“Muret e Portës”, Durrës mes 11 monumenteve të rrezikuara sipas Europa Nostra.
31 Janar 2024
“Muret e Portës” monument arkeologjik në Porto Romano në Durrës është përzgjedhur mes 11 monumenteve më të rrezikuara në Europë.
Kjo është lista paraprake e programit “7 më të rrezikuarit”, që u shpall nga organizata “Europa Nostra” dhe Instituti i Bankës Europiane të Investimeve.
Zëri i Shoqërisë Civile për Mbrojtjen e Trashëgimisë në Europë ka arritur në këtë konkluzion pas analizës së ekspertëve për gjendjen e monumentit arkeologjik të kategorisë së parë, por edhe duke i dhënë prioritet për shkak të rëndësisë që ka për trashëgiminë e vendit. Sipas komunikatës për shtyp të “Europa Nostra”, në takimin e zhvilluar më 30 janar është prezantuar lista me 11 objektet në rrezik, ndër të cilat rezulton dhe monumenti “Muret e Portës”, i vetmi monument nga Shqipëria.
Mes “Mureve të Portës” janë edhe monumente të tjera Evropiane si Sinagoga e Sienës në Itali, Pallati Steinort në Poloni apo Porta e Hekurt në Turqi. Propozimi u dorëzua nga Qendra Amfora, e përfaqësuar nga aktivisti tek “Europa Nostra”, Heldi Kodra, që prej 30 shtatorit 2023. Monumenti i kulturës “Muret e Portës” në Porto-Romano Durrës, u përfshi në listën e ngushtë me monumentet më të rrezikuara në Europë, e cila do të rishikohet dhe në muajin prill këtë vit parashikohet të njoftohen shtatë përzgjedhjet finale. “7 më të rrezikuarat”, është një program që identifikon objektet dhe peizazhet më të kërcënuara në Evropë dhe mobilizon aktorët publik dhe privat në gjetjen e një zgjidhje për ruajtjen e siteve të çmuara të trashëgimisë.
Ekipe multidisiplinare ekspertësh angazhohen në misione shpëtimi dhe ndihmojnë në hartimin e planeve të veprimit për secilin objekt apo peizazh. Ky objekt i trashëgimisë sonë kulturore është dëmtuar rëndë vitet e fundit gjatë punimeve për ndërtimin e portit në Porto Romano.
Monumenti arkeologjik “Muret e Portës” ndërthur një mur linear prej 60 metrash me një kullë që daton nga periudha romake, që të çon te porti antik Porto Romano, i cili ka shërbyer si një nga udhët më të rëndësishme tregtare për më shumë se 2000 vjet, duke përfaqësuar një trashëgimi të vlerave europiane, e cila shtrihet në të gjithë kontinentin.