dashnia asht Vellimi me tregime i Shpetim Kelmendit

12 Janar 2024

Këtë të premte, në një ceremoni të organizuar nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, u ndanë Çmimet Kombëtare të Letërsisë për vitin 2023.

Aktiviteti, i cili u zhvillua me pjesëmarrjen e shkrimtarëve, përkthyesve dhe autorëve të ndryshëm, njohu dhe nderoi arritjet më të spikatura në fushën e letërsisë shqiptare.

Shpetim Kelmendi

“Vëllimi më i mirë me tregime i vitit” iu dha autorit Shpëtim Kelmendi për librin “Dashnia asht”, një eksplorim të hapësirave më intime të shpirtit njerëzor.

“Romani më i mirë i vitit” u shpall autori Besnik Mustafaj me romanin “Fati i marrë”, i cili u vlerësua për guximin dhe imagjinatën në krijimin e një historie “alternative”. Kjo histori, e cila ndryshon një detaj të vogël në një ngjarje historike, synon të na ofrojë një Shqipëri më të ndjeshme, ku heronjtë janë më të prekshëm dhe më njerëzorë.

“Përkthimi më i mirë i vitit” iu dha përkthyeses Ana Kove për përkthimin e librit “Daullja prej llamarine” nga Gunter Grass. Përkthimi i Koves u vlerësua për mjeshtërinë e saj në përcjelljen e thellësisë dhe satirës së mprehtë të autorit, duke ofruar një pasqyrë të fuqishme të zërit të personazhit dhe mesazhit të librit te lexuesi shqiptar.

Në këtë ngjarje, u nderuan edhe autorë të tjerë të shquar:

“Vepra më e mirë studimore e vitit” shkoi për autorin Pëllumb Xhufi për librin “Shqipëria dhe fundshekulli i dëshpëruar”, që u vlerësua për hulumtimin dhe dokumentimin e thelluar të ngjarjeve dhe sfidave të periudhës mesjetare shqiptare.

“Vëllimi më i mirë poetik i vitit” ishte për Entela Tabakun për librin e saj me poezi “Qeramikiana”, për mjeshtërimin në trajtimin e brishtësisë në poezi.

“Libri për fëmijë më i mirë i vitit” shkoi për autoren Ledjona Braho për librin “Kroni dhe Pulëbardhat”, një trajtim origjinal të temave të forta bashkëkohore në raport me fëmijët dhe prindërimin.