Muzeut Historik Kombëtar nuk mund t’i vihet dryni sikur të jetë një kioskë.
8 Mars 2024
Andi Tepelena: – Skandaloze çfarë po ndodh me institucionet e artit dhe kulturës.
Muzeu Historik Kombëtar përmes një njoftimi në rrjete sociale drejtuar agjencive turistike, drejtuesve të tureve kulturore dhe palëve të tjera të interesuara, bëri me dije më 6 mars se do të jetë i mbyllur për vizitorët për periudhën 15 mars 2024 deri më datë 15 mars 2028. Sipas njoftimit kjo në kuadër të zbatimit të projektit “Restaurimi, rikonstruksioni dhe muzealizimi i Muzeut Historik Kombëtar, Tiranë”.
Por mbyllja e MHK-së dhe mungesa e një deklarate që atë ditë nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit solli shumë reagime. Në intervistën për gazetën “SOT” Andi Tepelena kurator dhe menaxher arti thotë se është institucioni më i rëndësishëm muzeor në Shqipëri dhe duhet të kishte një deklaratë të qartë nga institucionet për çfarë po ndodh. Shqetësuese sipas tij është mungesa e transparencës, pasi nga faqen e ministrisë duhet të ishin bërë publike detajet e projektit. Muzeu Historik Kombëtar u inaugurua në 28 tetor të 1981 dhe sipas Tepelenës nuk mund ti vihet kyçi sikur të jetë një kioskë. Kurator dhe menaxher arti Andi Tepelena edhe më parë ka reaguar për çështje që kanë të bëjë me institucionet e artit dhe kulturës, ligjin e artit, ligji për trashëgiminë kulturore, etj, por ai thotë se po mbyllen njëri pas tjetrit institucionet dhe është shqetësuese fakti që nuk informohet si duhet publiku.
-Njoftimi për mbylljen e Muzeut Historik Kombëtar për katër vite u bë nga vetë institucioni përmes rrjeteve sociale. Një njoftim që solli shumë reagime. Për ju mbyllja e institucionit më të rëndësishëm muzeor në vend për 4 vite, çfarë do të thotë?
Kjo që po ndodh është katastrofë. Po mbyllen gjithë institucionet kryesore të artit dhe kulturës në vend rreth sheshit “Skënderbej” në Tiranë. Më parë u mbyll Cirku Kombëtar. Me Teatrin Kombëtar dihet çfarë ndodhi. Biblioteka Kombëtare është me problemet e veta. Teatri i Kukullave është mbyllur. Janë gjithë institucionet kryesore, që nuk dihet se çfarë po ndodh, si po vijon procesi me punimet aty ku kanë nisur projektet. Vendoset mbyllja e tyre dhe nuk dihet kur do hapen për publikun. Kemi Galerinë Kombëtare të Arteve që është mbyllur dhe nuk dihet çfarë po bëhet dhe kur do hapet.
Nuk ka data, nuk ka kalendar, nuk ka afate. Problemi është mungesa e transparencës. Kemi vetëm deklaratë në rrjete sociale më parë nga MK, ku përmendet dhe çështja e tërmetit të nëntorit 2019. Po ku është publike nga Ministria e Kulturës e gjithë analiza teknike që justifikon mbylljen? Çfarë ndërhyrje do të bëhen te Muzeu Historik Kombëtar? Çfarë konsiston rikonceptimi, rregullimi i të gjithë strukturës? Kush është projekti i bërë për rikonceptimin e MHK-së? Nga ka dalë ky projekt nëse ka. Del një njoftim në rrjete sociale që thuhet mbyllet Muzeu Historik Kombëtar dhe kaq. Kjo është skandaloze. Unë nuk di të jetë bërë publik, të jetë afishuar nga Ministria e Kulturës te faqja e saj më parë projekti për restaurimin, rikonceptimin e muzeut. Muzeu mbyllet nëse e gjithë godina do jetë në gjendje të rëndë, se në kushte normale aty ku ka dëme riparohen. Por të mbyllësh gjithë godinën e Muzeut Historik Kombëtar do të thotë ose ka probleme të rënda strukturore nga tërmeti, etj, ose e dyta do rikonceptohet gjithë muzeu, pavijonet, por ende nuk ka të publikuar nga Ministria e Kulturës për këtë. Nuk është transparent i gjithë procesi. Nëse ka pasur konkurs të rikonceptimit kush e ka fituar, kur është bërë? Çfarë praktike ka ndjekur? Nuk është muzeu i MEKI-t. Të gjithë institucionet publike janë të qytetarëve, janë taksapaguesit.
-Muzeu Historik Kombëtar njoftoi mbylljen përmes një reagimi në rrjete sociale, por më pas u hoq nga faqja e institucionit…
Kjo është akoma dhe më skandaloze. Vetë institucioni vendos njoftimin dhe e heq. Që këtu i vihet kryq një institucioni publik. Çfarë do të thotë ta vësh njoftimin dhe të hiqet nga faqja sërish? Çfarë po i fshihet publikut?
-Ju keni dhe kritika ndaj Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. Muzeu bën vetë njoftimin më 6 mars dhe e heq nga faqja, ndërsa MEKI deri mesditën e 7 marsit s’ka asnjë reagim. Çfarë mund të na thoni mbi qëndrimin zyrtar ?
Kjo është skandaloze. Për Muzeun Historik Kombëtar deklarohet mbyllja, ndërkohë nuk ka një argumentim zyrtar, nuk ka një shpjegim nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit mbi arsyen pse po mbyllet 4 vite. Si mund ti vësh kyçin institucionit kryesor muzeor në vend dhe nuk ke dalë ende si ministri për të sqaruar publikun? Ndaj mendoj që diçka fshihet. Duhet të bëhet çdo gjë transparente dhe jo vetëm me rikoncpetimin e restaurimin. Por sa rrezikon godina? Duhet të ketë debat për këtë gjë. Muzeu Historik Kombëtar është institucioni më i rëndësishëm muzeor në vendi tonë dhe nuk mund ti vihet dryni sikur të jetë një kioskë. Në atë muze janë gjithë artefaktet, e gjithë historia shekullore e popullit shqiptar.
Çdo gjë duhet të jetë e qartë, publike e argumentuar nga institucionet. Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit që në fillim duhet të kishte dalë me një qëndrim të qartë publik mbi arsyet e mbylljes. Pra janë disa arsye, ku diskutohet e drejtë apo e padrejtë.