Ndahet nga jeta Abdulla Krutani, i mbijetuari i fundit i “Mauthausen”!
Ndahet nga jeta Abdulla Krutani, i mbijetuari i fundit i “Mauthausen”
26 KORRIK 2020
Sot është ndarë nga jeta në moshën 95-vjeçare, Abdulla Krutani, i mbijetuari i fundit i Kampit të Shfarosjes, Meuthausen. Në një intervistë ekskluzive për Dritare.net, ai rrëfeu për herë të fundit, për gazetaren Jonida Hitoveizi, përjetimet në kampin e vdekjes. Është gazetarja ajo që dha sot lajmin e hidhur për ndarjen e tij nga kjo jetë.
” Abdulla Krutani, i fundit shqiptar që ishte dëshmitar i një kohe ku njeriun vështirë ta quaje më njeri, u largua nga kjo jetë në një kohë tjetër absurde… Ai ishte një nga pak shqiptarët që mundi të kthehej gjallë në atdhe prej kampit famëkeq të nazistëve, atij të Meuthausen, pasi mbaroi Lufta e Dytë. Mbijetoi duke besuar veç tek Zoti, si i vetmi fanar ndriçues në atë errësirë të paimagjinueshme për ne.
– Tek Zoti i tij që e mbajti gjallë, kthehet sot përgjithmonë, duke lënë pas modelin e një njeriu fisnik dhe dëshminë e një errësire që nuk duhet ta krijojmë më kurrë. Ndihem me fat që munda të kisha rrëfimin e tij të fundit pak kohë më parë për dritare.net”, shkruan Hitoveizi.
Ku e gjetët forcën?, e pyeti gazetarja Krutanin gjatë intervistës.
“Tek familja në radhë të parë, tek nëna ime (përlotet zëri) vëllain, motrat. Gjithmonë më dilnin para syve. Me kurajo të madhe, i jepja vetes shpresën e shpëtimit dhe mbarimit të luftës”, tregoi Krutani, në rrëfimin e tij për Dritare.net.