Muaji i mjaltit mes Qeverisë dhe “dëgjuesve” të saj ka marrë fund. –
Muaji i mjaltit mes Qeverisë dhe “dëgjuesve” të saj ka marrë fund. –
20 dhjetor 2018.
Nga Bedri Islami
Që të lëvizë treni i ndryshimeve Edi Rama duhet fillimisht të ndërrojë vagonët
Ose vagonët do e ndërrojnë atë.
Në të dy rastet asgjë nuk do të ishte fatale.
Nëse ai do të ndërrojë vagonët e qeverisjes, shumë gjëra mund të ndryshojnë. Dhe nuk e kam fjalën thjeshtë për ekipin qeveritar. Duhet ndërruar mendësia e qeverisjes.
Ndoshta ky ishte mësimi i madh nga protesta studentore.
Edhe sikur protesta studentore të shuhet nesër, gjë që me siguri nuk do të ndodhë dhe nuk ka përse të ndodhë, ajo, veç të tjerave, ka hapur edhe një zgafellë të madhe të shoqërisë shqiptare: ka nxjerrë në sipërfaqe mjerimin e një klase politike dhe strukturave të sistemit, të cilat, pas kësaj proteste, ose duhen shembur, ose duhet të perceptojmë veten të nënshtruar përfundimisht ndaj tyre.
E filluar si një lëvizje spontane dhe e destinuar për Universitetin, për hallet dhe pengesat, mungesën e madhe dhe ndërtimin e një strukture ndryshe të botës arsimore, ajo nxori njëherësh edhe shumë probleme të tjera, më të mëdha nga sa ishin menduar dhe shumë më të vështira për t’u përballuar nga qeveria Rama.
Befas fasada ra. Nën ciflat e rënies së saj u gjendën pushtetarë dhe institucione. Duke menduar se protesta nuk kishte të bënte me to, fillimisht duke e parë atë jashtë dhe larg vetes, muri që menduan se kishin ngritur u rrëzua aq shpejt, më shpejt nga sa ishte ngritur dhe kështu ndodh gjithnjë me ngrehinat e bartura mbi ujët e fjalëve dhe mbi keqkuptimin e ideve.
Tani, pas kësaj proteste , dolën të hapura edhe gjëra të tjera, më të mëdha se sa dëshira për një përgjysmim tarifash dhe argasje diplomash; sistemi ynë arsimor, duke e zbuluar veten, zbuloi edhe shumë nga sistemet e tjerë dhe është frikë të gërmosh më tej, sepse askush nuk e di se sa hone të tjera mund të dalin.
Protesta i dha gjithsecilit të drejtën, që nuk ishte mohuar, por ishte harruar, për të vënë shtetin përballë të vërtetës; për të kaluar nga bashkëbisedimet gju më gju të qeveritarëve, nga ajo farsa e llogaridhënies që aplikonte, në përballjen e vërtetë, nganjëherë të tepruar, por gjithsesi më të vyer dhe më të pritshme se sa lojrat publicistike, të cilat përdallonin një lider që korrte frytet e fitores së tij.
Perdja, po ashtu, ra. Ishte e ditur se pas perdes shumë gjëra nuk ishin si dukeshin para saj, por duhej një lëvizje për të hedhur poshtë shumë gjëra që diheshin e nuk thuheshin. Jo nga droja, por nga mendësia e vakët se punët e shtetit janë të tij, se puna ime nuk është e tjetër kujt, se gjërat zgjidhen përmes nëndorës dhe jo në sipërfaqe.
Qeveria u ndesh me të vërtetën. E vërteta ishte më e thjeshtë nga sa mendohej. Njerëzit po e humbisnin shpresën ndaj qeverisjes, por edhe ndaj strukturave të saj. Lëvizja studentore , duke nxjerrë hallin e saj, njëkohësisht përballi edhe skutat ku ishte fshehur rënia e një mendimi apo e një vizioni që kishte qenë përcaktues disa vite m parë. Mund të kishin duruar sallat e ftohta, pagesat e larta, cinizmin e pushtetit, por nuk do të mund të duronin nënshtrimin. Nëse tani janë rebeluar nuk janë ata shkaku, ata jan fillesa e një rishikimi që duhet bërë domosdo në të gjithë hallkat e shtetit, i cili nuk mbahet as me ministra të korruptuar dhe harbutë; as me sjelljet e shefit të qeverisë si nga një minare e lartë, ku “reciton” në një gjuhë të pakuptuar, as nga sejenët që shkojnë pas dhe as nga harbutëria e pushtetit në shumë hallka.
Do të më vinte zor të krahasoja qeverisjen e tashme me atë që shkoi. Ashtu si nuk di se si mund të ishte një rikthim në pushtet i të njëjtave figurave politike, të cilët kanë pjesën e tyre të madhe në shembjen e sistemit të vlerave dhe afirmimin e ANTIVLERËS SI VLERË. Por, vazhdoj të mendoj se, secila qeveri duhet të matet në punën e saj me atë ë ka bërë në dobi të njerëzve qëe kanë besuar apo jo dhe, nuk mund të matet me të shkuarën e dëmshme të pararendësve të tyre.
Pas pesë vitesh pushtet koha ka ardhur për të ndjekur dy rrugë: ose ndryshime drastike, të fuqishme, pa dhimbje dhe të domosdoshme, ose ndërrimin pa dhimbje të ekipit drejtues qeveritar. Përse e mendoj këtë:
“Muaji i mjaltit” , mes qeverisë dhe “dëgjuesve” të saj në sallat e bashkëqeverisjes, mori fund. Ishte një farsë që po bëhej reminishencë e së shkuarës. Tani është koha e përballjes reale.
Kush mund ta merrte me mend se një rektor universiteti merr njëkohësisht 11 paga mujore dhe se të ardhurat e tij anë më të larta se sa të ardhurat e rektorit të Universitetit të Berlinit? Kush mund ta mendonte se vetura zyrtare e një rektori kushton 74 mijë euro dhe, ndoshta, është më e shtrenjta se e të gjithë rektorëve të universiteteve publike në vendet evropiane? Kush mund të krahasojë sot rektorin e tashëm të Universitetit me themeluesin e tij, Kahreman Yllin? Një herë e një kohë në auditoret e universiteteve futeshin zotët dinjitozë të shkencës shqiptare e tani ndërsejnë “doktorë” e “ profesorë” pa numër, të cilët, zhvatin edhe nga studentët përfitimet e tyre? Si ndodh që një rektor apo ish rektor jeton si një sheik,pikërisht nga “padija” e qeverisë, e cila, megjithëse miraton ligjin për Arsimin e Lartë, nuk nxjerr aktet ligjore e nënligjore sipas traditës më të mirë të universiteteve të njohura. Autonomia nuk është për të vjedhë e pasuruar, por nuk është as jashtë syrit dhe kontrollit qeveritar.
Kështu është shthurur sistemi i vlerave dhe kanë marrë nxitje antivlerat.
Bota arsimore është në fakt fillimi i njohjes së aisbergut të së keqes.
Në të tre tenderat e Unazës së Madhe kemi një korrupsion krejt naiv, të hapur, pa asnjë dorashkë dhe pa asnjë mbulesë. Është kaq i hapur sa që është e qartë se nuk kanë pasur asnjë lloj droje se mund të ndodhë diçka. Ia kanë hipur sistemit, duke shpërblyer antivlerat.
Nuk e di dhe nuk e besoj se ka një njeri në këtë vend i cili mund të besojë thënien e ministrit Gjiknuri se “ falsifikimi është bërë jashtë Shqipërisë” dhe se ai e njerëzit e tij nuk kanë pasur pjesën e tyre të luanit në këtë akt mbyllë sysh. Sepse, dy rrugë gjenden, ose je palë, ose je i paditur. Nëse je palë, duhet të dënohesh m shumë se ata dhe mendja e ftohtë të thotë se ke qenë palë; nëse je i paditur, atëherë, shko në punën tënde, sepse nuk po luan me paratë tuaja dhe as me mendtë e gurusë, por me paratë e popullit, me taksat e tij, pikërisht të atij që në zgjedhje e quan “sovrani”, por që, pas zgjedhjeve, ia fut sa krahu.
Përse ndodh kjo?
Sepse antivlera është bërë vlerë. Sepse të vjedhësh je më i zgjuar se ai që nuk vjedh. Sepse të jesh i ditur je më i paaftë se ai që është i ditur. Të jesh vërtet shkencëtar dhe të kesh një mal me botime nuk je asgjë para atij që ka botuar vetëm një broshurë, por që është besnik i qeverisë. T jesh anonim në shkencë është gjja më normale e ditëve të sotme. Të jesh i njohur, je i papunë, i dërmuar dhe, në fund, i leçitur.
Këto nuk janë gjëra që ndreqen vetvetiu. Këto janë çështje të sistemit, të vlerës së tij. Njëri ndër shkencëtarët më të shquar të kohës sonë, Moikom Zeqo, pasi u pushua nga puna në qeverinë Berisha, nuk gjeti vend as në qeverinë Rama, megjithëse ishte nga themeluesit e PS-së, deputet i saj, filozof dhe mendimtar i klasit të parë. Nuk gjeti vend në asnjë bord, në asnjë këshill, në asnjë organizëm. Gjithnjë kam menduar se shkaku i vetëm ishte ndershmëria dhe dituria e tij. Tepër i ndershëm për t’u blerë dhe tepër i ditur për të miratuar shabllonet e pështira qeveritare. Tani jam i bindur edhe më tej se kaq: të diturit e pavarur nuk pranohen nga strukturat e padijes.
Protesta studentore hapi kutinë e Pandorës në Shqipëri. Solli domosdoshmërinë e tjerrjes së të keqes dhe ngritjen e një mendimi ndryshe, në të gjitha strukturat e jetës së një vendi.
Strukturat aktuale partiake, për herë të parë, u gjendën jashtë rrethit dhe, me gjithë përpjekjet e pështira për të qenë pjesë, rishtas nuk pranohen. Nëse qeveritarët priten me fishkëllima, ata , të opozitës, nuk priten fare. Shkaku i vetëm qëndron në të vërtetën se ishin pjesë e deri djeshme dhe , në një ditë të nesërme pushtetore, nuk mund të bëjnë më shumë se dje.
Studentët hoqën lëvozhgën e së keqes dhe nxorën në dritë të keqen që duhet njohur së pari dhe duhet ndrequr, së dyti. Ata, studentët, mund të bëjnë edhe gjëra fëmijërore, mund të bllokojnë për disa orë edhe rrugët, mund të na zemërojnë me disa qëndrime apo ngërçe të sajuara, por ata, në fakt bënë atë që të tjerët , edhe kur e mendonin, e harronin shumë shpejt. Nuk e sajuan të keqen, si ndodh shpesh me opozitën; nuk e ngritën atë mbi një fakt të rremë, si ndodh me politikën e ditës; nuk e shumuan, por e saktësuan.
Tarifat studentore mund të ulen dhe do të ulen, ritmi i jetës studentore do të ketë përsëri ritmin e tij, me të njëjtat, disa të ekselencës, disa të matur, disa shamatorë, ngelës dhe merakli lokalesh – të gjitha do të jenë përsëri, por ata na dhanë shansin e madh për të shkundur këtë shoqëri që kishte zënë myk tempujsh të qeverisë.
Nëse ajo do të ndalet deri këtu, çka po synohet me çdo kusht nga gjithë forcat politike, atëherë do të jetë një fitore si e Pirros, që pas vetes do të ketë humbje të tjera.
Ajo sapo ka filluar të lëvizë trenin e ndryshimeve dhe për të bërë këtë, duhet fillimisht të ndërrojë vagonët.
Ndryshe do të mbet në stacionin e parë, në stacionin e bjerrjes s shpresës dhe të makthit të dështimit.
Gazeta Dita.