Mujë Buçpapaj -15-vjet me gazetën Kombëtare, Letrare dhe Kulturore “Nacional”.
28 Dhjetor 23023
Botuesi dhe themeluesi i gazetës “Nacional”, Mujë Buçpapaj, ka përcjellë një mesazh në 15-vjetorin e daljes në treg të gazetës “Nacional”.
Buçpapaj në komentin e tij thotë se, ndërsa gazetat ndjekin të njëjtën rrugë të lajmit për te lexuesit si këtu e 200 vjet më parë, sfida dhe kërcënime të reja dhe të paparashikuara ia kanë bërë edhe më të vështirë këtë komunikim shtypit të shkruar, pra edhe gazetës “Nacional” me lexuesit klasikë.
Konkurrentëve tradicionalë si televizioni dhe radioja, këto vitet e fundit iu shtuan edhe interneti dhe trasmetimet “online”, duke e spostuar shtypin e shkruar si burim kryesor të lajmit, do të thotë edhe si burim kryesor të reklamave, pra edhe të të ardhurave.
Buçpapaj ka ngritur shqetësimin për mbylljen e gazetave dhe rënien në mënyrë katastrofike të lexuesve, gjë që sipas botuesit nuk ka ndodhur në 400 vjet.
Më tej, themeluesi i gazetës “Nacional”, thotë se është dyfishuar çmimi i letrës, shtypjes dhe transportit krahasuar me 15 vjet më parë.
Ndërkohë që çmimi i gazetës ka mbetur i njëjtë, fitimet janë reduktuar në minimum.
Në Shqipëri, thekson Buçpapaj, ka mbi dhjetë vjet që flitet për hartimin e një projektligji për sponsorizmin e artit dhe sportit, por ka mbetur vetëm një premtim i kësaj qeverie. Tani nuk flitet më as në parlament dhe as në media.
Shkrimi i Mujo Buçpapajt
Nga Dr. Mujë Buçpapaj,
Botues dhe themelues i gazetës “Nacional”
Në një kohë të papërshtatshme për shtypin e shkruar, gazeta letrare dhe kulturore “Nacional” ja ka dalë prej 15 vjetësh të qendrojë në tregun shqiptar dhe rajonal falë një politike editoriale të qartë dhe gjithëpërfshirëse, si dhe idealizmit të stafit të saj dhe mbështetjes së mijëra lexuesve tanë besnikë.
Duke vijuar në kohë moderne, një traditë të shtypit kombëtar të kulturës, letërsia shqiptare, kultura dhe çështja shqiptare kanë qënë për redaksinë qendrore në Tiranë dhe ato rajonale, jo vetëm obligim, por edhe frymëzim në punën tonë si profesionistë të fushës.
Ndërsa gazetat ndjekin të njëjtën rrugë të lajmit për tek lexuesit si këtu e 200 vjet më parë, sfida dhe kërcënime të reja dhe të paparashikuara ja kanë bërë edhe më të vështirë këtë komunikim shtypit të shkruar, pra edhe gazetës Nacional me lexuesit klasikë.
Konkurentëve tradicionalë si televizioni dhe radioja, këto vitet e fundit ju shtuan edhe interneti dhe trasmetimet online, duke e spostuar shtypin e shkruar si burim kryesor të lajmit, do të thotë edhe si burim kryesor të reklamave, pra edhe të të ardhurave.
E themeluar 15 vjet më parë nga një grup shkrimtarësh, artistësh, studiuesish, përkthyesish dhe albanologësh të shquar në vend dhe jashtë tij, gazeta javore “Nacional”, ka hyrë me modesti në historinë e shtypit shqiptar në përgjithësi dhe atë kulturor në veçanti, me individualitetin e saj, me shpresat dhe ndijimet e saj për kombin tonë, për trashëgiminë kulturore dhe të ardhmen.
E mbajtur nga një numër gazetarësh idealistë që mendojnë se çeshtja kombëtare është së pari edhe një çështje kulturore, Nacional ka mundur të thotë fjalën e saj për çdo problem të shqiptarëve në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, në Luginën e Presheves, në Greqi etj, duke patur një vision të qartë.
“Nacional”, ka sherbyer si një kanal komunikimi me emigracionin e shumtë shqiptar në botë, duke qënë ndoshta e vetmja media në Tiranë që tregon këtë kujdes.
Kemi përkrahur talentet e reja në letërsi dhe arte si dhe nxitur ata t’i përkushtohen letërsisë, kritikës, studimeve dhe përkthimeve.
Kemi sjellë në çdo numër letërsinë më të mirë rajonale dhe ndërkombëtare, duke shndërruar kështu Nacionalin në një pikë takimi dhe shkembimi kulturor, të hapur dhe me interes kombëtar.
Kemi polimizuar, kemi denoncuar dhe reaguar ndaj çdo deformimi që ka pësuar klasa politike shqiptare dhe bashkë me të edhe demokracia, pasi shkrimtarët dhe artistët shqiptarë nuk jetojnë vetëm brenda metaforave të tyre, por janë pjesëtarë të këtij kombi, të kësaj shoqërie.
I kemi thënë me emër ata që kanë anashkaluar interesin kombëtar shqiptar, që e kanë bërë këtë vend të pabanueshëm për shumicën e shqiptarëve që kanë ikur jashtë dhe kështu do të vijojmë edhe në të ardhmen, me besimin se instalimi i një demokracie të tipit perëndimor dhe bashkimi kombëtar janë të vetmet rrugë që do ta shkëpusin këtë komb nga varfëria, pasiguria, korrpsioni i përhapur, staniacioni ekonomik etj, që nxisin shpërngulljen masive të të rinjve dhe profesionistëve shqiptarë.
Gazeta “Nacional” kontribuon me modesti në këtë mision kombëtar, duke bashkuar rreth vetës elitat kulturore dhe letrare që i besojnë kësaj ëndrre, pavarësisht vështirësive financiare që kalojmë, pavaresisht qe siç thotë shkrimtari ynë i shquar Ismail Kadare, jo shqiptarizmi por antishqiptarizmi është bërë një profesion fitimprurës. Në Shqipëri po qe patriot duhet të vdesësh për bukë, pa punë, pa të ardhme, ose duhet të ikësh nga vendi.
Gazeta Nacional si i gjithë shtypi shqiptar në Shqiëpri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi etj, kalon vështirësi të panumërta financiare. Në Kosovë kjo situatë duket edhe ma e rëndë, pasi prej vitit 2020 gazetat e printuara janë vetëmbyllur. Po kështu edhe shtypi i shkruar në botë ka pësuar një kolaps të vertëtë.
Sipas një studimi të vitit 2022 botuar nga Northwestern University , vetëm në Shtetet e Bashkuara kanë falimetuar mesatarisht dy gazeta në javë për periudhën nga fundi i 2019-ës dhe maji 2022. Nëse trendi vazhdon, një e treta e gazetave do të falimentojë deri në vitin 2025.
Nga viti 2005 deri në vitin 2021, rreth 2200 gazeta të shtypura lokale amerikane u mbyllën. Nga viti 2008 deri në vitin 2020, numri i gazetarëve të gazetave amerikane ra në më shumë se gjysmën.
Në Shqipëri, gjatë këtyre 15 viteve që është në treg gazeta “Nacional”, kanë janë mbyllur rreth 12 gazeta të përditshme dhe dhjetra gazeta lokale, për fat të keq edhe disa gazeta dhe revista kulturore.
Numri i lexuesve ka rënë në mënyrë katastrofike, gjë nuk kishte ndodhur prej më shumë se këtu e 400 vjet më parë, ashtu siç e kanë thelluar këtë distancë me lexuesit e gazetave edhe zhvillimet teknologjike që nga shpikaje telegrafit, radioja , buletinet e lajmeve në kinema, televizioni dhe tani intenerti.
Ashtu si të gjitha gazetat në botë, jemi përpjekur ta zgjerojmë redaksinë online, duke komunikuar me një numër të pakufizuar të lexesve të “Nacionalit” në botë, ndërkohë që një numër lexuesish të “Nacionalit në Ballkan, duan akoma që të lexojnë krijimtarinë tyre në variantin e printuar, pra në letër, duke I qendruar besnik kulturës së tyre të leximit.
Në këtë 15 vjetor, dua të falenderoj të gjithë bashkëpunëtorët e gazetës “Nacional” në Shqipëri dhe rajon, mbi 50 gazetarë, shkrimtarë, përkthyes, studiues të shquar dhe albanologë në rajon dhe në botë, artistë, shkenctarë etj, të cilët kanë bashkëpunuar me “Nacionalin” falas, me idealizëm dhe atdhetari, me dashuri ndaj fjalës shqipe, gjuhës së saj dhe letërsisë.
Por në konstrast me idealizmin tonë, gjendet një treg i deformuar i shtypit të printuar.
Sot çimi i letrës, shtypjes dhe transportit është dyfishuar krahasuar me 15 vjet më parë, sidomos pas luftës së padrejtë të Rusisë në Ukrainë kur këto çmime njohën rritje të tmerrshme. Ndërkohë që çmimin e gazetës jemi detyruar ta mbajmë po atë të fillimit, kostojo përfundimtare e gazetës nga redaksia deri tek kioska e shitjes është rritur dyfish, ndërsa fitimet janë reduktuar në minimum.
Në këtë përvjetor, dua t’i falenderoj ato pak biznese që kanë bërë reklama, sido në vlera modeste, por me dashmirësi dhe patriotizëm.
Dua të falenderoj qindra dhe mijëra autorë që bashkëpunuam me “Nacionalin” gjatë këtyre viteve.
Dua t’u shpreh mirënjohjen time edhe punëtorëve të shtypit, të transporit të shpërndarjes, qindra gazetashitësve që sigurojnë bukën nga gazeta “Nacional” dhe gazetat e tjera, pavarësisht veshtirësive të gazetës tonë dhe gazetave të tjera.
Qeveria, agjencitë e saj nuk mund të heqin dorë nga shtypi i kulturës, pasi do të ishte njësoj sikur të heqësh dorë nga shpirti i kombit, sidomos tani që agresioni kundër kulturës shqiptare dhe çështjes kombëtare shqiptare sponsorizohet rëndë nga qendra ndërkombëtare antishqiptare lindore. Shëmbujt e këtij shqetësimi në botë janë të qarta.
“ Përkeqësimi në tregun e gazetave të Shteteve të Bashkuara bëri që senatori Ben Cardin të prezantonte një projekt-ligj në mars të vitit 2019 që lejonte kompanitë e gazetave të ristrukturoheshin si korporata jofitimprurëse me një sërë lehtësimesh tatimore.
Akti i Rivitalizimit të Gazetave do t’i lejonte gazetat të operonin si organizata jofitimprurëse.
Nëse nuk gjendet një mbështetje shtetërore, edhe në Shqipëri, gazetat do të mbyllen, si në rastin e Kosovës dhe do të na marrë malli për to si për gjyshet tana, ndjesë paçin.
Në Shqipëri ka mbi dhjetë vjet që flitet për hartimin e një projektligji për sponsorizmin e artit dhe sportit, por ka mbetur vetëm një premtim i kësaj qeverie. Biles tani nuk flitet më as në parlament dhe as në media, sido që pati filluar me aq bujë nga njerëzit afër qeverisë.
Është e qartë se pa kaluar ky ligj, i cili e bën të mundur partneritetin biznes-art, mbijetësa e kulturës, shtypit të saj dhe në përgjithësi të asaj që quhet industri krijuese kombëtare, nuk ka të ardhme, pasi në kushtet kur një sponsorizim nuk njihet nga tatimet natyrisht që nuk nxit bizneset të sponsorizojnë artin dhe shtypin e tij.
Në fund të këtij shënimi, dua t’u falenderoj ju lexues të dashur dhe besnikë të Nacionalit në të gjitha hapsirat shqiptare dhe kudo ku jetoni në botë, duke ju sigurar se dyert e “Nacionalit” do të jenë të hapura për ju me korrektesë dhe dashamirësi, sot dhe sigurisht edhe në të ardhmen.