22 Korrik 2023

Sotiraq Filo, kryebashkiaku i Korçës, i një qyteti që ka se ç’t’u ofrojë turistëve, solli sot në vëmendje Muzeun Arkeologjik të Korçës, i cili është muzeu i vetëm pre-historik në Shqipëri.

“Janë 1111 objekte të ndryshme në këtë muze, të cilat datojnë nga Epokat Pre dhe Proto historike e deri në shekullin e 12-të të erës sonë” është shprehur Sotiraq Filo.

Muzeu Arkeologjik është i veçantë në llojin e vetë. Ai u krijua në vitin 1985, në një godinë karakteristike të shek XIX. Për vlerat arkitektonike është shpallur monument kulture. Në të janë ekspozuar pasuritë arkeologjike të trevave juglindore të Shqipërisë, ku vendin kryesor e zë pellgu i Korçës.

Objektet e ekspozuara nisin nga periudha neolitike dhe deri në fazën e zhvilluar të epokës së hekurit. Në këtë muze janë përfaqësuar disa vendbanime të rëndësishme prehistorike si Maliqi, Potgoria, Dunavesi, Trajani e përmbyllet me një sesion të vogël të periudhave pas prehistorike.

Nga OraNews