Murati: – Alarm i kuq, Athina po kërkon vetëvendosje për “Vorio Epirin”. –
Murati: – Alarm i kuq, Athina po kërkon vetëvendosje për “Vorio Epirin”. –
2 korrik 2019
Alarm i kuq: Athina kërkon vetëvendosje për “Vorio Epirin” – shkruan Shaban Murati në rubrikën e tij të përjavshme në DITA mbi çështjet e rajonit.
Në një shkrim i cili mund të lexohet nesër i plotë në gazetë, Murati merr në analizë një deklaratë së fundmi të ministrit të jashtëm të Greqisë.
“Kur politika shqiptare e ka kthyer Shqipërinë në një shtëpi, që i ka rënë zjarri, fqinjët tanë jo vetëm po ngrohen tek ky zjarr, por po presin që t’i bien muret dhe t’i prishen kufijtë shtëpisë së Shqipërisë dhe ata të përfitojnë të marrin përsëri ndonjë copë si në 1913. Kjo është strategjia e re greke në krizën tonë të re. Publikisht doli ministri i jashtëm i Greqisë, Giorgos Katrougalos, në 24 qershor dhe kërkoi “vetëvendosje” për minoritetin grek në Shqipëri, që praktikisht është jetësimi i projektit famëkeq të “Vorio Epirit” – shkruan Murati ndër të tjera dhe shton:
“Në faqen zyrtare të MPJ të Greqisë lexoni deklaratën e tij në 24 qershor: “Përsa i takon mbrojtjes së të drejtave të minoritetit kombëtar grek në Shqipëri është hera e parë që në vendimin e Këshillit të Çeshtjeve Europiane (të BE) është vendosur njëlidhje e qartë midis perspektivës europiane të Shqipërisëdhe respektit për të drejtën e vetëvendosjes,(self-determination), për minoritetin”.
“Ministri i jashtëm i Greqisë jo vetëm që e shpall vetëvendosjen e minoritetit grek si kusht të votës greke për Shqipërinë në BE, por edhe e paraqet sikur ky kusht i ri për herë të parë në histori është bërë vendim i mbledhjes së ministrave të jashtëm të Bashkimit Europian më 18 qershor. Natyrisht do të ishte tronditëse, nëse BE do të bënte një hap të tillë të paimagjinueshëm. Por kjo nuk është aspak e vërtetë. Kemi të bëjmë me një spekullim diplomatik, politik, juridik dhe linguistik të ministrit të jashtëm grek, që tenton ta servirë me etiketë europiane strategjinë e re të Greqisë për t’i imponuar Shqipërisë vetëvendosjen e minoritetit grek, pra vënien në jetë të “Protokollit” të vdekur të Korfuzit të vitit 1914.
Së pari, për të sqaruar lexuesin dhe për t’i dalë përpara konfuzionit, që mund të duan të krijojnë idiotët e dobishëm tëGreqisë në Tiranë, po sjellim përkufizimin e termit “self-determination”, sipas Fjalorit të avancuar të anglishtes të Oksfordit, botimi i pestë, 1995, fq.1066: “self-determination është e drejta e një kombi, vendi, etj.për të vendosur çfarë forme qeverisje do të ketë ose nëse do të jetë i pavarur nga një shtet tjetër ose jo”.
Murati shkruan mbi arsyet pse merr kurajo të tillë Athina zyrtare:
“Ministri i jashtëm i Greqisë, i cili është edhe jurist dhe për më tepër e paraqet veten në biografinë e tij zyrtare edhe si hartues i Kushtetutës së Shqipërisë të vitit 1998, e din fare mirë që e drejta e vetëvendosjes është e drejtë vetëm e popujve. Ai harron se precedenti, që ai tenton të krijojë me Shqipërinë, mund ta shtyjë Turqinë të kërkojë vetëvendosje për minoritetin kombëtar turk në Greqi, i cili është gjashtë herë më i madh në numur se minoriteti grek në Shqipëri. Mirpo ministri e din se ka përballë një shtet me një politikë të jashtme servile ndaj Athinës gjatë 30 viteve, një shtet që instiktin e vetëmbrojtjes shtetërore dhe kombëtare e ka në nivelin me të ulët ballkanik. Ndaj ministri i jashtëm grek i lejon vetes një spekullim të palejueshëm për nivelin e lartë zyrtar të postit të tij” – shkruan ai në analizën e cila mund të lexohet e plotë nesër në Dita print dhe më pas në faqen tonë online.
d.a. / dita