Ndihmë nga KESH/ Hiqet kufizimi i energjisë elektrike në Kosovë (NJOFTIMI)
Pas lajmit se ditën e sotme do të niste kufizimi i energjisë elektrike në Kosovë, për shkak të krizës energjetike mediat kosovare raportojnë se është rikthyer furnizimi i rregullt.
Ministria e Ekonomisë së Kosovës ka njoftuar se furnizimi i rregullt me energji elektrike, është rikthyer pas një marrëveshjeje të arritur me Korporatën Energjetike të Shqipërisë, ndërkohë u bëhet thirrje qytetarëve që të kufizojnë shpenzimin e energjisë.
Njoftimi i plotë:
Kthehet furnizimi i rregullt me energji elektrike
Nr. 86/22
Prishtinë, 15.08.2022 – Duke u nisur nga situata botërore me krizën energjetike që ka prekur edhe rajonin, të gjitha institucionet përgjegjëse po punojnë intensivisht dhe në koordinim për sigurinë e furnizimit me energji elektrike.
Falë kësaj pune dhe bashkëpunimit mes Kosovës dhe Shqipërisë, përkatësisht Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) dhe Korporatës Elektroenergjitike të Shqipërisë (KESH) është arritur që të evitohen reduktimet që nga ora 14:00 dhe të vazhdojë furnizimi i rregullt me energji elektrike.
Institucionet do të vazhdojnë të bëjnë përpjekjet maksimale për të ruajtur furnizimin e rregullt me energji elektrike gjatë ditëve në vijim. Megjithatë, marrë parasysh situatën, luten të gjithë qytetarët dhe bizneset që të marrin masa kursimi dhe të jenë sa më të kujdesshëm në përdorimin e energjisë elektrike.
Bashkëpunimi me Shqipërinë do të pasohet nga të tjera masa në adresim të krizës energjetike dhe gjendjes së emergjencës ku ndodhemi.
Gazeta Shqip