Mustafa Kruja “kthehet” në shtëpi
12 Janar 2025
Nëntori riktheu në Krujë Mustafa Merlikën, që historia pak ia ka përmendur emrin.
Figura e firmëtarit të pavarësisë është përjetësuar në një bust në sheshin që mban emrin e tij, si për t’u kujtuar jo vetëm krutanëve, por të gjithë shqiptarëve se e vërteta e gjen rrugën, edhe pse mund të vonojë.
Mustafa Merlika Kruja, jeta, vepra dhe kontributi i tij i u përkujtua fillimisht përmes një aktiviteti në Pallatin e Kulturës, në qytetin e tij të lindjes.
Përpjekjet mëse 30-vjeçare të familjes Merlika për të ndriçuar figurën e tij e për t’i dhënë vendin që i takon në historinë e Shqipërisë, u mbështetën nga shoqata “Trojet e Arbërit” dhe Bashkia e Krujës.
Angazhimi politik i Mustafa Merlika Krujës nis që në moshën 25-vjeçare, kur përfaqëson Krujën në Kuvendin e Vlorës, për t’i hapur rrugën një karriere të gjatë si shtetar, gjuhëtar, historian e publicist.
Studiues i shqipes, historian e publicist, Mustafa Merlika Kruja njihet dhe me emrin e pendës Shpend Bardhi. Ndonëse produkti i tij intelektual nuk u pranua përgjatë regjimit komunist, në studimet e veta mbi etimologjinë e shqipes, Eqerem Çabej, e citon shpesh punën e tij.
Mësues në profesion, me një dashuri të jashtëzakonshme për gjuhën, Mustafa Kruja nuk e kërkoi politikën, por ngjarjet e kohës e përfshinë në të.
Me tërheqjen nga politika, kontributi i Mustafa Krujës zhvendoset te studimet shqiptare. Atij i takon merita për hartën e shqipërisë etnike dhe themelimin e institutit pararendës të Akademisë së sotme të shkencave.
Ëndrra e tij për bashkimin kombëtar dhe puna e jashtëzakonshme për përmbushjen e saj u nderua në aktivitetin kushtuar tij përmes një dhurate simbolike nga shoqata “Trojet e Arbrit” për pasardhësit e tij.
Mustafa Merlika Krujës i takon merita për shpëtimin e mëse 300 hebrejve, gjatë luftës së dytë botërore.
Mustafa Merlika Kruja, një prej personazheve më të sulmuar në kohën e diktaturës, nuk iu dha për dekada të tëra vendi që i takon në histori. Familjarët e tij kanë vuajtur në burgje e kampe internimi gjatë komunizmit, vetëm sepse ishin pinjollë të tij. Njeriu që e nisi udhëtimin e tij në politikë vetëm 25 vjeç, për t’u shndëruar në një prej figurave qendrore të historisë, ka qenë gjithmonë aty ku përcaktoheshin fatet e vendit. Në 100-vjetorin e pavarësisë, atij iu dha titulli Nderi i Kombit. Dymbëdhjetë vjet më vonë, krutanët, e kanë të përjetësuar figurën e tij, ndërsa mijëra turistë që vizitojnë Krujën çdo vit do të kthehen në vendet e tyre me imazhin e njeriut që vazhdoi ëndrrën e Skënderbeut.