Ndëshkimi tragjik i tiranit-Rreth drames”Genti” te Sherif Delvines.-

Nga Mexhit Prençi

–  STUDIM, për  tragjedinë ”GENTI” shkruar nga historiani SHERIF DELVINA –

“Tragjedia, kjo formë superiore e gjinisë poetike, ka për objekt të na tregojë anët e tmerrshme të jetës, dhimbjet pa emër, ankthet e njerëzimit, triumfin e të liqve, pushtetin e rastësisë, dështimin e pagabueshëm të të drejtëve e të pafajshëmve. Unë gjej aty simbolin kuptimplotë të natyrës së botës dhe ekzistencës”- ARTUR SHOPENHAUER

1

Tema historike ka qenë është dhe  do të mbetet angazhim i përhershëm i shkrimtarëve, dramaturgëve dhe artistëve, jo vetëm për arsye të evokimit të historisë së çdo kombit, por edhe për faktin se ajo i flet edhe të sotmes e të ardhmes.  Historia është një burim i pashtershëm  temash  për të madhërishmen dhe të ultën, të bukurën e të shëmtuarën; që pershkohen nga dramatikja, tragjikja, komikja dhe lirikja dhe frymëzojnë  autorët e mëdhenj, të kërkojnë subjekte, konflikte, drama tronditëse me konflikte e ngjarje të jashtëzakonshme nga realiteti jetësor dhe  historik,  të cilat  shndërrohen në realitet artistik. Shestimi i këtij realiteti dhe personazheve tragjikë të tij nga autori është i orientuar  nga vizioni i kthjellët në aplikimin e dy kritereve:  atë të personalizimit të personazhit real ku i qëndrohet besnik historisë në thelbin e përmbajtjes së figurës. Ndërsa kriteri i dytë nxit fantazinë krijuese të ridimensionohen të vërtetat historike e jetësore, pa shtremberuar  të vërtetat e bëmave të personazheve historikë e në të njëjtën kohë duke dhënë  koloritin, atmosferën dhe  frymën e kohës kur zhvillohen ngjarjet.  Po gjithsesi në të dy rastet, mesazhi i dramës historike është universal, u flas bashkëkohësve dhe çdo kohe, si nga pikëpamja historike e fitores ashtu edhe e humbjes, veçanërsiht në situatat më kyçe të historisë, duke transmetuar kumte njerëzore, ringritjeje morale, që e mira të pëlqehet dhe e keqja të urrehet e të refuzohet.

2

Kjo qasje e ka nxitur historianin Sherif Delvina të provojë penën e tij në rrafshin e dramaturgjisë, i cili  duke shkruar për bëmat e Mbretit të Ardianëve, Gentin, me vërtetësi historike dhe mjeshtëri artistike ka  formësuar figurën e tij si  tiran unik, për të dhënë mesazhin  se si ndëshkohet ai që egoja karieriste kriminale e fronit, ngrihet mbi çdo ideal, madje edhe mbi idealin e lirisë, demokracisë, drejtësisë dhe te atdhetarisë. Janë këto idetë themelore te tragjedisë “Genti” që i flet kohës sonë, adresuar tek ata aventurierë dhe gangsterë politikë, të pamoralshëm, që krijojnë konflikte dhe mbjellin frymën e urrejtjes, duke braktisur dashurinë, mirëkuptimin, harmoninë; – janë ata që për të hypur në fron ose për ta mbajtur atë, përdorin çdo mjet edhe duke djegur e shkatërruar, duke mashtruar e duke vrarë, pa menduar se një ditë me diell, drejtësia do t’i ndëshkojë tragjikisht.

Këto mesazhe jepen direkt dhe indirekt në tragjedinë ”Genti”, një vepër e Delvinës kjo,  sa dramatike aq dhe tragjiko-historike, e shkruar me rreptësinë e historianit dhe pasionin e dramaturgut, ndonëse është vepra e parë dramaturgjike e tij.  ndoshta dhe e fundit.

3

Rikardo Skrivano në revistën “Eksperiencë letrare” e Universitetit të Romës në nr.2 1997, fq.21  thotë: “Pa u ngatërruar  fare, një poet dhe historian mund të gjenden në të njëjtin njeri”. Te Sherif Delvina duke gjykuar nga kjo tragjedi, gjenden bashkë poeti dramatik dhe historiani. Kjo ngjizje ka bërë të realizohet një tragjedi me vlera të larta, si një vepër e mirëfilltë letrare ku faktet dhe bëmat e personazheve historikë kanë shërbyer si lëndë, me të cilën është formësuar tragjedia artistikisht. Njohja e historisë dhe vërtetësia e paraqitjes së saj duke i mishëruar artistikisht, kanë qenë faktorë substancialë  në  proceset e krijimit dhe strukturimit dramaturgjik.

4

Delvina në krijimin artistik të figurës së Gentit,  është mbështetur edhe në historianë të mëdhenj, grekë e romakë të lashtësisë. Ja ç’thotë Polibi, historian i madh grek në Megalopol të Arkadisë, aty nga viti 200 para erës. sonë: “Genti, Mbreti i Iliriëve, për shkak se pinte shumë natë e ditë ishte i dehur, bënte veprime të padenja në jetë. Ai vrau vëllanë e tij, Platorin i cili do të martohej me të bijën e Monunit dhe u martua vetë  me të fejuarën e viktimës së tij.  Nënshtetasit i trajtonte me egërsi të ashpër e të madhe.” (Polibi, historitë, libri XXIX,13).  Ndërsa Tit Livi, në librin XLIV, “Nga themelimi i Romës së lashtë” thoshte: “Genti, biri i Pleuratit, Mbretit të Ilirisë dhe i Erydikës kishte dy vëllezër: Platorin prej nëne e babe dhe Karavantin vetëm prej nëne. Duke mos dyshuar nga ky i fundit, sepse nuk ishte fisnnik nga i ati, vrau Platorin me dy miqtë e tij, Etritin dhe Epikardin, që të siguronte fronin me siguri…”

***

Sherif Delvina.

Në këtë studim nuk do të shqyrtoj si është trajtuar historia e Gentit dhe e kohës ku zhvillohen ngjarjet, nga  dramaturgu Delvina, jo vetëm për faktin se ai është njohës serioz  i historisë, por sipas meje një vepër letrare, gjykohet dhe analizohet sipas kritereve, artistike, estetike dhe mesazhore, të cilat janë thelbësore në përcaktimin e vlerave dhe jovlerave.

5

Tragjedia “Genti” në tërësi  është shkruar sipas rregullave klasike dhe realiste. Është strukturuar në katër akte. Çdo akt është ndarë në skena. Akti i parë dhe i dytë janë formësuar secili në katër skena. I treti në shtatë dhe akti i katërt në gjashtë. Kjo strukturë nuk ka qenë strikte sipas rregullave rutinë, është disi më e çliruar, më e lirë në zhvillimin e subjektit, të intensitetit dhe dinamikës dramatike dhe formësimit  sipas ideve, situatave dhe ngjarjeve. Në ndonjë skenë shpjegohet vetë zhvillimi i ngjarjes para se të ndodhë dhe jepet në mënyrë racionale. Ndërsa në një skenë tjetër ngjarja është befasuese  dhe dramatike etj.

Është momenti të thuhet se në tërësi  nuk shquaj  një strukturë dramaturgjike të përsosur të kësaj tragjedie;  më tepër se organizim të vetëdijshëm strukturor, shoh një spontanitet  të vlertë që buron prej bëmave  të personazheve,  konfliktit dhe ideve që bëhen menaxhere të strukturimeve dramaturgjike. Kjo është një veçori e kësaj  tragjedie që e përshkon tërë veprën, pa mohuar dhe dobësinë që sjell me vete.

6

Në këtë tragjedi idetë e fuqishme janë forcë lëvizëse të vetëdijes krijuese të autorit në formësimin e strukturës së ngjarjes, situatës dhe karaktereve të cilat zhvillohen sipas një procesi dramaturgjik të natyrshëm dhe gradual gjer në shpërthime dramatike e tragjike të fuqishme..

Le të kujtojmë dialogun Etuda-Neritan, në skenën e gjashtë të aktit të dytë, kur Neritani ka ardhur me mision për t’i dhënë asaj lajmin e vdekjes së Platorit. Që në takimin e parë sapo largohet  Monuni, -NERITANI, duke parë portretin e zymtë të Etudës  i thotë : Të shoh të mërzitur princeshë. Etuda: E zeza unë, ku është Platori? NERITANI: Vajzat gëzohen shpejt, po për çudi hidhërohen edhe shpejt.  ETUDA: Nuk kam nevojë për fjalë të tepërta, ku është Platori? NERITANI: Qesh pak, vogëlushe; në jetë gjithkund ka pak trëndafila, gazi është i çastit, ndërsa hidhërimi i përjetshëm. ETUDA: Fol, fol çfarë po më fsheh?… Ndonjë lajm të keq për  Platorin?…NERITANI:  Fatkeqësitë  në botë janë të shumta, përpiqen me të gjitha mjetet të na përfshijnë në shtjellën e tyre dhe më së fundi ia arrijnë qëllimit duke mërguar fatin larg, larg…

Kështu vazhdon dialogu  i bukur, ekspresiv, emocional, me nëntekst të admirueshëm, që përgatit çastin më kulmor, lajmin e zi mashtrues,  për Etudën: “Një grup armiqsh të panjohur  i kanë rrëmbyer jetën Platorit.”

***

Struktura hapësinore dhe dramaturgjike krijon shtratin e nevojshëm për zhvillimin e procesit psikologjik për përballimin e  gjëmës së zezë, e cila bie si një lajm-farmak i Hadit, siç thotë Etuda. Dhe pikërisht pas kësaj nis monologu i shkruar bukur, i dhimbjes dhe dashurisë, monologu i humbjes së shpresës, i mosekzistencës. Ajo nuk e do më jetën pa Platorin. Po monologu i saj merr dimensione akoma më të mëdha kur ajo thotë:

“O hekur vrastar, që përgjak Platorin! Tehu yt verbues vrau dhe Ilirinë… Ti shpove dy zemra njëherësh dhe varrose dy jetë.”

Platori ishte mbrojtësi  dhe Lavdia e Ilirisë. Me Vrasjen e Platorit, siç thotë Etuda, vërtet tirani varrosi dy jetë.

7

Kjo strukturë që jo kurdoherë krijon mundësira të tilla shprehëse, është e pranishme edhe në skena të tjera; ka raste kur ngushtohet hapësira strukturore për t’u zhvilluar gradualisht procesi  psikologjik i luftës së brendshme të karaktereve, sidomos në marrjen e vendimeve qoftë për të pohuar diçka apo për të mohuar atë që vetë ka pohuar. Më evidente kjo shfaqet në skenën e tretë të aktit të parë, kur Mbreti Gent, pasi ka marrë pëlqimin e Neritanit që të motrën e tij Anilën ta fejojë me të vëllanë Platorin që ta tërheqë në jetën familjare, për t’i zbutur vrullin e tij në punët e mbretërisë çka ia kanë rritur tepër lavdinë duke zbehur të tijnë; – e fton Platorin dhe papritur i thotë se dëshiron që të fejohet me Anilën. Platori, befas, ashtu menjëherë i thotë: “Jo!”.  Mbreti : “Vajzë më të bukur, të ndershme dhe të mirë, në Shkodër, Lis, Rizon nuk ka.” Platori flet prerë: “Vajzën do ta zgjedh vetë.” Atëhere Genti i sjell argumentin e dytë: “Ajo është motra e Neritanit, vëllait tim të katërt”.  Pas përgjigjes së Platorit se “Neritani  si keqbërës i ngjan shejtanit’’, Mreti i thotë se po heq dorë nga ky propozim, megjithëse “ti nuk gjykon mirë për Neritanin”.

Siç shihet kemi një  dialog racional, pa zhvillim dramaturgjik që kërkon vetë procesi i këtij momenti dramatik që ka të bëjë me marrjen e vendimeve të rëndësishme.

8

Struktura dramaturgjike të paafta për të përballuar densitetin, kompleksitetin dhe dramacitetin e zgjidhjeve konfliktuese të drejtpërdrejta, apo të tërthorta, gjen edhe në ndonjë skenë tjetër si psh në skenën e pestë të aktit të tretë, kur Neritani i jep Monunit lajmin e vrasjes së dhëndrit  të tij Platorit, e, po aty edhe propozimin e Mbretit Gent për t’u martuar me Etudën.

Kjo është një situatë tepër emocionale, komplekse dhe dramatike, që nuk mund të kalohet lehtë e në mënyrë telegrafike, përkundrazi  kërkon një zhvillim dramaturgjik psikologjik, të  tillë, që t’u krijojë personazheve dimensionet hapësinore e kohore për të shpalosur emocionet dhe luftën e tyre të brendshme.

Ndër dobësitë artistike që shfaqen aty-këtu në vepër, do të përmendja edhe monologun e Gentit për të vrarë Platorin, ku gërshetohet monologu si strukturë dramatike me dialogun që  realizohet  me thikën. Ndoshta është ndër monologët e pakët që nuk qëndron artistikisht në lartësinë e monologëve të tjerë në këtë tragjedi të cilët janë shkruar me pathos, kulturë, frymëmarrje të gjerë, ku shpesh metafora dhe simboli, bëhen bartëse  të mendimeve dhe emocioneve të fuqishme.

9

Në tragjedinë “Genti”, monologët kanë disa pamje: shqetësim të brendshëm në situata të vështira kur ndodhesh midis dy alternativash dhe në krahët e dilemës; monolog i dhimbjes, monolog i humbjes, i shkatërrimit e nënështrimit  të turpshëm dhe monologu  mashtrues i cili realizohet me mjeshtëri sa djalli shndërrohet në engjëll. Ja, si monologon Genti, pasi është zbatuar urdhri i tij për vrasjen e të vëllait, Platorit: ”O lajm, më i hidhur e prekës se vdekja! / kur njeriu arrin ta ndiejë atë / Ti mbush me lotë sytë e Ilirëve  / Bëre të lotojë tërë vendi  /  Të heshtë  fjalëzjarrti vëlla / O humbje e rëndë! O dhimbje e madhe! / A do të të përballojmë dot? / Pesha e zisë, ngashërimi i vajit,  / Mua do të më shoqërojnë gjer në varr. / S’e mbaj dot veten. / O burrë mbi burrat!! / Iliria njëherë ka lindur princ Plator. / Ndaj do të ndritësh me shkëlqim në çdo betejë.. / Bëmat e tua do të bëhen këngë” .

Veçori tjetër e monologëve është se ato nuk janë uniformë, por herë të shkurtër, herë të gjatë e herë të mesëm. Jo gjithnjë duke ruajtur sensin e masës, këto struktura diktohen nga pesha e mendimeve  të personazheve dhe konfliktit brenda vetes.

***

Krahas vlerave që përmban monologu, qëndrojnë edhe vlerat e dialogut, dy mjetet kryesore te shprehjes së gjuhës së tragjedisë. Dialogu nuk është i rëndomtë, por konçiz dhe ekspresiv, me kolorit, me intonacione të pasura ku gjuha e figurshme, plot mendime në stilin e tragjedisë, me sentenca, fjalë të urta dhe herë-herë me një nëntekst të thellë, krijojnë një aliazh shprehës estetik dhe mesazho-artistik .

10

Portretizimi i personazheve, me personale artistike te spikatur   realizohet, jo vetëm nëpërmjet  bëmave të tyre, por edhe me anë të pohimeve të veta në një gjendje përpëlitjeje ndërgjegjeje dhe nga fjala e kundërshtarëve. Ja sesi  e portretizon Etuda Gentin: “Je më i poshtër se poshtërsia / metamorfoza  pëson  tri here / bëhesh si tigër kur përgjon viktimën / për t’iu hedhur pastaj e për ta shqyer,  / herë si nepërkë e strukur nën shkëmb gati për t’u hedhur kur e do nevoja, / herë si pëllumb i bardhë, a si qingj i butë, / me fytyrë njerëzore/… Do të të vras, do të të vras, o Gent, pjellë e krimit!”.

(Akoma pa e nxjerrë ajo thikën Genti deklamon):

“Të betohem për Perëndi, Etudë e urtë, / nuk jam fajtor për asgjë.” (Me thikë në dorë Etuta vërsulet): “Nuk të besoj , o burim mëkatesh!’’. (Genti në çast nxjerr thikën dhe e çarmatos). ‘’Merreni!’’ u thërret vrasësve). Nuk ka argument më të forte nga  ato që tha Etuda për të.

11

ORËT – mbrojtësit e jetës së njerëzve dhe ndëshkuesit e vrasjeve  pabesisht që aplikon autori në këtë tragjedi, janë  mitikë  e fantastikë, metaforikë e simbolikë sa të rëndësishëm aq dhe shprehës, sa të veçantë aq dhe origjinalë, sa skenikë aq dhe emocionalë: Ora e Rozafës, Ora e Sharrit, Ora e Tomorrit. Si mjete figurative skenikë, orët krijojnë hapësira dhe mundësira për të rritur tensionin dramatik, intensitetin e veprimit, amplitudën e emocionit dhe dramacitetin e situatës. Ato shfaqen si personazhe ide, si hije, fantazmë, zë, zhurmë, tingull, ngjyrë dhe herë si diçka e përzierë. Herë vihen në rolin e prokurorit, herë në atë të avokatit. Janë prokurorë kur akuzojnë Gentin për krimet e tij; shndërrohen  në avokatër mbrojtës në situata të tjera dhe në trup gjykues që jep drejtësi.

12

Një gjyq i madh  zhvillohet në subkoshiencën e Gentit ku ndeshet frika, ankthi dhe tmerri i lëshimit të fronit, me shpresën e ruajtjes së tij. Kjo pikë lidhëse e gjithë zhvillimit të tragjedisë, shfaqet me tërë kompleksitetin e vet, gjithnjë në ngjitje, sa arrin në çastin e shpërthimit, por tashmë e koncentruar në luftën e brendshme ekzistenciale dhe absurde të Gentit, kur ka rënë në fund të pusit të zi. Pikërisht në këtë situatë tragjikomike, krimineli i rrëzuar përdhe kërkon përsëri zotërimin e fronit, duke u shndërruar në një monstër labirintheve të mëshirës, sa krijon vetëm përbuzje dhe neveri. Në këtë situatë tragjikomike shfaqen Orët  me tërë vitalitetin e tyre, duke shpejtuar shkatërrimin moral të këtij tirani, në rrokullisjen tragjike për në ferr. Në të gjitha skenat kur Genti kërkon mëshirë, shfaqen njëherësh tragjikja dhe komikja, herë si dukuri realiste, herë si absurde.

Rikardo Skrivano, në revistën “Eksperiencë letrare” që cituam më lart, fq.19, thotë: ’’Komedia njerëzore përkon vazhdimisht me tragjedinë’’. Këtë të vërtetë, shprehur edhe nga filozofët e vjetër grekë që para erës.sonë e shohim të konkretizuar edhe në këtë tragjedi, sidomos në skenat e mëshirës siç shfaqet këtu, si dukuri tragjike, komike, dramatike dhe absude.

Është tragjike sepse Genti ndodhet vetëm përpara një alternative, – vetëvrasjes; është komike sepse ai kërkon mëshirë pa u penduar; është tragjikomike sepse  në këto rrethana, për të shpëtuar kokën dhe fronin do të japë tërë lirinë duke pranuar skllavërim të plotë; është absurde sepse krimet që ai ka bërë ndaj Ilirëve dhe Ilirisë, gjakun që është derdhur, nuk e lan dot as oqeani. Asnjë çmim nuk e paguan dot.

13

Nga pikëpamja dramaturgjike do të dëshiroja që  Orët në momentin para vrasjes së Gentit, t’i suleshin nga të gjitha anët e me të gjitha mjetet: me zërat, tingujt, ngjyrat, veprimet dhe atmosferën, sipas situatash që të vinin gjithnjë duke u ndezur, duke u kërleshur, sa të arrinte pika e vlimit, ku thika e dorës vetëvrasëse të ngulej në zemrën barbare të Gentit  e të zhytej në pellgun e gjakut të vet.

Gjithashtu do të dëshiroja që Genti të trajtohej jo vetëm si një protagonist që udhëton drejt greminës nëpërmjet kurtheve të krimit dhe vetëkurthit  ë ndëshkimit, por të depërtohej edhe në botën e mirë intime e njerëzore të tij, qoftë edhe vetëm një rast. Sipas meje edhe tek krimineli, brenda tij ekziston diçka njerëzore, nëse pramojmë që te njeriu, ekziston dhe bashkëjeton djalli edhe engjëlli, e mira edhe e keqja.  Në situata të caktura, bëhet pushtuese njera apo tjetra.

***

Ndërsa përsa u përket veprimeve psikofizike të Gentit në tragjedinë e Delvinës, në tërësi ato janë të motivuara dhe të besueshme, ç’ka dëshmojnë vlera artistike. Do të doja që figura e Neritanit dhe ajo e Lekës, të ishin më të motivuara, mbasi nuk jepet e qartë se pse ata marrin pjesë në këto akte kriminale barbare. Ndërsa përsa i përket  portretit të Neritanit autori ka krijuar fytyrën e tij  si mjeshtër i kurtheve dhe kriminel pas shpine. 

14

Duke përfunduar do të theksoj  se tragjedia ‘’Genti’’ përcjell mesazhe shumë të rëndësishme  historike, aktuale dhe universal për çdo tiran  që  ngjitet në fronin e lartë dhe qëndron mbi të,  nëpërmjet rrugës së krimeve, kurtheve, intrigave, vrasjeve; eleminimit të kundërshtarëve, madje edhe të njerëzve më të dashur. Lufta e përbindshme  për interesat personale të cilat ngrihen mbi idealet njerëzore dhe universale, të lirisë, demokracisë dhe drejtesinë, gjithnjë ka patur dhe do të ketë një FUND TRAGJIK.

Kjo kuptimësi bart vlerën më të lartë artistike dhe mesazhore të tragjedisë “ GENTI ”  dhe i flet indirekt, dhe në mënyrë provokative realitetit te sotëm  në Shqipëri,  ku autoriteti i NJËSHIT mbi Ligjin dhe të katër pushtetet është VETËKURTH I NDËSHKIMIT TRAGJIK.