Muzeui Kosoves-Ekspozite: Identiteti kulturor dhe historik i Kosovës. _
Hapet “Ekspozita Bazë” në Muzeun e Kosovës
Eksponate të periudhave të ndryshme të trashëgimisë kulturore nga periudha e Neolitit e deri në Shpalljen e Pavarësisë së Kosovës më 2008, janë prezantuar në hapjen e ‘Ekspozitës Bazë’ në Muzeun e Kosovës.
Eksponate të rralla dhe të rëndësisë së veçantë janë prezantuar në këtë ekspozitë si: Medaljoni i Probit, Sarkofagu i Dresnikut, kopja e Vrapueses së Prizrenit, Monumenti Votiv i Perëndeshës Dardane nga Smira, si edhe eksponate të heronjve kombëtar Isa Boletini e Adem Jashari.
Ndër to janë ekspozuar edhe xhaketa e William Walker që ka pasur veshur gjatë luftës së Kosovës dhe sendet personale të ish-sekretares amerikane Madeleine Albright. Këto artefakte pjesë të trashëgimisë së luajtshme kulturore pasqyrojnë identitetin kulturor dhe historik të Kosovës.
Një bashkëpunim mes Ministrisë së Kulturës së Shqipërisë, Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Kosovës, Muzeut Historik Kombëtar dhe Muzeut të Kosovës u bë e mundur që në këtë ekspozitë të ekspozohen për një periudhë të caktuar kohore xhamadani, revolveri, ora, pipa dhe shpata e Isa Boletinit, pjesë e fondit të Muzeut Historik Kombëtar.
Në hapjen e kësaj ekspozite morrën pjesë Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Kosovës, z. Kujtim Gashi, i cili për aktivitetin në fjalë u shpreh se po organizohet në vazhdën e aktiviteteve të 10-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës dhe Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, Drejtori i Muzeut të Kosovës, z. Skënder Boshtrakaj, Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr. Dorian Koçi, një përfaqësi nga stafi i Muzeut Kombëtar, artistë dhe qytetarë të shumtë të Prishtinës.