Muze virtual me artefakte të vjedhura – betejë kundër trafikimit
23 Nentor 2023
UNESCO-ja dhe Interpoli kanë nismuar projektin e përbashkët për muzeun e parë virtual me artefakte të vjedhura. Publikut pritet t’i prezantohet nga mesi i vitit 2025, raportojnë mediat botërore. Hapja e muzeut virtual, në të cilin synohet të ekspozohen së paku 600 prej 52 mijë eksponateve nga databaza e Interpolit për artefaktet e vjedhura, qe paralajmëruar në konferencën për politikat kulturore dhe zhvillim të qëndrueshëm në Meksikë, kur 150 shtete do të miratonin Deklaratën historike për njohjen e kulturës si e mirë publike globale dhe fuqizimin e luftës kundër tregtisë joligjore me artefakte.
Audrey Azoulay, drejtoreshë e përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Edukim, Shkencë dhe Kulturë – UNESCO, kishte thënë se pas secilës vepër a fragment të vjedhur fshihet një copë historie, identiteti dhe njerëzimi që u shkëput prej mbrojtësve të saj, e paarritshme për t’u hulumtuar dhe tashmë në rrezik për t’u harruar tërësisht.
Megjithëse nuk do ta kompensojë mungesën e artefakteve të vjedhura, një muze virtual të paktën do të rivendosë qasjen bazë në to dhe do të ndihmojë në forcimin e thirrjes për kthimin e tyre”, citohet të ketë thënë Azoulay.
Ndihmësi i saj i ngarkuar me sektorin e kulturës, Ernesto Ottone Ramírez ka sqaruar për “The Guardian” se qëllimi përfundimtar i këtij muzeu virtual është “mbyllja e tij”, duke theksuar se koleksioni i tij do të pakësohet kur artefaktet të kthehen në vendin të cilit i takojnë.
Arkitekt i muzeut virtual është përzgjedhur fituesi i shumë çmimeve Francis Kéré, dizajni i të cilit është inspiruar prej pemës baobaba si simbol i rrënjës dhe përkatësisë, si dhe me spiralen e famshme të muzeut “Guggenheim” në New York City dhe jo vetëm, vepër e arkitektit Frank Lloyd Wright.
Vizitorët do të mund të “ecin” nëpër shtigjet spirale që lidhin disa hapësira të galerisë me imazhet tredimensionale të artefakteve, të cilat në jo pak raste janë rikrijuar bazuar në imazhet bardhezi apo në ilustrime. Ekspozita do të shpalosë disa prej artefakteve më të njohura të vjedhura. Sipas paralajmërimeve, aty do të jetë mbishkrimi në alabastër nga shekulli III, i cili midis viteve 2009 e 2011 u mor nga tempulli Awwam në Jemen, reliev prej fildishi me luanin në sulm, vepër e shekullit VII para erës sonë e vjedhur më 2003 nga Muzeu u Bagdadit, maska e gjelbër prej guri e vjedhur në vitet ‘70 të shekullit të kaluar nga lokaliteti majan Rio Azul në Guatemalë, si dhe figurina e Varahes e vjedhur nga tempulli në Rajasthan të Indisë në vitin 1988.
Kopjet digjitale të eksponateve e artefakteve do të shoqërohen me përshkrime që shpjegojnë vlerën e tyre kulturore dhe dëshmi të komuniteteve prej nga e kanë origjinën si një kujtesë e lidhjeve njerëzore që përfaqësojnë këto artefakte.