Ndahet nga jeta në moshën 72 vjeçare poeti i njohur Skënder Rusi.
Poeti i njohur korçar, Skënder Rusi, është ndarë nga jeta në moshën 72-vjeçare. Homazhet për poetin bëhen nesër (1 qershor) tek teatri Andon Zako Cajupi ora 12.00 dhe përcjellja për në banesën e fundit do të bëhet në orën 14:00.
Skënder Rusi i takon një kategorie të rrallë e të rëndësishme të jetës kulturore dhe shpirtërore të vendit tonë. Ai ishte një qenie poetike, që jeton për poezinë dhe me poezinë e tij.
I lindur në Devoll, në vitin 1952, ky poet me një karrierë mbi 50 vjeçare në fushën e letrave, ka qene autori i 25 vëllimeve me poezi që kanë tërhequr lexues të shumtë brenda dhe jashtë vendit, duke dhënë një kontribut të qenësishëm për promovimin e vlerave të kulturës dhe letërsisë shqipe bashkëkohore.
Për artin letrar të tij, poeti Skender Rusi ka marrë vlerësime të shumta, ku më i fundit është vlerësimi me titullin “Qytetar Nderi i Korçës”, në vitin 2021.
Jeta shpirtërore dhe krijuese e poetit Skënder Rusi është e lidhur me qytetin e Korçës, qytet të cilit si rrallëkush më parë, i ka kushtuar një libër me 100 poezi të gjitha si dedikim ndaj tij, përfshirë edhe një poezi – himn ndaj qytetit: “Korçës një fjalë dashurie”.
Aktiviteti i tij në fushën e kulturës dhe librit në rajonin e Korçës ka një shtrirje profesionale 27 vjeçare, duke nisur si drejtor i Pallatit të Kulturës së qytetit të Korçës 1991-1996 dhe drejtor i Bibliotekës së qytetit nga 1997-2017.
Ky poet ka ideuar aktivitetin më të rëndësishëm poetik, për ngritjen dhe promovimin e vlerave të poezisë shqipe brenda dhe jashtë vendit “Netët Korçare të Poezisë”, i cili për 25 vjet e në vijim është shndërruar në traditën që e identifikon Korçën poetike në sytë e shijuesit të poezisë brenda dhe jashtë vendit, me poetë të ftuar nga Kosova, Greqia, Maqedonia, Turqia, Bullgaria, Rumania, Italia etj.
Krijimet poetike të poetit Skënder Rusi janë botuar dhe përfshirë nëpër antologjitë e disa vendeve të Evropës si në Gjermani, Zvicër, Maqedoni, Kosovë, Greqi etj.
Skënder Rusi i ka kënduar në mënyrën më të bukur dashurisë dhe qytetit të Korçës. Ne të gjithë i jemi mirënjohës për shpirtin që i ka dhënë poezisë dhe për piedestalin e vargjeve, në të cilin e ka ngritur qytetin tonë të bukur.
Vëmendja ndaj poetit, është kujdes dhe vlerësim ndaj shpirtit të së bukurës, që ushqen kujtesën e një vendi dhe frymëzon të ardhmen e tij.