Muzeu Etnografik në Krujë, ekspozimi aktual i artifakteve do të përmirësohet.
Muzeu Etnografik në Krujë, ekspozimi aktual i artifakteve do të përmirësohet.
22 JANAR 2022
Muzeu Etnografik i Krujës është një tjetër sit i trashëgimisë kulturore, i cili do të restaurohet nga programi “EU4Culture”. Herë pas here “EU4Culture” program i Bashkimit Europian publikon objektet ku punohet përmes tij, ndërsa një prej tyre është dhe muzeu Etnografik në Krujë. Programi “EU4Culture” ka bërë me dije dhe se ku do të ndërhyhet në këtë muze, ku puna pritet të nisë së shpejti.
– Sipas “EU4Culture” muzeu ka nevojë për disa ndërhyrje si në ndriçim, survejim, mbrojtje nga zjarri, etj. “Ekspozimi aktual i artifakteve do të përmirësohet në bashkëpunim të drejtpërdrejtë me kuratorin dhe drejtorin e muzeut. Dyshemeja, çatia, tavani, të gjitha dyert dhe dritaret do të riparohen aty ku është e nevojshme. Mobiljet dhe pikturat murale të shekullit të XVIII do të pastrohen dhe forcohen. Punimet do të nisin së shpejti dhe do të ndërmerren me kujdes maksimal”, shprehet “EU4Culture” në faqen e tij, që ka publikuar dhe disa foto. Muzeu Kombëtar Etnografik i Krujës ndodhet brenda kalasë së Krujës. Ky muze e ka zanafillën e krijimit të tij në 20 nëntor të vitit 1989 dhe ndodhet në një objekt të ndërtuar në vitin e largët 1764 që është ish-shtëpia e Toptanëve, e cila është një ndërtesë e tipit “çardak”.
Ky objekt është klasifikuar si objekt i Trashëgimisë Kulturore dhe monument kulture i kategorisë I. Objektet të cilët janë vendosur në këtë muze përveçse përfaqësojnë periudha të ndryshme të historisë së vendit, pjesa më e madhe e tyre janë objekte autentike edhe sot vazhdojnë të jenë funksionalë. Ky muze është unik në llojin të tij në të gjithë rajonin e Ballkanit për nga stili që përfaqëson. Në katin e parë, jepet një pamje e plotë i zejeve të ushtruara në Krujë dhe në të gjithë Shqipërinë. Fillohet me punimin në hekur dhe baltë si edhe shajak, kantina e verës e rakisë, punishtja e vajit, etj. Kati i dytë organizohet në 5-6 dhoma kryesore ku tregohet mënyra e jetesës vite më parë.
Gazeta Sot