Ndahet nga jeta një ndër kroatologët dhe ilirologët më të shquar të botës. –

Nga: Jahja Drancolli

“Një humbje e pakthyeshme e madhështisë së vërtetë”!

Në Vjenë më 10 gusht 2019, ka ndërruar jetë Radoslav Katičić, një ndër kroatologët dhe ilirologët më të shquar të botës: Në një vepër monumentale të tij rëndësi të veçantë i ka kushtuar gjuhëve paleoballkanike, sidomos të ilirishtës dhe në këtë kontekst edhe gjuhës shqipe për të konstatuar se shqipja rrjedh nga ilirishtja…!

Katičić është bërë i njohur me studimet e tia në fushën e filologjisë klasike, bizantine dhe onomastikës ilire, duke zgjeruar më pastaj edhe në fushën e tij të studimit indoeuropian, përkatësisht atë paleoballkanik. Ai ishte anëtar i rregullt i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kroacisë, Akademisë Austriake të Shkencave, Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Bosnjës dhe Hercegovinës, si dhe të Akademisë Norvegjeze. Katičić, ka lindur në Zagreb më 1930, ku dhe nisi karrierën e tij shkencore (Fakulteti Filozofik). Këtu, punoi nga 1954 deri në 1977, ku filloi të ligjeronte sistematikisht gjuhësinë sanskrite dhe paleoballkanike dhe më vonë krahasuese indoeuropiane. Që nga viti 1977 ka qenë profesor i filologjisë paleoballkanike në Universitetin e Vjenës.
Profesor Katiçiç ishte autor i pesëmbëdhjetë librave dhe 400 diskutimeve, artikujve, eseve, recensave të librave dhe punimeve të tjera. Punimet më të rëndësishme të tij nga fusha e albanologjisë janë: “Ancient Languages of the Balkans” (The Hague-Paris: Mouton, 1976, dhe reprint 2012: Walter de Gruyter, Bestsellers rank). Në këtë vepër monumentale rëndësi të veçantë i ka kushtuar ilirishtës dhe në këtë kontekst edhe gjuhës shqipe për të konstatuar se shqipja rrjedh nga ilirishtja, çështje kjo që trajtohet në këto kapituj: The Pre-Greek linguistic stratum (faqe, 39-97), Epirus (120-127), The Illyrian complex (154-177), Recent studies in Illyrian anthroponymy (178-183), The origin of Albanian (184-189). Ndërsa, në kapitullin kushtuar origjinë shqipe është shprehur: “Asgjë në natyrën e provës nuk është paraqitur deri tash për prejardhjen trakase të gjuhës shqipe, por vetëm akumulim indiciesh që, pa e vendosur çështjen, na ndalojnë ta hedhim poshtë krejtësisht hipotezën. E vetmja gjë që mund të bëjmë tash është të jemi mendjehapur duke mbajtur mend në këtë kontraverzë se barra e provës u bie atyre që mohojnë prejadhjen ilire të shqipes.”


Në veprën tjetër me titull, “Illryricum Mythologicum” (Zagreb, botim i shtëpisë botuese Antibarbarius, 1995), arealin ilir e kishte ndarë në zonë liburne, panone dhe ilire të mirëfilltë (Illyri proprie dicti). Në këtë vepër voluminoze (482 faqësh), të cilën ndonjë studiues i nivelit botëror do ta quante për vazhduese të denjë të veprës së Farlatit, “Illyricum sacrum”, autori i qaset problemeve qendrore të ilirologjisë siç janë: Zona e Danubit dhe Adriatiku sipas epit të Apollonit nga ishulli Rod; Illyricus fluvius; Jonit Ilir; Ishujve liburnian sipas autorëve antik; Illyro-Apenninica; Enkelejëve; Antenori-t në Adriatik; Diomedi-t në Adriatik; Hili-t, birit t Heraklit në Adriatik; Kerkira-s, bijës së Azopit në Korçullë, etj. Tërheqë vëmendën këtu sidomos studimi kushtuar Jonit Ilir, ku antori duke iu referuar Strabonit dhe Apianit, burime të rëndësishme të antikitetit tregon se deti Jon e ka marrë këtë emër sipas ishullit ilir Isa (Vis) në Dalmaci (Straboni), ndërsa sipas Apianit, Epidamno-is (Durrësi), është quajtur sipas emrit të mbretit ilir Epidamnos. Në këtë kontekst e shpjegon dhe emrin e Ditit Jon (Ionio), që vie nga emri i mbretit ilir Dyrrhachium (Durrësit), nipit të Epidamnit. Gjithnjë duke iu referuar burimeve në fjalë, mësojmë se Dyrrhachium pasi që ishte sulmuar prej vëllezërve të tij, bëri marrëveshje me Herkulin i cili akcidentalisht vrau Jonin, vëllan e Dyrrhachium-it, për ta hudhur trupin e tij në det, dhe për ta quajtur sipas emrit të tij, Deti Jon. Së këtejmi, Katičić ka konstatuar se Joni është ilir, ndërsa kolonizuesit grekë i adhuronin jo vetëm emrat e shquar ilirë por edhe pellazgë. Përveç veprave që u përmendën më sipër, Katičić është shquar edhe me disa studime, ese dhe diskutime që i referohën albanologjisë. Në këtë aspekt po i veçojmë: “Drei altbalkanische Nomina sacra”, Godišnjak, CBI, 7/1972, dhe “Die Sprachen im Römichen Reich der Kaiserzeit. në Recherches albanologique 1 (1985). Katičić është shquar edhe për lidhjet e tia me Shqipërinë dhe në veçanti me studiuesit shqiptarë nga Kosova.