13 Shkurt 2023

“Mercenarët e grupit rus Wagner po ndihmojnë Serbinë të përgatisë një sulm të mundshëm ndaj Kosovës”. Alarmin e ka dhënë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani gjatë një interviste për median britanike The Telegraph. “Operacioni sekret është krijuar për të hedhur bazat për një sulm të mundshëm nga Serbia për të rrëmbyer territorin e Kosovës. Ata po sjellin armë dhe uniforma, por nuk janë pjesë e ushtrisë serbe. Serbia dëshiron të arrijë qëllimet e saj, pa e quajtur operacion ushtarak”, tha Osmani. Sipas saj, objektivi i Serbisë është “të përgatisë situatën për një aneksim të mundshëm  jo përmes një operacioni tradicional ushtarak, por përmes një lloj sulmi hibrid”. Sipas Osmanit, Beogradi po vazhdon të rrisë tensionet në rajon në bashkëpunim me Wagner-in, që kohët e fundit ka nisur fushatën për rekrutimin e serbëve për luftën në Ukrainë. “Dy apo tre ditë para pushtimit të Ukrainës, po dëgjoja kaq shumë liderë botërorë që thoshin ‘Putini nuk është aq budalla, ai nuk do ta bëjë këtë’. Ne dëgjojmë tani për Vuçiçin, ‘ai nuk është aq budalla, ai nuk do ta bëjë atë’. Vetëm për shkak se KFOR-i është në Kosovë nuk do të thotë se Vuçiç nuk do ta tentonte kurrë. Nuk po them se do ta bëjë, por ne gjithmonë duhet të jemi gati për të parandaluar një skenar të tillë”, tha ajo.

“I njëjti model si për Krimenë”

Kufiri mes Kosovës dhe Serbisë, një nga pikat kritike në Ballkan, prej muajsh ka qenë një vend i tensionit të lartë, i nxitur fillimisht nga një mosmarrëveshje për patentë shoferët. Serbët etnikë, të cilët përbëjnë shumicën e popullsisë në veri të Kosovës, ishin të zemëruar kur u urdhëruan të hiqnin dorë nga patentat e shoferit dhe targat e tyre të lëshuara nga Serbia dhe të miratonin ato të lëshuara nga autoritetet e Kosovës. Serbët filluan të bllokojnë rrugët dhe të ngrenë barrikada në të gjithë pjesën veriore të Kosovës, ndërsa gjatë konfliktit mes policisë dhe protestuesve pati edhe të shtëna. Kriza u përshkallëzua aq shumë në dhjetor, sa presidenti serb Vuçiç kërcënoi se do të dërgonte forcat serbe në veri të Kosovës. Vjosa Osmani pretendon se Beogradi vazhdon të ndezë tensionet në rajon në bashkëpunim me grupin Wagner, i cili kohët e fundit filloi të joshë rekrutët serbë me reklama për t’iu bashkuar luftës ruse në Ukrainë. “Strategjia e fshehtë e kontrabandës së armëve për aneksimin e pretenduar të Kosovës ka vazhduar që së paku gjashtë muaj”, thotë Osmani. Synimi, thotë ajo, është saktësisht i njëjtë me atë të presidentit rus Vladimir Putin kur Krimea ishte në pyetje nëntë vjet më parë, pohoi ajo. “Nëse shikoni se çfarë bëri Putini në vitin 2014, ky është një kopje e plotë, është i njëjti model. Në fillim ai instrumentalizoi rusët që jetonin atje, më pas bëri të gjitha llojet e ‘operacioneve të flamurit të rremë’ dhe më pas dërgoi këto grupe paraushtarake. Ka dëshmi të qarta se grupet paramilitare serbe e kanë planifikuar dhe organizuar këtë (me Wagnerin), sa kanë qenë në kufi apo brenda (territorit të Kosovës), kjo është një pyetje që ende po hetohet.” Synimet e tyre, theksoi ajo, ishin qartësisht agresive. “Ata po gërmojnë llogore dhe po ndërtojnë barrikada të stilit ushtarak. Lloji që mund të përdorin për të luftuar.”

Roli i Wagnerit në Serbi

Serbia, nga ana tjetër, mohoi se mercenarët e grupit Wagner kishin ndonjë rol në konfliktin me Kosovën. Gjithashtu, shumë ekspertë të Ballkanit janë skeptikë për mundësinë që Serbia të guxojë të tentojë të aneksojë veriun e Kosovës, sepse kjo do t’i sillte në konflikt të drejtpërdrejtë me misionin e NATO-s KFOR ose Forcat e Sigurisë së Kosovës, ku përfshihen ushtarë amerikanë dhe britanikë. “Për sa kohë që KFOR është i stacionuar në Kosovë, nuk mendoj se Serbia do të ndërmarrë veprime ushtarake,” thotë Helena Ivanov, një eksperte me qendër në Beograd për Ballkanin nga grupi i ekspertëve Henry Jackson Society. “Serbia nuk do të hyjë në luftë me NATO-n. E bëri një herë dhe humbi. Nuk do ta bëjë më. Prania e KFOR-it është një pengesë për të dyja palët, në mënyrë që të mos ketë përshkallëzim të tepruar,” shtoi ajo.

Gazeta Sot