18 Dhjetor 2024

Pjesëmarrësit shqiptarë do të ofrojnë ndihmë dhe trajnim për personelin e Forcave të Armatosura të Ukrainës si pjesë e përpjekjeve të NATO-s për mbështetje të shtetit ukrainas në kontekstin e krizës ushtarake të vazhdueshme. Misioni i ushtarëve shqiptarë ka një kohëzgjatje prej tre vitesh, me rotacion çdo 180 ditë.

Këshilli i Ministrave ka miratuar një vendim për dërgimin e katër ushtarëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë në Komandën e NATO-s në Wiesbaden, Gjermani, për të kontribuar në misionet e ndihmës dhe trajnimit për Ukrainën.

Ministria e Mbrojtjes do të mbulojë shpenzimet përkatëse të ushtarëve, duke përfshirë dietat, akomodimin, ushqimin, sigurimin e jetës dhe shpenzimet për shëndetin, komunikimin dhe transportin.

Njoftimi i plotë:

V E N D I M
PËR
PJESËMARRJEN E FORCAVE TË ARMATOSURA TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË KOMANDËN E NATO-S NË WIESBADEN, GJERMANI, PËR NDIHMË DHE TRAJNIM PËR UKRAINËN
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 1, të nenit 7, të ligjit nr.9363, datë 24.3.2005, “Për dërgimin e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë jashtë vendit, si dhe për mënyrën e procedurat e vendosjes dhe kalimit të forcave ushtarake të huaja në territorin e Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të shkronjës “ç”, të nenit 11, të ligjit nr.64/2014, “Për pushtetet dhe autoritetet e drejtimit e të komandimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:
1. Pjesëmarrjen në Komandën e NATO-s në Wiesbaden, Gjermani, të 4 (katër) ushtarakëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë për ndihmë dhe trajnim për Ukrainën.
2. Misioni i personelit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë është të kontribuojë në dhënien e ndihmës dhe trajnimit të personelit të Forcave të Armatosura të Ukrainës.
3. Pjesëmarrja e personelit do të ketë një kohëzgjatje prej 3 (tre) vjetësh, me rotacion 180 (njëqind e tetëdhjetë) ditë. Afati i misionit fillon të llogaritet nga data e dërgimit në mision. Periudhës së qëndrimit në mision i shtohen edhe ditët e qëndrimit për marrje e dorëzim detyre dhe të vonesave të transportit strategjik për ndërrimin me personelin e radhës.
4. Ministria e Mbrojtjes, për personelin pjesëmarrës në këtë mision, përballon shpenzimet për:
a) dietat për ditët e qëndrimit, në masën 12 000 (dymbëdhjetë mijë) lekë në ditë, përveç pagës mujore;
b) akomodim;
c) ushqim;
ç) lavanderi;
d) ujë të pijshëm;
dh) energji elektrike;
e) sigurimin e jetës;
ë) siguracion shëndetësor për ditët në udhëtim;
f) mbështetje shëndetësore;
g) shpenzime për telefon, internet dhe shërbime postare;
gj) transport;
h) transportin e individëve të shkëputur nga misioni për në atdhe, në rast vdekjeje, sëmundjeje ose thyerjeje disipline;
i) aktivitete social-kulturore në rastet e festave kombëtare gjatë kryerjes së misionit;
j) çdo shpenzim tjetër për mbarëvajtjen e kryerjes së misionit.
5. Transportimi për në atdhe i individëve të shkëputur nga misioni, në rast vdekjeje, sëmundjeje, pamundësie për të përfunduar misionin ose thyerjeje disipline, përballohet nga buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes, përveç rasteve kur do të arrihet nënshkrimi i marrëveshjeve dy-ose shumëpalëshe, ku pala/palët tjetër/e tjera merr/marrin përsipër përballimin e këtyre shpenzimeve.
6. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, përballohen nga fondet e miratuara në buxhetin e Ministrisë së Mbrojtjes.
7. Ngarkohet ministri i Mbrojtjes për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

Balkanweb