Ndërron jetë Gjelë Gjikolaj, simboli i rezistencës në kampin e Tepelenës (Foto)

24.01.2020

Nga: Lorena Resulaj

“Lamtumirë Nana e Mirditës”. Historia e rrallë e gruas nga Kurbneshi, të cilës i vdiq vajza 3 vjeç në Kampin e Tepelenës. Jetoi vetëm me idenë të rikthehej atje e të gjente eshtrat e vogëlushes… dhe e përmbushi misionin në vitin 2006.

Gjelë Gjikolaj, e njohur nga të gjithë si nënë Gjela, pas një kalvari të gjatë dhimbjesh, ka ndërruar jetë në moshën 95-vjeçare. Lajmin e ka dhënë Dom Gjergj Meta, përmes një postimi në “Facebook” në faqen e Dioqezës së Rrëshenit. Ndarja e saj nga jeta i ka trishtuar të gjithë ata që e njohën nënë Gjelën përmes historisë së saj, që preku zemrat e të gjithëve, jo vetëm të atyre që kanë njohur mirë periudhën më të errët të Shqipërisë, atë të diktaturës.

Nënë Gjela u internua në kampin e Tepelenës për shkak se bashkëshorti i saj u shpall tradhtarë i kombit dhe aty jetoi momente të frikshme, të cilat shënjuan jetën e saj përgjithmonë. Në fjalimin e tij të mbajtur sot në funeralin e nënë Gjelës në Kurbnesh, Dom Gjergj Meta ka shprehur dhimbjen e thellë për ndarjen nga jeta të një gruaje heroinë, që gjithë jetën e saj e ktheu në një mision, për të gjetur eshtrat e vajzës së saj, Dilës, që ndërroi jetë në moshën 3-vjeçare, në kampin e Tepelenës.

Një pjesë nga fjalimi i Dom Gjergj Metës në funeralin e Nënë Gjelës

“Në 19 vjet që jam meshtar kam përcjellë shumë njerëz në banesën e fundit, por sot kam shumë emocione e më duket se çdo fjalë që them asht pak për ty. Më lejo Nanë e dashtun sot me t’i thanë dy fjalë prej zemret. Sot nuk po përcillet vetëm nusja e Gjikolajve, as vetëm bija e Kthellës, as vetëm nanë Gjela e Selitës, por sot po përcjellim drejt dheut të vorreve pranë Kishës së vogël të Shna Ndout nanë Gjelën e Mirditës. Ti je nga ato nana të rralla që krenohet sot krejt Mirdita. Faleminderit nanë Gjela për fisnkërinë tande, për jetën tande, për gjithçka na ke thanë e na ke dhanë. Sot dheu i Selitës e ka për nder me pritë trupin tand. Atë trup që njohu dhimbjet e një kalvari të egër. Sot po më duket që edhe Gjuri Gjon asht përkulë e po të nderon. Po më duket se edhe Uraka e ka ndalë rrjedhën e don me t’i thanë dy fjalë. Sot këtu kanë ardhë burra e gra prej kahmosit për me të thanë: Lamtumirë nanë Gjela! Prej sot do të prehesh nën këto pisha të vorreve të Kurbneshit, pranë kunatës tande, pranë Dilës e pranë Ages së vogël, pranë vjerrit tand që i shërbeve derisa vdiq. E dashtuna nanë Gjelë. Këtë verë isha në Tepelenë e po të rrëfej se më shkuen lot. Ndërsa shkelja atë dhe, hera-herës më dukej se dëgjoja të qara fëmijësh e gjama nanash për foshnjat e tyne të vdekuna në atë kamp tmerri. Aty ku iu fikën ty e kunatës tande Mrikës para duarsh dy engjëj të vegjël të cilat as me ujë nuk i shujtët dot, sepse kulshedra kishte mbyllë burimet. (…)

Ndigjoje nanë Gjela zanin e Dilës së vogël në luminë e parrizit, po gzon se ti shkove te ajo e tashma nuk asht jetime. E aty në atë jetë të vërtetë me siguri ke përqafue edhe nji herë Mrikën kunatën tande më të cilën i re ferrit pash më pash, vjerrin tand e ma në fund edhe Prengën e rinisë tande. Po! Sepse në qiell ka vetëm rini, pasi aty Zoti asht gjithçka në të gjithë. E tash nanë Gjelë duhet me u nda. Por një ditë kena me u pa, se kështu na mëson feja jonë. Atë ditë ne besojmë se ti do të jesh bashkë me të gjithë shenjtnit e nanat e mira tui na pritë në dyert e qiellit. Deri atëherë, lamtumirë nanë Gjela! Ta kena borxh jetë e mot! Pushofsh në paqen e Krishtit! Amen!”

Historia e jetës së Gjelë Gjikolës

Intervistën e saj të fundit nënë Gjela e dha në vitin 2018-të për gazetaren Admirina Peçi, ku tregoi me detaje të gjithë jetën e saj, nga largimi i të shoqit, Preng Gjikola për në Jugosllavi, deri në ditën kur u kthye pas 50 vitesh në Tepelenë për të gjetur eshtrat e vajzës së saj.

Më poshtë historia e plotë e Gjelë Gjikolës nga gazetarja Admirina Peçi:

Gjelë Gjikolaj, kjo nënë vetmitare, malsore me qëndrim stoik, sot 94 vjeç, ka një histori të fortë për të rrëfyer. Jeton për të dëshmuar, pa bërtitur, pa u ankuar. Ajo ti shemb nga themelet, ti shkërmoq, gjithë bindjet apo perceptimet që mund të kesh për dhimbjen, vetminë, vdekjen, apo mbijetesën… Gjela është e sëmurë. Prej 40 vjetësh vuan nga astma. Por siç thotë vetë, Zoti ka dasht që ajo të jetojë gjatë. E takojmë Gjelë Gjikolën  në spitalin e Rrëshenit, ku trajtohet prej disa ditësh për një varg shqetësimesh të moshës së shtyrë. Në jetën e saj ka një stacion të dhimbshëm që i ther në zemër sa herë e kujton. N’atë stacion do të ndalet sot.

Nena gjela me kunaten

Ajo është e gatshme të rrëfejë për të… Vitet e tmerrshme në kampin e Tepelenës i morën gjysmën e shpirtit të saj, Dilën 3 vjeç, që vdiq e uritur dhe e etur për një pikë ujë… Gjela ishte 20 vjeç kur u martua me Preng Gjikolën. Burri i saj ishte mbështetës i Muharrem Bajraktarit, Abaz Kupit, Qazim Mulletit, e shumë të tjerëve që ishin deklaruar hapur kundër regjimit të posa instaluar komunist. Dyqanin në Kurbnesh dhe 5 dyqanet e tjera në katundet përreth që i adminsitronte prej vitesh, regjimi ia kishte mbyllë e sekuestruar që në vitet e para pas Luftës. Prej atij momenti, Preng Gjikola ishte i vendosur ti dilte kundër regjimit të Enver Hoxhës. Siç tregon Gjela, burri i saj vendosi të arratiset bashkë me 60 burra të tjerë me idenë se një ditë do të kthehej e t’ia  ndryshonin faqen Shqipërisë. “U prenë… i vrau Jugosllavia në at vakt. 60 burra përnjiheri… I thashë: or burrë ku ve? Jam shtatzan, ku ve? Jam tu vojt tha, nuk na le me çel dyqan, na prishi dyqanin, na mori mallin, dyqind berra, krejt mos o zot… Ata burra që shkuan në Jugosllavi nuk patën mundësi me e ba Shqipërinë për vete, veçse ju shkoi koka…”.

Gjela ndalet një çast. E kujton me dhimbje ditën që burri e la në Kurbnesh. Pikërisht atë ditë, pasi burri iku në mal, Gjela shtatzënë, lindi vajzën e tyre, Dilën, fati i të cilës ishte shenju me kohë, një fati i hidhur! As ajo se pa kurrë të atin e as ai vajzën e tij të vetme. “Kur u banë këta grup me ata qi u qujtën  tradhtarë, u banë 60 burra dhe dolën, kalun në Jugosllavi. Atë ditë që dolën burrat  n’mal më kishte le cuca. Kunatës i ka le cuca në rrugë me policë. “Je duke gënjy nuk je tu lind”, i thoshin rojet. Policët ishin aty. Asaj i leu cuca në rrugë…”. Ku po i çonin ata dy gra të llahtarisura? Gjela dridhet kur mendon atë ditë të frikshme, me foshnjën e saj tre ditëshe në atë kamion, që ruhej me policë të armatosun, me kunatën e saj që i kishin nisur dhimbjet e lindjes e iu lutej me shpirt ndër dhëmbë policëve. Aty n’atë kamion, rrugës për në burg një grua lehonë, një tjetër duke lindur dhe vjehrri i tyre plak mes kërcënimit të armëve do të jetonin një ditë të tmerrshme.  E mbas saj muaj edhe më të vështirë.

Gjelë Gjikolaj nena e kurbneshit

“Katër muaj kemi nejt në Burrel, në hetuesi. Cuca e lindme atë ditë, e imja tre ditëshe. Kemi nejt katër muaj në hetuesi. Hetuesi burrash jo grash!!!” Nga hetuesia e Burrelit,  Gjela  ka një shenjë që nuk i shlyhet. Thotë se nuk e kanë torturuar. Por një shenjë ja kanë lënë, që ajo ta kujtonte gjithë jetën se ishte gruaja e një “armiku të popullit”. “Jo, jo, torturue, torturue… Me kanë ra këtij gishtit (tregon gishtin). Pasi kam dalë prej internimi,(pas 3 vjet e gjysëm) i kam heq duhanin, se e kam pas lidh me duhan. Pas operimit ka ardh në gjendje. Nuk rrej, pikë për pikë jam të t’thanë.. M’tha: “Vene dorën këtu”. Unë kujtova se më tha a di me shkrue. Edhe…(tregon me shenjë se si e ka goditur hetuesi). “Mos bre, i thashe, mor burri i dheut…”! “Ta ka ba burri”, me tha. Po burri s’tpyste n’atë kohë. Ku e dija unë se ç’bante burri n’atë kohë me politikë. 60 burra! Ku e çlirojshin Shqipninë, 60 burra!!