për BIRN, duke theksuar se një grup intelektualësh të pasionuar kanë tentuar disa herë të sjellin në veprimtaritë e tyre artistike edhe vlerën e madhe të mozaikëve të qytetit.
Sipas regjisores Dervishi “mozaikët duhet të jenë një ‘hashtag’ i rëndësishëm i turizmit në qytet dhe është e pafalshme, që vazhdojnë të mbeten krejtësisht në hije”.
“Me emrin “Verë në Epidamn” kemi rikrijuar në arenën e amfiteatrit antik skena nga jeta e qytetit në lashtësi, duke u mbështetur te veprat e autorëve antikë si “Binjakët” e Plautit,” shton Dervishi, ndërsa theksoi se projektet që nxisin afrimin e fëmijëve te monumentet arkeologjike si dhe në profesionin e mozaiçistëve, nuk kanë gjetur mbështetjen e organeve të pushtetit lokal”.
Sipas arkeologëve numri i mozaikëve që nuk janë zbuluar është më i madh se sa i atyre që e kanë parë dritën e diellit.
Në lagjen 9 të qytetit arkeologët zbuluan në vitin 1988 një tjetër mozaik, atë që njohet si mozaiku i Orfeut.
“Mozaiku ndodhet ndën kuzhinën e një banese të vogël, dhe meqë isha i ri dhe trupvogël unë jam zvarritur në hapësirën e ngushtë mes dyshemesë së shtëpisë dhe shtresës së mozaikut,” kujtoi Latif Zeqja, një nga punonjësit veteranë të Muzeut arkeologjik.
“Kam marrë pjesë edhe në disa zbulime mozaikësh të tjerë, por në rastin e Orfeut e di se ende nuk është hapur në sipërfaqen e plotë të tij,” shtoi ai.
Edhe ky është një mozaik që nuk mund të vizitohet ende, pasi nuk është gjetur financimi dhe marrëveshja për të kompensuar familjarët e banesës dhe për ta kthyer këtë sipërfaqe në një hapësirë të vizitueshme arkeologjike.
“Fatmirësisht, Mozaiku i Orfeut nuk rrezikohet nga ujrat nëntokësorë apo mbitokësorë,” thotë restauratori Agron Islami.
Ai kujton se lagështira i kanoset mozaikut vertikal me shumë vlera në kapelën e AmfiteatritMegjithë kujdesin e restauratorëve, të cilët kanë arritur të bllokojnë rënien e teserinave, lagështira që i vjen nga pas e rrezikon përsëri atë.
Restauratorët duke punuar në mozaikun vertikal tek kisha e Amfiteatrit të Durrësit
Duke iu kthyer kalimit të mozaikut me Meandër nga vendi i zbulimit drejt pavijoneve të Muzeut Arkeologjik, Islami kujton transferimin e mozaikut “Bukuroshja e Durrësit” nga vendi ku ishte zbuluar vetëm 200 metra prapa teatrit “Moisiu” drejt Tiranës.
Instalimi i një mozaiku me sipërfaqe të madhe si “Bukuroshja” ishte një sfidë e madhe e cila u kalua me sukses, edhe sepse restauratorët nuk pengoheshin nga kodet që ndalonin largimin e objekteve arkeologjike nga vendi i zbulimit.
“Mozaiku i Meandrit po transferohet për shkak të gjendjes së rëndë që është krijuar mes kolonave të pallatit, ku u gjet afro 15 vjet më parë,” thotë restauratori Agron Islamaj.
Regjisorja Driada Dervishi e quan lajm të mirë kalimin e mozaikut në Muze. Ajo shtoi se e mbështeste punën e dy restauratorëve durrsakë, të cilët rikrijuan kopjen e mozaikut të Hipokampit në pavijonin qendror të Muzeut Arkeologjik.
“Mrekulli të tilla nuk kanë vlerë nëse mbeten të paekspozuara,” tha ajo, ndërsa se këto monumente të trashëgimisë shpesh janë pas dyerve të mbyllura, nën rrezikun e faktorëve klimaterikë apo të ruajtura nën tokë, ku ato nuk mund ti përcjellin asnjë mesazh turistëve që vizitojnë qytetin.
“Mendoni se çfarë përmase turistike mund të marrë Durrësi nëse shumë prej fasadave të tij do të ktheheshin në mozaikë gjigandë me motivet e jetës së qytetit në shekuj,” përfundoi ajo.
Gazeta Panorama