Muzeu i Brooklynit ia kthen Kosta-Rikës më shumë se një mijë artefakte
Sylvie Durán, ministre e Kulturës e Kosta-Rikës, duke ekzaminuar nga afër artefaktet e ardhura nga Muzeu i Brooklynit
Muzeu Kombëtar i Kosta-Rikës në San José ka bërë të ditur se ka pranuar 1 mijë e 305 artefakte parakolumbiane nga Muzeu i Brooklynit në New York dhe një riatdhesim kaq i madh, sipas zyrtarëve të këtij institucioni, do t’ia shtojë madhështinë Muzeut.
Ani pse rikthimi i artefakteve është bërë i ditur vetëm javën që shkoi, i gjithë procesi u zhvillua në tetor të vitit të kaluar.
Rocío Fernandez, drejtor i Muzeut Kombëtar të Kosta-Rikës, ka thënë se disa nga veprat do të ekspozohen në galerinë kushtuar artit parakolumbian që është aktualisht në rinovim.
Punimet erdhën në muze nga koleksioni i Minor Cooper Keith, një magnat aktiv gjatë shekujve XIX dhe XX pasuria e të cilit erdhi nga tregtia e bananeve dhe bizneset hekurudhore në Kosta-Rikë. Së fundi hulumtuesit janë përqendruar në praktikat shfrytëzuese që mbështeten nga bizneset e Keithit.
Dan Koeppel, autor i një libri të vitit 2008 në lidhje me tregtinë e bananes, në një intervistë të vitit 2020 për NPR-në i krahasoi punëtorët e Keith me skllevër.
Gruaja e Keith ia dhuroi veprat Muzeut në Brooklyn në vitin 1934 pas vdekjes së burrit të saj të pasur. Rreth 16 mijë artefakte ishin gjetur në plantacionet e tij në Kosta-Rikë nga ai dhe punëtorët e tij. Rreth 4 mijë e 500 përfunduan në Muzeun në Brooklynit.
Në mesin e artefakteve të kthyera në vitin 2020 në Kosta-Rikë janë një gur varri, enë dhe një vepër në formë luani, një gur që përdoret për bluarjen e kokrrave dhe farërave. Disa nga këto artefakte datojnë disa mijëra vjet më parë. Instituti Kombëtar i Sigurimeve të Kosta-Rikës pagoi 44 mijë dollarë për transportimin e veprave e artit nga New Yorku.
“Rimarrja e këtyre veprave arkeologjike do të thotë rikuperim i fragmenteve të së kaluarës që kaluan kufijtë tanë kur ende nuk kishim legjislacion për ta parandaluar atë”, ka thënë Sylvie Durán, ministre e Kulturës e Kosta-Rikës.
Një zëdhënës i Muzeut në Brooklyn nuk ka kthyer përgjigje.
Nuk është hera e parë që Muzeu në Brooklyn kthen vepra nga koleksioni i Keith në Kosta-Rikë. Në vitin 2011 muzeu dërgoi 981 artefakte nga koleksioni. Në këtë rast Instituti Kombëtar i Sigurimeve gjithashtu mbuloi shpenzimet, duke paguar 88 mijë dollarë për bartje të artefakteve.
Në atë kohë Muzeu në Brooklyn pati thënë se Muzeu Kombëtar i Kosta-Rikës nuk ka paraqitur ndonjë pretendim për veprat e Keith. Në vend të kësaj, në përgjigjen e dhënë nga Muzeu në Brooklyn ishte treguar se muzeu thjesht kishte larguar disa objekte për të liruar hapësirën në objekt.
Bota Sot