Ndërtesa qendrore e Bankës së Shqipërisë. –
Punimet për ndërtimin e Bankës Kombëtare të Shqipërisë filluan në shkurt të vitit 1937, ndërsa ceremonia e përurimit të saj u zhvillua në 30 tetor 1938. Ajo u projektua nga prof. Vittorio Ballio Morpurgo, një ndër arkitektët italianë më të njohur të asaj kohe.


Vlerat arkitektonike të kësaj ndërtese janë të një rëndësie të veçantë në aspektin kulturor, si një përfaqësuese e spikatur e rrymës së “racionalizmit”, e cila përveç kësaj ndërtese ka edhe përfaqësuese të tjera në Shqipëri.

Solide dhe e rëndë në pamjen e parë, godina rrethohet nga një ngrohtësi origjinale, e cila buron nga ngjyra e kuqërremtë e fasadës dhe forma e zbutur e gjysmërrethit. Hyrja e saj kryesore me kolonat gjigande tepër të larta gjen një harmoni të plotë me qeramikën me të cilën është dekoruar. Shkrirja e përkryer e materialit dhe ngjyrës që është përdorur aty, e veshin këtë godinë me një karakter monumental.

Pamja para.
Madhështia, elementet artistike të saj, fasada e veshur me terrakotë, basorelievet në fasadën kryesore dhe në veçanti mozaiku në hollin kryesor të ndërtesës i japin një rëndësi të jashtëzakonshme kësaj vepre.

Në relievet e ulëta të hyrjes kryesore të godinës së bankës janë gdhendur figura të çmuara, vepra të skulptorit të famshëm italian Alfredo Biagini, të cilat simbolizojnë burimet e jetës e të pasurisë së kombit. Ato thyejnë lartësinë e mureve dhe figurat e gdhendura aty përshtaten me ato të sallës së brendshme të publikut, të cilat janë vepër e piktorit italian Giulio Roso. Elementet arkitektonikë të fasadave dhe të interierëve, si elementë të dritareve, dyerve dhe dekoracioneve në vetvete të thjeshta, por që në linjën e përgjithshme të ndërtesës, qëndrojnë në unitet të plotë.