“Ndalja e gjakderdhjes në Gaza është detyra jonë!”- Erdogan paralajmëron sërish: – Obligimi ynë të ndjekim vrasësit që po marrin jetën e civilëve në Palestinë
5 Nentor 2023
“Është detyrë e Turqisë të ndalojë gjakderdhjen në Gaza”, tha të dielën (05 Nëntor) Presidenti Rexhep Tajip Erdogan.
Duke folur në një ceremoni lokale inaugurimi në provincën Rize të Detit të Zi, Erdogan tha se Turqia ka një detyrim të “shpëtojë palestinezët nga shtypja e Izraelit”.
“Është detyra jonë të ndalojmë gjakderdhjen në Gaza, e cila po kryhet para syve të komunitetit ndërkombëtar”, tha ai.
“Ne po bëjmë dhe do të vazhdojmë të bëjmë më shumë se sa është e dukshme,” tha Erdogan për përpjekjet e Turqisë për popullin palestinez.
Turqia nuk do t’i braktisë kurrë vëllezërit dhe motrat e saj në Gaza, premtoi ai.
“Është përgjegjësia jonë historike të thërrasim krimet e atyre që mbështesin këtë masakër të pamoralshme, të paskrupullt, të neveritshme (në Gaza),” shtoi Erdogan.
“Është detyra jonë humanitare të ndjekim vrasësit që po marrin jetën e fëmijëve, nënave dhe njerëzve të pafajshëm në të gjithë territoret palestineze, si dhe hajdutët që po plaçkitin pasuritë e të shtypurve”, tha Erdogan në platformën ‘X’ të dielën.
“Për më tepër, është përgjegjësia jonë historike të vëmë në dukje krimet e tyre kudo që ndeshemi me ata që mbështesin autorët e kësaj masakre të pamoralshme, të pashpirt dhe të neveritshme”, shtoi Erdogan.
“Ruajtja e shenjtërisë së Haram Al-Sharif të Jeruzalemit, që përfshin kiblen tonë të parë (drejtimin për namaz) Xhaminë Al-Aksa, në një mënyrë që respekton të drejtat e anëtarëve të besimeve të tjera, është ndër detyrimet tona shpirtërore,” shtoi ai.
Banorët e Gazës po vuajnë nga një situatë katastrofike humanitare dhe shëndetësore pasi Izraeli ende ndalon hyrjen e karburantit në Gaza, duke lënë jashtë shërbimit shumë spitale.
Sipas OKB-së dhe Kryqit të Kuq, një sasi e pamjaftueshme e ndihmave humanitare po lejohet në Rripin e Gazës, i cili është nën një bllokadë pothuajse totale për 30 ditë.
Mbi 9,700 palestinezë, duke përfshirë 4,800 fëmijë dhe 2,055 gra janë vrarë në bombardimet izraelite që nga 7 tetori, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës.
Gati 1,540 izraelitë janë vrarë.
Gazeta Panorama