Muzeu Historik Kombëtar çeli ekspozitën me titull “Katundet Arbëreshe”.
Muzeu Historik Kombëtar çeli ekspozitën me titull “Katundet Arbëreshe”.
1 shtator 2021
Kjo ekspozitë pasqyron shpirtin arbëresh, i cili dëshmon përkatësinë e vet etnike. Ekspozita është përfytyruar, duke menduar gjithë shqiptarët në botë, me dëshirën për të njohur gjakun e kombit shqiptar të shpërndarë në luftra të shumta, që ata kanë përballuar përpara se të jenë një komb i pavarur.
Risi e kësaj ekspozite janë 2 libra, që ekspozohen për herë të parë:
1-“Saggio di Grammatologia Comparata sulla lingua”, me autor Dhimitër Kamardrën.
2-“Canti tradizionali ed altri saggi delle colonie”, me autor Zef Skiroin.
Gjithashtu përbën risi një brez metalik që vjen nga Hora e Arbëreshëve me një paftë ku paraqitet Shën Gjergji hipur në në kalë.
Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr. Dorian Koçi, në fjalën e tij tha se: “Në këto ditë të trashëgimisë kulturore në të cilat ne synojmë nxitjen dhe zhvillimin e aktiviteteve promovuese kjo ekspozitë të nxit dhe të shtyn në gjurmime të tjera historike e etnografike mbi bashkësitë arbëreshe, origjinën e veshjes, modifikimet që kanë ndodhur etj.” “Katundet arbëreshe në Itali filluan të formohen në shek. XV dhe formimi i tyre u plotësua në shek. XVIII. Kolonitë arbëreshe mbëritën në Itali në valë të ndryshme duke sjellë në mërgim, bashkë me gjuhën amtare edhe kostumet e traditat kulturore në kohën e mërgimit.
Këtë pasuri shpirtërore arbëreshët e kanë ruajtur gjithmonë me këmbëngulje deri në ditët e sotme. Arbëreshët bashkë me emrin e tyre të vjetër etnik që e morën nga mëmëdheu, ruajtën edhe kultin e Heroit Gjergj Kastrioti-Skënderbeu. Këto grupe të popullsisë arbëreshe nuk u shkrinë dot me popullsinë vendase, por ruajtën dhe lartësuan me krenari identitetin etnik origjinal që ka ardhur përtej shekujve në forma të shumëllojshme, duke e shprehur në jetën e përditshme, në shprehjet artistike, traditat gojore dhe letrare”
Ekspozita do të qëndrojë e hapur për disa ditë me qëllimin për të ngjallur interesin e turistëve në Shqipëri për tu njohur më nga afër me trashëgiminë kulturore arbëreshe dhe disa objekte të saj” përfundoi drejtori Koçi.