Muzeu i New Yorkut ia kthen Nigerisë tri vepra të artit afrikan
Muzeu i New Yorkut ia kthen Nigerisë tri vepra të artit afrikan
“Warrior Chief” (në foto) dhe “Junior Court Official”, i ishin dhuruar “Metropolitan Museum of Art” (Met) në New York, më 1991
Duke pasuar lëvizjet e fundit të muzeve evropianë për rikthimin e thesareve artistike afrikane në Nigeri, “Metropolitan Museum of Art” (Met) në New York ka njoftuar se po i dërgon tri objekte në këtë vend.
Dy nga veprat, një çift pllakash të tunxhit nga oborri i Beninit, në shekullin e 16-të, të quajtura “Warrior Chief” dhe “Junior Court Official”, i ishin dhuruar muzeut më 1991 nga dileri i artit, Klaus Perls, dhe e shoqja e tij, Dolly, kurse e treta, nga shekulli i 14-të, “Ife Head” i ishte ofruar muzeut së fundmi për blerje nga një koleksionist tjetër.
Muzeu ka vendosur t’i rikthejë veprat pasi ka kryer një kërkim në bashkëpunim me Muzeun britanik, e me mbështetje edhe nga Komisioni Kombëtar i Nigerisë për Muzetë dhe Monumentet (NCMM).
Të dy pllakat ishin pjesë e një koleksioni me 153 copa të thesareve mbretërore afrikane që iu dhanë muzeut nga Perlses 30 vjet më parë e që përfshinin figura tunxhi, fildish të gravuar elefanti, maska, stoli dhe vegla muzikore.
Sipas muzeut, pllakat u morën më 1897 nga Pallati Mbretëror i Beninit, në Nigerinë e sotme, nga forcat ushtarake britanike dhe më pas hynë në koleksionin e Muzeut Britanik. Rreth vitit 1950 ose 1951, institucioni londinez i barti ato tok me 24 njësi të tjera në Muzeun Kombëtar në Lagos.
Veprat ishin larguar disi nga ai muze “në një datë të panjohur dhe në rrethana të paqarta”, kanë thënë nga Met në një deklaratë për shtyp, e pastaj ishin shitur në tregun ndërkombëtar të artit, ku i ranë në dorë Perlsit. Që të dy pllakat tashmë janë larguar nga Met.
Ndërkohë tunxhi “Ife Head” i ishte ofruar muzeut për blerje nga një koleksionist të cilin Met nuk e ka identifikuar. Vepra e shekullit të 14-të fillimisht erdhi nga Wunmonije Compound afër pallatit mbretëror në Ife.
Më 1938 u zbulua një depo e portreteve realiste të kokave të bëra nga populli Yoruba, dhe përderisa shumica shkuan në Muzeun Kombëtar në Ife, disa prej tyre u larguan nga vendi, duke bërë që Qeveria nigeriane të shtrëngonte kontrollin mbi eksportin e antikiteteve.
Gazeta Koha.Net. Përktheu: Salih Mehmeti