Ndërtimi i Portit të Durrësit, portë e hapur për sirianët drejt BE-së/ Çfarë fshihet pas VKM-së

9 maji 2021

Gazeta Panorama

Në fund të muajit mars, Qeveria ndërhyu në një vendim të saj të vitit 2013, ku përcaktohen kushtet dhe procedurat e pajisjes me leje qëndrimi të shtetasve të huaj.

Objekt i ndryshimit ishte pika gjashtë e VKM numër 513 të 2013-ës, duke shtuar në listën e personave përfitues të lejeve të qëndrimit edhe grupit e shtetasve që janë të pajisur më parë me leje qëndrimi të vlefshme nga autoritetet e Emirateve të Bashkuara Arabe.

Nga ky lehtësim përfitojnë shtetas jo të Emiratave të Bashkuara Arabe, por të vendeve të treta që janë të pajisur me leje qëndrimi prej Emirateve. Ndonëse nuk shprehet në VKM, qëllimi i këtij ndryshimi është hapja e rrugës së krahut të punës për investimin prej 2.5 mld eurosh të kompanisë emiratase Amaar, që do të transformojë Portin e Durrësit në një port jahtesh.

Por, hapja e kësaj porte mund të shfrytëzohet edhe nga shtetas sirianë, që synojnë të përdorin territorin e Shqipërisë për t’u katapultuar më pas në vendet e Bashkimit Europian. Sipas autoriteteve të Emirateve të Bashkuara Arabe janë rreth 250 mijë shtetas sirianë të pajisur me leje qëndrimi prej tyre.

Rreth 150 mijë kanë përfituar nga vendimet e njëpasnjëshme të Emirateve pas vitit 2011, kur nisi konflikti i armatosur civil në Siri. Kjo kategori është kryesisht me persona të zhvendosur për shkak të luftës që janë të strehuar në kampe humanitare, apo godina të përshtatura nga autoritetet për strehimin e tyre.

Këta persona konsiderohen si më të gatshëm për të lëvizur drejt vendeve të Bashkimit Europian, nisur kapacitetet e kufizuara të tregut të punës në Emiratet e Bashkuara Arabe, për t’u siguruar punësim. Gazeta Si mëson se në zyrat e emigracionit deri më tani ky fenomen nuk ekziston, por nuk përjashtohet që të vërehet në të ardhmen e afërt dhe me lehtësimin e mundshëm të masave anti-Covid nga vendet e rajonit dhe të BE-së.

Para këtij ndryshimi, shtetasit sirianë në vendin tonë duhet të ndiqnin një procedurë më të vështirë dhe përforcuar për të përfituar leje qëndrimi. Një pjesë e mirë e tyre, pasi janë kapur në vendin tonë në mënyrë ilegale u janë dorëzuar autoriteteve greke prej nga kanë hyrë në Shqipëri, ndërsa të tjerë kanë aplikuar për azil.

Por, me leje qëndrimi të përfituar përmes lehtësimit të mësipërm të Qeverisë shqiptare, sirianët dhe shtetas të tjerë të Lindjes së Mesme, të pajisur me leje qëndrimi nga Emiratet e Bashkuara Arabe mund të lëvizin lirshëm në Shqipëri dhe ta shfrytëzojnë këtë lehtësi për të emigruar në vendet e Bashkimit Europian.

Deri para këtij ndryshimi të Qeverisë shqiptare, shtetasit që gëzonin të drejtën e pajisjes me vizë nga Shqipëria ishin ata që janë të pajisur me vizë të vlefshme me shumë hyrje-dalje, apo leje qëndrimit të vlefshme të lëshuara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe dhe Irlanda e Veriut, me kushtin që vizat të jenë përdorur më parë në këto shtete. Sa për vendet e Bashkimit Europian, ata përfitojnë nga mekanizmat e parashikuar nga Shengeni, ku Shqipëria është pjesë që prej 2010-ës./GazetaSi/