hiqen-shkronjat-e-teatrit

Natën e së premtes së Madhe, kur hiqeshin germat e emrit të teatrit me makinen e Dekorit te Bashkise. –

Nga: Fatmira Nikolli 

 Mëngjesin e së Premtes së Madhe para Pashkëve, godina e Teatrit Kombëtar u gdhi pa shkronjat identifikuese në fasadën e saj. 14 shkronjat e emrit TEATRI KOMBËTAR u hoqën natën, në mënyrë të fshehtë dhe të nesërmen, kur kalimtarët shpejtonin këmbët në shëtitoren mes Ministrisë së Brendshme dhe godinave të dy teatrove kombëtarë nuk e vunë re se mbi fasadë kish mbetur tashmë vetëm hija e 14 germave që për dekada të tëra identifikonin skenën më të madhe të artit në vend. Në një qytet ku edhe plehrat hiqen ditën duke krijuar trafik, dikush kishte menduar për një operacion me “diversantë” që dilnin natën nëpër qytet dhe “shpërndanin trakte”!

Sa do të rrekesh të jesh objektiv dhe i ftohtë dhe ta gjykosh çështjen e teatrit thjesht si një debat (normal) mes një grupi që do ta mbrojë atë godinë dhe një grupi që do ta shembë, është pothuaj e pamundur ta ruash neutralitetin (a qoftë edhe seriozitetin) kur mëson se germat janë hequr natën duke gdhirë e premtja e madhe e Pashkëve! Veprimi është kaq qesharak dhe në kufijtë e absurdit. Ndërsa besimtarët bëheshin gati për të kremtuar festën e Pashkës dhe kambanat e katedrales jehonin mbi qytet, një mëngjes herët, kur dielli ende nuk i ka ndriçuar rrugët e kopshtit shkëmbor të Europës Juglindore, dikush heq 14 shkronja mbi një mur dhe sjell një tjetër rrëfenjë nga Zullullandi. E premtja e madhe nuk mund të ishte më e zezë. Diku ishte Juda, e diku tjetër Baraba. Ponci Pilat i kishet larë duart dhe turma e judenjve e kishte shpallur një fajtor.

hiqen-shkronjat-e-teatrit

Prej më shumë se 365 ditësh artistë e aktivistë takohen në një protestë të përnatshme para teatrove në mbrojtje të tyre, shkronjat hiqen pa dalë drita. Ne e mundim fantazinë me historitë e së përditshmes.
Godina që prej një viti është jofunksionale sepse teatri është zhvendosur prej aty për te Turbina, e me heqjen e shkronjave duket se ‘humb’ me emrin edhe një prej shenjimeve të fundit që e lidh me artin. Thënë kjo, artistët që prej një viti kur u prezantua nga qeveria ideja e shembjes së tij për të ndërtuar një të ri po protestojnë për ta mbrojtur e kanë interpretuar heqjen e shkronjave si hap drejt shembjes.

REAGIMI
Kur të premten u kuptua që shkronjat ishin hequr, Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit pasi akuzoi shtetin i kërkoi publikisht Ministrisë së Kulturës të distancohej nga ky veprim dhe akuzoi kryeministrin dhe kreun e bashkisë për veprimin. “Fasada e Teatrit Kombëtar u zgjua e dhunuar, e zhveshur nga shkronjat identifikuese të saj. Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit e dënon këtë akt të ulët dhe kërkon nga Ministria e Kulturës të mbajë urgjentisht dhe publikisht qëndrim për sa ka ndodhur dhe të kujdeset që shkronjat të rivendosen aty ku ishin”,-shkroi të premten Aleanca. Ministria nuk pati asnjë reagim zyrtar dhe të shtunën, Aleanca bëri një padi në prokurori duke u betuar se do t’i vërë prapë shkronjat.

Dje, një foto e realizuar gjatë momentit që hiqeshin shkronjat nxjerr në pah një makinë tip kamionçine, nga ato që përdoren për të varur zbukurimet e fundvitit a ditës së verës, tregon disa punonjës që heqin germat në një natë të zezë pis.
Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit bën përgjegjëse për veprimin Bashkinë e Tiranës, e cila në një vit debat, është përcaktuar si përgjegjëse për PPP-në e truallit të teatrit ndërsa kreu i saj drejton edhe komisionet me grupet e interesit, dhe sipas një ligji të mbetur diku zyrave të kuvendit do të drejtojë edhe komisionin që do të marrë vendim për përzgjedhjen e projektit fitues për teatri e ri, mbi truallin e dy teatrove të vjetër dhe hapësirave përreth
“Kur drejtuam gishtin e akuzës nga kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, si personin që kishte urdhëruar këtë akt, nuk po spekulonim. Kishim deklarime nga vetë punonjësit e turnit të tretë, që na e kishin thënë me zë: ishin punonjësit e Bashkisë Tiranë që erdhën rreth orës 4.30 të mëngjesit e hoqën germat nga fasada. Tani është me zë e me figurë, skuthi, vemja, armiku i trashëgimisë dhe historisë së Tiranës, Erjon Veliaj! Turp është pak të thuash për këtë njeri pa skrupuj!”, shkruante dje në profilin e saj Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit.
Ky veprim është kryer në kohën kur protesta e aktivistëve për mbrojtjen e godinës së Teatrit Kombëtar vazhdon. Ndërkohë, qeveria i qëndron vendimit të saj ta prishur këtë godinë. Veprimi nxiti reagime të shumta nga grupet e artistëve, por asnjë reagim nga institucionet përgjegjëse shtetërore.

“Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit e ka dënuar këtë akt duke e konsideruar si të ulët dhe kërkon nga Ministria e Kulturës të mbajë qëndrim për ç’ka ka ndodhur si dhe të rivendosë shkronjat. Sipas Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, nëse kjo nuk do të ndodhë, vetë Aleanca do të ndërmarrë një aksion privat për rivendosjen e tyre. Regjisori dhe anëtari i Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit Robert Budina ditë më parë se jo është një goditje në simbolikë për të thënë që nuk do të ketë Teatër Kombëtar, nuk do te ketë kulturë, për t’i hequr atyre identitetin. Dhe kjo bëhet natën skuthërisht nga njerëz që nuk e kanë identitetin dhe emrin e tyre. Ndaj Teatri e ka betejën të fituar me anonime që janë shumë të vegjël para tij për ta shembur”.

Sipas Kastriot Çipit, në bazë të ligjit special për “Rindërtimin e Teatrit Kombëtar”, Ministria e Kulturës dhe Bashkia Tiranë duhet të bashkëpunojnë për të shpallur garën për projekte për “zhvillimin urban të zonës” dhe krijimin e komisionit negociator për vlerësimin e tyre. “Por këto veprime duhet të bazohen në një Vendim të Këshillit të Ministrave, i cili nuk është miratuar ende, megjithëse afati ligjor ka kaluar qysh më 13 dhjetor 2018. Atëherë pse u hoq emri i Teatrit Kombëtar nga fasada? A nuk është kjo, në rastin më të mirë, komprometim i garës? Ligji special thotë se i takon komisionit negociator të vendosë për këtë ndërtesë. Kjo do të thotë se komisioni ka të drejtë edhe t’i refuzojë të gjitha projektet e paraqitur në garë dhe, në këtë rast, Teatri Kombëtar nuk ka arsye të shembet. Me këtë veprim, shteti tregon sa seriozisht e merr garën dhe ligjin, institucionet e drejtësisë dhe vetë nocionin e drejtësisë”, thekson Kastriot Çipi, ish-drejtor i Teatrit të Komedisë dhe pjesë e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit.

hiqen-shkronjat-e-teatrit

Nga: Gazeta Shqiptare