Ndërron jetë aktori i njohur Guljelm Radoja, ishte shtruar në spitalin ‘Shefqet Ndroqi’

5 maji 2021

Aktori i njohur Guljelm Radoja ka ndërruar jetë ditën e sotme, një ditë pasi u transferua në spitalin ‘Shefqet Ndroqi’.

Aktori, i cili ishte infektuar me Covid-19 dhe sëmundja i la pasoja serioze në mushkëri, u shtrua në spitalin “Shefqet Ndroqi”.

Prej më shumë se një muaj, aktori ndodhej i shtruar në reanimacionin e Spitalit të Durrësit.

Prej disa javësh, miqtë e aktorit bënë thirrje në rrjetet sociale dhe kërkuan ndihmë që Guljelm Radoja të kurohej jashtë vendit.

Por sipas mjekëve në Durrës, ishte i vështirë dhe transporti drejt Tiranës, ndërsa dje u gjet mundësia për ta transferuar aktorin tek Covid2. Por më datën 5 maj, aktori mbylli sytë përgjithmonë.

Guljem Radoja

JETESHKRIMI

Guljelm Radoja ka lindur në 2 korrik të vitit 1945 në qytetin e Shkodrës.

Pas përfundimeve studimeve të larta në Institutin e Lartë të Arteve (sot Akademia e Arteve) për Dramaturgji në vitin 1972, filloi punën si aktor profesionist në Teatrin e Librazhdit.

Më pas largohet nga ky teatër për të punuar si aktor dhe regjisor pranë Teatrit “Bylis” të qytetit të Fierit dhe më pas si aktor në Teatrin “Aleksandër Mojsiu” në Durrës.

Ndër interpretimet e tij në teatër mund të përmendim rolet e tij në dramat “Bourgeois Wedding” e Bertold Brehtit, “Me syrin e një klouni” e Heinrich Bëllit, “Trojanët” e Vasilis Theodoropulosit etj.

Në kinematografi ai ka luajtur më shumë se 30 role.

Roli i i tij i parë ishte ai i inxhinnierit të pyjeve në filmin “Gjurma” në vitin 1970.

Më tej do të vazhdonin një sërë rolesh të tjera si roli i Tenente Gruabardhit në filmin “Në fillim te verës” në vitin 1975, roli i Stefan Bardhit në filmin “Mësonjëtorja” në vitin 1979, roli i Petro Nini Luarasit në filmin “Kush vdes në këmbë” në vitin 1984, roli i priftit në filmin “Kthimi i ushtrisë së vdekur” në vitin 1989, roli i prokurorit në filmin “Kolonel Bunker” në vitin 1998, etj.

Guljem Radoja

Për meritat e tij artistike Guljelm Radoja është nderuar me titullin “Artist i Merituar”.

Gazeta Panorama