Mrekullia e teqesë së Baba Aliut, në majën e kodrës së Alipostivanit. –
Nga Gerta Zaimaj
Gjithmonë dera e saj është e hapur, çdo ditë ky vend pret me dhjetëra njerëz, qofshin besimtarë ose jo. Ajo ngrihet majë një kodrine dhe duket sikur vetë Zoti e ka pikturuar pozicionimin e saj aty.
Nëse gjatë ditës bëhesh kurioz, sepse në largësi nuk arrin dot ta kuptosh çfarë mund të jenë ato ndërtesa aq të bukura në formë kupole, maj kodrine dhe rrethuar nga male, në mbrëmje nga ndriçimi duket si një qytet më vete. Është Teqeja e Baba Aliut në fshatin Alipostivan të Përmetit. Një mrekulli e vërtetë!
Rruga që të çon në të është problematike, dhe jo e asfaltuar, kjo tregon që duhet të kalosh pak vështirësi për të marrë kënaqësinë dhe qetësinë që të fal ky vend, ato gjërat që arrihen me vështirësi kanë vërtet vlerë dhe duhen më shumë. Rruga malore nga e cila Teqeja nuk duket aspak, e shton edhe më tepër kureshtjen e çdo njeriu dhe nuk të bën që të stepesh, përkundrazi kush e merr atë rrugë e çon deri në fund. Dhe sapo hyn në fshatin e vogël pamje fantastike të mbulon hapësirën që shfaqet përpara.
Një portë e madhe të pret para se të hysh në Teqe. Është ndërtuar me qemer të lartë, me gurë të bukur të disa llojeve, është projektuar aq madhështore saqë kalimin në anën tjetër te saj mezi e pret. “Teqeja e Baba Aliut Alipostivan -1857”, është mbishkrimi mbi portën hyrës, i cili tregon kur është ndërtuar kjo Teqe për herë të parë nga Baba Aliu, në nder të të cilit ky vend mban emrin.
Ringritja e Teqesë
Gjatë diktaturës ky vend u shkatërrua totalisht nga regjimi, e çdo gjë u sheshua me tokën. U desh një punë e madhe dhe gjithçka të niste nga fillim. Por ai që e ka ngritur edhe më lartë prestigjin dhe emrin e këtij vendi është kleriku që e drejton, Baba Hekuran Nikollari. Një punë e jashtëzakonshme e bërë vetëm si rezultat i korrektësisë dhe menaxhimit më të mirë të mundshëm të të ardhurave nga besimtarët. Kjo Teqe është bërë nga kontributet e besimtarëve kryesisht bektashian, por edhe të tjerë. Menaxhimi i mire dhe efiçent i përdorur nga Baba Hekuran Nikollari, që do ta kishin zili edhe shumë institucione dhe administrata të çdo niveli, e ka sjellë këtë vend në formën që është sot. Asnjë abuzim dhe asgjë e çuar dëm, vetëm punë, përkujdesje dhe korrektësi është adoptuar aty.
Baba Hekuran Nikollari i rreth të ‘50-tave njihet dhe respektohet me përulje në të gjithë zonën e jugut të Shqipërisë është klerik i rrallë, zemërgjerë, i ndershëm shumë i drejtpërdrejtë dhe ajo që është më e rëndësishmja është se t’i mbush momentet kur je aty me pozitivitet dhe mirësi e po ashtu këshilla të vlefshme të jep më vete. Shpirti i tij i madh shihet që nga mënyra se si i pret njerëzit e i ndihmon ata, e ka derën hapur për të gjithë, vetëm mirësi dhe bekime uron për jetën e secilit. Falë tij kjo Teqe tanimë nuk është vetëm një qendër fetare për bektashinjtë, por një institucion i vërtet me shumë vlera.
Ajo është një qendër turistike për vizitorë nga Shqipëria dhe bota. Pritje të ngrohta Babai i rezervon si për politikanë, zyrtarë të lart ashtu edhe për njerëz të thjeshtë edhe të varfër.
“Zoti, do t’ju ndihmojë, për shëndet të mirë të gjithë ju familjarisht”, nuk rresht së ja uruar të gjithëve.
Teqeja pasuri kombëtare
Kjo Teqe është një pasuri kombëtare. Aty prehen klerikë të mëdhenj që kanë punuar dhe e kanë ndihmuar popullin në ditë të vështira, prandaj dhe populli i ka dashur. Ndërtesat e Teqesë janë të bardha dhe konturet me jeshile, kupolat e tyre ndrijnë si dielli. Është me të vërtet një projekt i menduar më së miri çka e bën të shtrihet në të gjithë pllajën e kodrinës e gjithë natyra përreth e gjelbëruar dhe e mirëmbajtur.
Pastërtia është ajo që dallon aty kudo.
Teqeja me Tyrbet dhe me ambiente e tjera janë lidhur me rrugë e shkallë prej betoni. Në të dy krahët e Teqesë janë bërë tarraca të cilat janë mbjellë me peme frutore, por edhe me perimet gjatë verës, e që të gjitha këto konsumohen nga besimtarët që e frekuentojnë dhe punëtorët që kujdesen për këtë vend. Ato nuk tregtohen.
Në Teqe Babai ka edhe disa punëtorë që kujdesen për gjithçka dhe që ju shërbejnë edhe njerëzve.
Të flasësh me detaje për këtë projekt madhështor nuk do të mjaftonin as me dhjetëra paragrafë, por ajo që duhet vënë në dukje është se ky objekt përveçse ka vlera shpirtërore për besimtarët, nga të tjerët, turistë të huaj shihet si një objekt me vlera të rralla kulturore.
Aty është me të vërtet çdo gjë në vendin e vet, perfekte, e rrallë të të zënë sytë rregull të tillë… Një qytezë shembullore.
Veçuar nga ambientet e Teqesë, pak më tutje është duke u ndërtuar edhe një hotel çka do të lehtësoj edhe me tepër akomodimin e njerëzve që vizitojnë Teqenë e Baba Aliut.
Ky vend është shembulli më i mirë për t’u marrë nga të gjithë ne dhe nga të gjitha institucionet, për mënyrën si të mirëpret, për mënyrën si punohet, për mënyrën si komunikohet e për mënyrën si drejtohet e menaxhohet, për mënyrën se si e organizon komunitetin e vet.
Faleminderit Baba Hekurani për këtë model që i jep shoqërisë. Ky ansambël i vërtetë i Teqesë jo vetëm duhet promovuar, por në asnjë mënyrë nuk duhet humbur pa u vizituar, sepse nga aty kemi të gjithë se çfarë të mësojmë.