Natë nomade me poetin Demir Gjergji. –
Natë nomade me poetin Demir Gjergji. –
Nga Natasha Xhelili
– Një natë boheme endet nëpër botë. Endet nëpër kohë,endet nëpër stinë, endet nëpër shpirtra të trazuar. Nëpër shtigje zemre, vishet me vetmi. Ngarkuar me terr e tmerr shkon udhë e paudhë. Sheh të djeshmen që qesh në qiell të lartë, ndërsa të sotmen e sundon si shkrumb rrënoje. E vesh me mjegull, shira e gjëmime. Midis të djeshmes e të sotmes ajo, nata, qëndron në mes. Digjet flakë prej dashurisë, ndërkohë që e sotmja vdes prej ikjes së Saj. Shkon në një mesditë që nuk i bindet, i verbohet bota brenda, po ia kthen përsëri sytë. Në kurmin e errët të udhës trillet e natës boheme përshkohen nga vargje të të gjitha llojeve, nga rima e strofa të shumëllojshme për të shfaqur në skenë “Shkreptimë e tjetër moti” e autorit Demir Gjergji.
Arkitektura e librit
Libri është ndërtuar në katër pjesë: Shkreptimë e shkruar, Shkreptimë e shkuar, Shkreptimë e shuar dhe Shkreptima+. Në secilën prej tyre përvijohen rrëfime lirike për pasionin, ndryshimin dhe për përjetime të larmishme që shfaqen si Carpe Diem, por që kanë rrënjët e një vullkani shpërthyes që do të jetojë gjatë. Grafullimi i gjithë ndjenjave si dallgë hyjnore pushton detin e fantazisë dhe sjell këtë libër që guxon të rreshtohet te poezia bashkëkohore shqiptare. Autorit i pëlqen të hulumtojë me fjalët, kjo duket te titujt e zgjedhur për secilën pjesë. Në secilën prej tyre hiqet nga një shkronjë, kjo jo për t’i sakatuar fjalët po për t’i ridimensionuar në një kuptim të ri. Këto gjetje prej poeti tregojnë punën e madhe të tij dhe intuitën poetike për të vendosur dykuptimësi në fjalë e vargje, gjë pa të cilën poezia nuk do të mbijetonte dot. Në tituj përkatësisht : e shkruar, e shkuar, e shuar. Brenda kësaj zgjedhjeje zhvillohet edhe përjetimi poetik që mbikëqyr gjendjet për t’i pasqyruar besnikërisht në këto vargje.
Shkreptimë: vetëtimë, shpërthim i menjëhershëm i diçkaje. Është ky shpjegimi i fjalës “shkreptimë” që Gjergji ka zgjedhur të transmetojë me anën e këtij libri me poezi. Në pjesën e parë i drejtohet muzës së vet “Shkreptimë shpirti, shkruaj,/ ndrit me fjalë, rimë a theks/ ndizu larg në qiej të huaj/ në të tashmen time feks!”. Është diçka që ndodh shpejt, aq sa zgjat një vetëtimë, por është një kohë kur ndërrohet moti kur “ pa bujë, pa rite mortore/ la fronin e poshtë ra dimri” dhe marsi duke e nderuar “monarkun fisnik”, “Zemërimin ia fsheh te blerimi dhe kristalet e borës , te lulet”. Kështu lind një stinë e re që mbart detaje të së vjetrës deri sa ta largojë plotësisht. Në këto momente autori mediton për vdekjen që e ndjek pas njeriun dhe e merr kur s’e pret. Pasi tregon marshimin e kohës me detaje të gjetura, duke u ndjekur nga transformimi i tyre “ fustani i bardhë mbi nuret e nuses,/ nxihet si reja e bardhë te muzgjet,/ plaga zë dregëz ngadalë dhe zhduket,/ hiri me hire dëshire po shkundet.”, ai tregon se ndryshe nga gjithçka vdekja nuk lë hapësira dyshimi “ shigjetë harrimi, në besë të pret!”
Dualizmi brenda njeriut shfaqet herë pas here, sidomos kur ai ndihet keq dhe është gati t’i dorëzohet vdekjes. “ kur ndjehem keq/ dhe vetvetes këmbëzën jam gati t’ia heq…” autori zbulon magjinë e jetës parë në sensin praktik. Duke i dhënë edhe nota humori vetvetja “zbulon” se kushton më lirë të jetosh sesa të vdesësh. Ka gjithmonë gjëra për të cilat ia vlen të jetosh, “ajri është ende falas”, “në ekspozitën e prillit hyrja është e lirë”, “mund të qeshësh sa të duash”; të gjitha elemente të rëndësishme për një jetë, por që kemi harruar t’i vlerësojmë. Një mesazh mjaft i rëndësishëm dhe aktual për të gjithë brezat, por më shumë pënë që jeton në një krizë vetëvlerësimi dhe pasigurie për të ardhmen. Vargjet e fundit janë një thirrje për të jetuar, për të zgjedhur gjithmonë jetën: “kështu,/ sa herë ndjehem keq/ gishtin nga këmbëza Demiri ma heq.”
Herë Ajo (Ti) e herë një grua gjenden brenda diskursit poetik të këtij libri. Voluminoz jo vetëm për sasinë e faqeve apo hapësirave të pushtuara me tingujt e Shkreptimës, por edhe për larmishmërinë e gjendjeve shpirtërore që ndan me lexuesin, ky libër endet honeve të një burri që kërkon të shfaq gjithë kufijtë e vet të pamatshëm në lidhje me botën në sytë e tij, me dashurinë, me të shkuarën, të tashmen, të ardhmen, me historinë, gjithësinë, por më tepër me detaje që mund t’i rrok vetëm shpirti i në poeti. Në çdo poezi gurgullon vrulli i një vargu të latuar me kujdes. Jo vetëm fjalët, por edhe gjatësia e forma kanë një mesazh të caktuar . Ai krijon botë paralele dhe e mposht nocionin e kohës dhe hapësirës. Kapërcehen kufijtë e tyre dhe shkohet deri në grimcat më të vogla të pamatshme për të ndier emocionin e të qënit i dashuruar, i përjashtuar nga kjo ndjenjë, i braktisur a i rikthyer për t’u bërë pre i Shkreptimës. “ ende ka natë në shtrat” është një pohim pararojë për vargun e Gjergjit, që rend pas çdo casti për të realizuar dhe plotësuar dashurinë e tij…
Pamja e një dite në sytë e saj ngjason me lirikat e natyrës e dashurisë së Lasgush Poradecit. Po kështu te poezia “ Dy zjarre” rikthehet motivi i vetflijimit. Dy të dashur janë si dy zjarre që digjen nga dëshira për njëri-tjetrin. Bashkë janë më të fortë. Për t’u bashkuar duhet të lënë diçka nga vetja dhe gjithçka duhet të ndodhë për procesin e vetëkrijimit që kalon nga vetëflijimi.