Ndërhyn Rusia, merr kthesë të papritur lufta mes Armenisë dhe Azerbajxhanit
Ndërhyn Rusia, merr kthesë të papritur lufta mes Armenisë dhe Azerbajxhanit
10 TETOR 2020
Një takim konsultativ midis Rusisë, Azerbajxhanit dhe Armenisë u zhvillua në Moskë ku u diskutua mbi konfliktin në Malësinë e Karabakut. Raportohet se pas takimit, Armenia dhe Azerbajxhani kanë rënë dakord për një armëpushim dhe planifikojnë të fillojnë bisedime “thelbësore” mbi Nagorno-Karabakun.
I organizuar me iniciativë të Rusisë, takimi u mbajt midis kryediplomatit rus, Sergey Lavrov, atij azerbajxhanas, Jeyhun Bayramov dhe atij armen, Zohrab Mnatsakanyan.
Luftimet në Malësinë e Karabakut filluan më 27 shtator, kur forcat armene shënjestruan vendbanimet civile të Azerbajxhanit dhe pozicionet ushtarake në rajon, duke shkaktuar edhe viktima.
Marrëdhëniet midis dy republikave ish-sovjetike kanë qenë të tensionuara që nga viti 1991, kur ushtria armene pushtoi Malësinë e Karabakut, një territor ndërkombëtarisht i njohur i Azerbajxhanit.
Shumë rezoluta të Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe organizata ndërkombëtare kërkojnë tërheqjen e forcave pushtuese.
Grupi i Minskut i OSBE-së, i bashkë-kryesuar nga Franca, Rusia dhe SHBA-të, u formua në vitin 1992 për të arritur një zgjidhje paqësore të konfliktit, por deri më tani nuk është parë ndonjë rezultat. Megjithatë, në vitin 1994 u ra dakord për një armëpushim.
Shumë fuqi botërore, përfshirë Rusia, Franca dhe SHBA, kanë kërkuar një armëpushim të menjëhershëm. Ndërkohë, Turqia ka mbështetur të drejtën e Azerbajxhanit për vetëmbrojtje dhe kërkoi tërheqjen e forcave pushtuese të Armenisë.
Gazeta Shqip