Ndalimi i Koalicioneve/ Rrëzon 5 qershorin në disa nene, rrezikohen zgjedhjet

– 26/08/20

Edi Rama nuk ka zgjidhje tjetër për të ndaluar koalicionet, pa prishur më parë marrëveshjen e 5 qershorit. Vetë ndryshimet në Kushtetutë nuk i ndalojnë koalicionet. Për t’ia arritur qëllimit kryeministrit i duhen ndryshime në Kodin Zgjedhor, që do duhet të diskutohen në Këshillin Politik. Në rast se mazhoranca nuk heq dorë, procesi zgjedhor është i rrezikuar, pasi kohë nuk ka. Nga një vëzhgim i gazetës MAPO, rezulton se mazhoranca duhet të ndryshojë të paktën 5 nene të dakordësuara më parë dhe të votuara në mënyrë unanime.

Bardhi: Marrëveshja është e paprekshme

Hyrja në fuqi e ndryshimeve kushtetuese më datë 8 shtator duket se do të nisë kalvarin e një tjetër tryeze negociatash në Këshillin Politik, ku Ramës dhe mazhorancës i duhet të negociojnë për ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Neni 68 i Kushtetutës, mbetet evaziv, nuk i ndalon koalicionet dhe ato duhet të rregullohen në Kodin Zgjedhor, ku mazhorancës i duhet të negociojë për 30 nene të tjera, që të dalë atje ku do ajo. Kjo është në limitet e saj, dhe ndryshimet janë bërë në kundërshtim me rekomandimet e ODIHR që shprehej se 12 muaj para zgjedhjeve s’mund të bëhen ndërhyrje në Kodin Zgjedhor, ndërsa vetë mazhoranca nuk e pati problem të ndryshojë komplet sistemin zgjedhor. Megjithëse rregullat janë ndryshuar në mes të rrugës, sërish ka një pengesë që Rama nuk do e ketë të lehtë ta kalojë, jo vetëm pa konsensusin e opozitës por edhe pa miratimin e ndërkombëtarëve. Vetë kryeministri para ndryshimeve kushtetuese ka deklaruar se ato nuk prekin marrëveshjen, megjithëse pa prekjen e asaj marrëveshjeje duket se nuk ka ndryshim koalicionesh. Në një prononcim për MAPO, sekretari i Përgjithshëm i PD-së Gazment Bardhi thotë se në të paktën dy nene marrëveshja rregullon marrëdhëniet në koalicion. “Këto janë nene të miratuara të Marrëveshjes së 5 Qershorit, që rregullojnë formulën e koalicioneve parazgjedhore me listë të veçantë të partive dhe formulën e ndarjes së mandateve. Këto nuk rihapen dhe janë të paprekshme”, -thotë Bardhi.

Marrëveshja

Në fakt janë nene esenciale, prekja e të cilave do të thoshte dhe rrëzim të marrëveshjes. Neni 18, ka të bëjë me ndryshimin e nenit 67 të Kodit Zgjedhor që përcakton listën e kandidatëve në zgjedhje. Ndryshimet përcaktojnë qartë, dhe njohin të drejtën e daljes së partive në koalicion me lista më vete. Gjë që nuk e ndalon as ndryshimi i mënyrës së votimit, në ndryshimet kushtetuese “Në çdo rast, numri i kandidatëve në listën shumemërore duhet të jetë i plotpjesëtueshëm me numrin tre. Për partitë pjesëtare të koalicionit, që garojnë me lista shumemërore të veçanta, numri i kandidatëve në listën shumemërore nuk mund të jetë më i vogël se gjysma e numrit të mandateve që do të zgjidhen në zonën zgjedhore përkatëse, shtuar dy” thuhet në ndryshimet e këtij neni. Por të drejtën për t’u regjistruar si koalicion e jep dhe neni 26 i marrëveshjes. “Partitë politike ose koalicionet e partive politike, që regjistrohen për të marrë pjesë në zgjedhje, nëpërmjet personit përgjegjës për komunikimin me KQZ-në, mund të caktojnë me autorizim një përfaqësues dhe një zëvendës të tij pranë KQZ-së, me tagra përfaqësimi për gjithë periudhën deri në shpalljen e rezultatit përfundimtar”, thuhet në nenin që bën fjalë për përfaqësimin e subjekteve në KQZ. Të tjera nene të marrëveshjes që mbrojnë të drejtën e koalicioneve është neni 36 i marrëveshjes që bën fjalë për ndërprerjen e mandatit dhe zëvendësimin e vakancës. “Në rastin kur është shteruar lista e kandidatëve të partisë politike, anëtare e një koalicioni, mandati i kalon partisë së koalicionit me herësin më të lartë”. Të tjera nene janë dhe ato 90 dhe 91 që flasin për deklarimin e të ardhurave gjatë fushatës elektorale. Në total, marrëveshja e pesë qershorit duhet të rinegociohet në pesë nene të saj, çka duket e vështirë në kushtet aktuale.

Llogaritë me Ndërkombëtarët

Por Edi Ramës duket se tashmë i duhet t’i bëjë llogaritë kryesisht me ndërkombëtarët që janë dhe garantët e marrëveshjes, dhe këtu forca e kartonit në kuvend duket se s’i bën shumë punë. Pavarësisht toneve dhe diskursit prej sovrani që mbajti në seancën e 30 qershorit, tashmë ai ka firmosur një marrëveshje nën garancinë e SHBA, BE dhe Ambasadës Britanike. Ambasadorja amerikane Youri Kim e ka deklaruar publikisht gjatë një interviste në media se “5 qershori duhet të kalojë siç është. Nuk mund të hapet përsëri. Nuk mund ta bësh sepse do të ishte shkelje e shumë besimi të vënë. Dhe mendoj që nëse jep fjalën, si politikan, si diplomat, nëse nuk e mban fjalën, nuk ke asgjë. Ndaj pritshmëria ime është që udhëheqësit këtu do të bëjnë pikërisht atë që më thanë se do të bënin, që është miratimi i 5 qershorit. Tani, e di po ashtu që për shumë njerëz, 5 qershori nuk mjafton”. Intervista e dhënë për gazetarin Sokol Balla në News24, zbardhur e plotë më 10 korrik në faqen zyrtare të ambasadës. Të njëjtin qëndrim kanë mbajtur dhe aktorët e tjerë si Ambasadori i BE-së në Tiranë Luigi Soreca, kur rekomandon se Rama mund t’i bëjë ndryshimet në Kushtetutë por pa prekur marrëveshjen e 5 qershorit. “Ndërkohë që njohim rolin e Parlamentit në paraqitjen e ndryshimeve shtesë në lidhje me sistemin zgjedhor, ne nxisim të gjitha palët të vazhdojnë diskutimet në Këshillin Politik me të njëjtën frymë gjithëpërfshirëse dhe bashkëpunuese, të treguar gjatë miratimit të marrëveshjes politike të 5 qershorit. Procesi që çon në ndryshimet shtesë nuk duhet të dëmtojë frymën dhe rezultatet e marrëveshjes së 5 qershorit”, thuhet në mesazhin e Sorecës. Në këtë qëndrim unifikues kanë qenë dhe faktorë të tjerë ndërkombëtarë.

Zgjidhjet

Në një vështrim të përgjithshëm duket se Ramës nuk i kanë mbetur shumë rrugë. Ose të shkelmojë marrëveshjen e 5 qershorit, ose të negociojë me opozitën ato pak pika që i duhen për të implementuar ndryshimet në sistemin zgjedhor, që kanë të bëjnë kryesisht me përllogaritjen e mandateve, pragun zgjedhor të hyrjes në parlament të partive, ( jo të financimit pasi sërish preket marrëveshja, që parashikon financim nga shteti të partive që kalojnë 1 % të pragut kombëtar) dhe ndonjë artificë tjetër që do bënte të mundur shndërrimin e sistemit. Prekja e koalicioneve do shkatërronte marrëveshjen, një investim mbarëkombëtar, për qetësimin e situatës dhe kapërcimin e krizës. Mandati i tij si kryetar i OSBE mbaron në fund të dhjetorit, dhe vetë Rama, duke shfrytëzuar mundësinë që i është dhënë Shqipërisë, po investohet shumë për të qenë në qendër të negociatave në Bjellorusi, pse jo për ta përdorur si kapital politik. Riaktivizimi i një krize politike, do e dëmtonte shumë imazhin e tij që po përpiqet të kurojë te ndërkombëtarët. Por duket se me votimin e 30 korrikut dhe këmbënguljen për ndryshimet në kod, po i hyn një rruge akoma më të rrezikshme, asaj të prishjes përfundimtare të procesit zgjedhor. Tetë muaj para zgjedhjeve, është shumë vonë për të ndaluar koalicionet, është shumë vonë për ndryshimet në kod, është shumë vonë për të marrë konsensusin e opozitës.

Ja nenet e marrëveshjes që preken nga heqja e koalicioneve

Neni 19 pika 1

Emrat në listën shumemërore të subjektit zgjedhor paraqiten të renditura sipas rendit shifror, duke filluar nga numri një. Numri i kandidatëve në listën shumemërore nuk mund të jetë më i vogël se numri i mandateve që do të zgjidhen në zonën zgjedhore përkatëse, shtuar dy. Në çdo rast, numri i kandidatëve në listën shumemërore duhet të jetë i plotpjesëtueshëm me numrin tre. Për partitë pjesëtare të koalicionit, që garojnë me lista shumemërore të veçanta, numri i kandidatëve në listën shumemërore nuk mund të jetë më i vogël se gjysma e numrit të mandateve që do të zgjidhen në zonën zgjedhore përkatëse, shtuar dy. Në çdo rast numri i kandidatëve në listën shumemërore të partisë duhet të jetë i plotpjesëtueshëm me numrin tre.

Neni 26 pika 1

Partitë politike ose koalicionet e partive politike, që regjistrohen për të marrë pjesë në zgjedhje, nëpërmjet personit përgjegjës për komunikimin me KQZ-në, mund të caktojnë me autorizim një përfaqësues dhe një zëvendës të tij pranë KQZ-së, me tagra përfaqësimi për gjithë periudhën deri në shpalljen e rezultatit përfundimtar.

Neni 36 pika 5

Në rastin kur është shteruar lista e kandidatëve të partisë politike, anëtare e një koalicioni, mandati i kalon partisë së koalicionit me herësin më të lartë.

Neni 90 pika 2

Për qëllime të zbatimit të këtij ligji, dhurimet në vlera monetare, në natyrë apo në formën e shërbimit që u jepen kandidatëve të subjekteve zgjedhore, si dhe huat ose kreditë e marra nga kandidatët për financimin e fushatës konsiderohen si kontribute për partinë politike për të cilën ata kandidojnë. Për kandidatët e propozuar nga koalicionet, partitë politike pjesëmarrëse në koalicion përcaktojnë në marrëveshjen për krijimin e koalicionit se cila parti do të deklarojë të ardhurat dhe shpenzimet e kandidatit.

Neni 91 pika 1

Me përjashtim të rasteve të parashikuara me ligj, nuk mund të përdoren ose të vihen në mbështetje të kandidatëve, të partive politike ose të koalicioneve në zgjedhje burime të organeve apo enteve publike në nivel qendror ose vendor, apo çdo lloj enti tjetër ku shteti zotëron kapitale apo kuota ose/dhe emëron shumicën e organit mbikëqyrës apo organit administrues të entit, pavarësisht nga burimi i kapitalit ose pronësia.

Nga: mapo.al