“Ndërhyni me forcë dhe shpëtoni njerëzit”, reagimi i gazetarit: Konsumatorët në rrezik nga prodhues-vrasës. –
“Ndërhyni me forcë dhe shpëtoni njerëzit”, reagimi i gazetarit: Konsumatorët në rrezik nga prodhues-vrasës. –
25 Prill, 2019.
Gazetari Mentor Kikia ka ngritur shqetësimin e tij lidhur me prodhimet vendase duke argumentuar se shumica e produkteve rriten me hormone, ndërsa citon se tema e sigurisë së ushqimeve është gjithmonë aktuale.
Sipas tij, mediat kanë sjellë dëshmi tronditëse lidhur me manipulimin e perimeve me stimulantë dhe futjen në produktet e bulmetit deri edhe të pluhurave të materialeve të ndërtimit, për të rritur sasinë.
“Por ka edhe kantina që u ofrojnë deri edhe konsulencën falas fermave të vreshtave për të siguruar cilësinë maksimale të rrushit. Ka matrapazë që i mbushin shishet e kosit dhe qumështit me qumësht pluhur, e na e shesin për kos deleje, por ka edhe prodhues, që para se ta fusin qumështin në fabrikë ia bëjnë analizat si të ishin analiza gjaku. Ka prodhues sallamesh që fusin pulën me gjithë kokë e thonj dhe i dyndin me nitrate për tu rritur jetëgjatësinë, por ka edhe prodhues që cilësinë e kanë të shenjtë”, shkruan Kikia.
Ai kërkon nga qeveria shqiptare që të ndërhyjë me forcë ku si dy arsye kryesore ai përmend:
“E para: Të shpëtojë jetën e konsumatorëve nga këta prodhues-vrasës, me gjithë kuptimin e fjalës.
E dyta: Të shpëtojë prodhuesit e ndershëm.
Ndaj sot, masat ndaj mashtrimit me cilësinë e ushqimeve duhet të jenë më drastike se kurrë, si e vetmja mënyrë për të shpëtuar njerëzit dhe agro-ekonominë vetë”, shkruan Kikia në rrjetet sociale.
Reagimi i plotë:
Ndërhyni fort, shpëtoni njerëzit dhe vetë agro-ekonominë
Media ka rikthyer ditët e fundit në vëmendje problemin e madh të sigurisë ushqimore. Konkretisht, përdorimin e hormoneve tek perimet, për të stimuluar rritjen dhe pjekjen e shpejte, por edhe mashtrimet që bëhen me prodhimin e nënprodukteve të qumështit. Pra pak ditësh shkenca arriti që në trurin e majmunit të injektojë neuronet njerëzore që rrisin kujtesën dhe ngacmojnë të folurën. Hormonet për të pjekur domaten brenda ditës nuk quhet më shkencë.
Tema e sigurisë së ushqimeve që hamë është gjithmonë aktuale. Madje aq aktuale saqë një shkrim imi, publikuar në 20 prill 2017 dhe rikthyer në kujtesë në 20 Prill 2019 nga vetë rrjeti social, u rimor dhe publikua nga të gjitha mediat online, pa marrë vesh askush që kishte dy vjet i publikuar.
Top Story dhe Fiks Fare në Top Channel, sollën dëshmi tronditëse të manipulimit të perimeve me stimulantë dhe futjen në produktet e bulmetit deri edhe të pluhurave të materialeve të ndërtimit, për të rritur sasinë. Këto janë në përmasat e krimit, pa asnjë dyshim!
Por nuk është e gjitha kështu. Sot në Shqipëri ka edhe prodhues të ndershëm. Ka prodhues verë e rakije, që nuk përdorin asnjë kokërr rrushi, por vetëm ngjyrues kimikë dhe alkool. Por ka edhe kantina që u ofrojnë deri edhe konsulencën falas fermave të vreshtave për të siguruar cilësinë maksimale të rrushit. Ka matrapazë që i mbushin shishet e kosit dhe qumështit me qumësht pluhur, e na e shesin për kos deleje, por ka edhe prodhues, që para se ta fusin qumështin në fabrikë ia bëjnë analizat si të ishin analiza gjaku. Ka prodhues sallamesh që fusin pulën me gjithë kokë e thonj dhe i dyndin me nitrate për tu rritur jetëgjatësinë, por ka edhe prodhues që cilësinë e kanë të shenjtë.
“Sulmi” në bllok ndaj çdo produkti shqiptar, është po kaq i dëmshëm sa edhe ajo që bëjnë mashtruesit me produktet e tyre.
Ndaj qeveria duhet të ndërhyjë me forcë sot, për dy arsye:
E para: Të shpëtojë jetën e konsumatorëve nga këta prodhues-vrasës, me gjithë kuptimin e fjalës.
E dyta: Të shpëtojë prodhuesit e ndershëm.
Një ish ministër bujqësie u shfaq si dordolec para pak vitesh, ndërsa pinte kos në një fabrike qumështi në Lushnje, për të garantuar se ai ishte i mirë, pasi policia kishte sekuestruar dhjetra kuintalë qumësht pluhur me të cilin ai e prodhonte “djathë dhie” dhe “kos deleje”.
Ndaj sot, masat ndaj mashtrimit me cilësinë e ushqimeve duhet të jenë më drastike se kurrë, si e vetmja mënyrë për të shpëtuar njerëzit dhe agro-ekonominë vetë.
Nga: TPZ.AL